Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody's, ka kualifikuar perspektiven ekonomike të Shqipërisë nga "e qëndrueshme" në "pozitive". Në këtë vlerësim të datës 18 shtator Moody’s thekson rritjen e fortë ekonomike dhe uljen e shpejtë të borxhit publik.
Moody's parashikon rritje reale të PBB-së me 3.6% në vitin 2026 dhe 3.5% në vitin 2027, duke theksuar se ekonomia ka dëshmuar deri tani qëndrueshmëri ndaj efekteve të konfliktit në Lindjen e Mesme. Turizmi vijon të jetë motori kryesor i rritjes ekonomike, thuhet në raport, duke sugjeruar që investimet të mos përqëndrohen vetëm në këtë sektor.
Për ministrin e Financave Petrit Malaj ky vlerësim konfirmon ecurinë pozitive të ekonomisë së vendit dhe përparimit që po bën në rrugën e anëtarësimit në BE.
“Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody's ka përmirësuar perspektivën e Shqipërisë nga ‘e qëndrueshme’ në "pozitive". Me fjalë më të thjeshta agjencia po thotë se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur. Prej më shumë se 3 vitesh Shqipëria po regjistron rritje ekonomike të qëndrueshme, rritje të të ardhurave dhe ulje të borxhit publik. Njëherazi reformat që jemi duke ndërmarrë në rrugën drejt BE po japin rezultatet e para dhe që po njihen ndërkombëtarësh”, shprehet ministri Malaj.
Agjencia ndërkombëtare thekson se Shqipëria ndodhet në një moment kyç në rrugën e saj integruese, dhe nëse plotëson detyrat që i caktohen mund të përfitojë deri 922 milionë euro nga plani i rritjes.
Në anën tjetër të medaljes, nuk mungojnë kritikat, nga mangësitë në sundimin e ligjit dhe kontrollin e korrupsionit, te emigracioni, plakja e popullsisë dhe rreziqet që lidhen me sektorin bankar.
Moody’s thotë se edhe pse është bërë përparim në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dobësitë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit vijojnë të jenë problem. Gjithashtu sugjeron monitorim dhe kujdes me ekspozimin e bankave në kredinë për pasuritë e paluajtshme.
“Kërkesat relativisht të mëdha bruto të huamarrjes dhe rreziqet e sektorit bankar që lidhen me rritjet e shpejta të çmimeve të shtëpive e ekspozojnë Shqipërinë ndaj goditjeve të mundshme të papritura”, thotë Moody’s.
Në aspektin fiskal Moody’s vlerëson si problem rreziqet potenciale nga detyrimet e kushtëzuara, veçanërisht ato që mund të krijohen nga ndërmarrjet shtetërore dhe partneritetet publike-private.

Klikoni këtu për të lexuar dokumentin e plotë










Komente
Komento