Morën kontrollin e PD, Garo në Report Tv: S’ka shkarkime, hoqëm nga grupi WhatsApp ato që s’janë pjesë e medias së partisë! Janë liruar zyrat në selinë blu! S’ka negociata, por jemi pro bashkimit

TIRANË- Drejtoresha e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, të asaj që tashmë quhet PD-ja zyrtare, Floriana Garo ka hedhur poshtë të gjithë zërat se me ardhjen e Sali Berishës në krye të PD-së,  (ndonëse jo zyrtarisht) nuk ka pasur shkarkime apo largime. Kjo sipas Garos janë vetëm spekulime, teksa në ‘emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ka sqaruar dhe se çfarë ka ndodhur me marrjen në kontroll të grupit të WhatsApp.

“Nuk ka pasur as shkarkime, as afrime, e as largime, janë spekulime, disa personazhe që nuk kishin të bënin si pjesë e PD, janë hequr nga grupi, ka pasur veprimtari që nuk është konsultuar me mua, drejtoreshën e komunikimit”, tha Garo.

Përballë gazetarëve Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, Garo tha se nuk ka nisur negociata me palën e Lulzim Bashës, por pavarësisht kësaj, theksoi se ajo që kërkohet në këtë momente është bashkimi i demokratëve...si do të ndodhë kjo, ende nuk ka asnjë përgjigje.

“Nuk do të thoja që ka negociata, se ne kemi deklaruar që jemi pro bashkimit dhe afrimit të të gjithë demokratëve që e pranojnë votën e lirë dhe të gjithë idenë tonë të rithemelimit. Synimi ynë është të bashkohemi, e kemi shprehur qartazi, vetëm të bashkuar do krijojmë opozitën e fortë”, tha Garo.

Drejtoresha e komunikimit dha edhe detaje të asaj që çfarë pritet të ndodhë në Kuvendin e 30 prillit që pritet të mbajë Komisioni i Rithemelimit, e ndërsa u ndal edhe në një pikë të rëndësishme sa i përket të ardhmes së PD-së, të pasurit një drejtues ‘Non Grata’ nga SHBA-ja siç është Sali Berisha. Ndonëse Amerika e ka bërë të qartë që një PD e drejtuar nga një ‘Non Grata’ do të futej në listën e zezë, kjo deklaratë nuk i tremb aspak Komisionin e Rithemelimit, të cilët vijojnë të thekojnë se nuk ka prova që vërtetojnë se Berisha ka kryer korrupsion dhe ka “minuar demokracinë”. Madje sipas Garos, kjo gjë është ndjerë si problem në fillim në mesin e demokratëve, por thekson se kjo tashmë është larguar si shqetësim.

“Do të jetë një Kuvend me ndryshime statusore dhe do të marrë edhe vendime të reja. Kuvendi i 30 prillit do të vendosë për hapat e radhës. Ky problem ka qenë në fillim kur nuk dihej historia, në çdo foltore Berisha e ka trajtuar si çështje dhe demokratët kanë arritur të kuptojnë që kjo është një çështje e ngritur pa thelb, pa prova e pa baza, e për rrjedhojë, Amerika nuk do të ndërhynte në sovranitetin e vendit tonë, jemi një vend sovran që i zgjedhim me vullnet të lirë drejtuesit tanë. Kam parë një punë të jashtëzakonshme të Foltores he Komisionit të Rithemeimit dhe një përqafim të madh të demokratëve”, tha Garo.

Që prej kohës që i është bashkuar PD-së, në rrafshin personal, Garo ka cilësuar si ditën më të lumtur atëherë kur Gjykata e Tiranës njohu zyrtarisht statutin e PD-së të bërë në Kuvendin e Berishës, e ndërsa zbuloi se tani më kanë marrë kontrollin e plotë të selisë blu, ku çdo mbështetës i Bashës, ka lëshuar zyrën.

"Dita më e lumtur ku është regjistruar statuti ynë në gjykatë, kemi shkuar me shumë krenari në seli, që na ishte mohuar prej shumë muajsh dhe të futeshim brenda ka qenë shumë emocionuese, por edhe normali si PD, ditët pas, kur janë hequr edhe blindat, kjo duhet të rrijë gjatë në memorien e njerëzve. (...) Një pjesë e madhe e zyrave janë lëshuar, disa të tjera janë të mbyllura për të lëvizur sendet personale, po punohet. Komisioni i Rithemelimit e ka marrë zyrën”, tha Garo.

Si një njeri që ka punuar  me Bashën, por edhe Berishën, ajo renditi ndryshimet mes tyre, ku padyshim për këtë të fundit ka folur me superlativa.

“Ka komunikim, ka analizë, ka diskutim, të dëgjosh opinione të ndryshme, nuk merren vendime pa u diskutuar, të ndihesh pjesë e një ekipi është e rëndësishme, gjatë kohës së Bashës nuk jam ndjerë pjesë e një ekipi dhe vlerësimi që secili pjesëtarë i Komisionit të Rithemelimit, është i jashtëzakonshëm. Këto persona që kanë vite në PD ka qenë baza që është dashur për të ngritur këtë lëvizje, ka formulën e fitores, njerëzit e tjerë kanë ndenjur në heshtje që pastaj të kenë bashkimine tyre, do të nisim që t’ju bëjmë thirrje të gjithë dashamirëse të PD që të vijnë dhe ta bëjnë këtë gjë”, përfundoi drejtoresha e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit.

Në fund, ajo pati edhe një mesazh për të gjithë demokratët, ku theksoi se “bashkimi është e vetmja mënyrë për të qenë më të fortë”.

Lajmi në web u përgatit nga gazetarja Brunilda Kazani

B.K./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja