Rreth dy vite pas përfundimit të hetimeve nga SPAK për mjekun Edvin Prifti, Gjykata e Posaçme vendosi këtë të mërkurë të kalojë çështjen në proces gjyqsor.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Priftit akuzat, “korrupsion pasiv kryer në 7 raste”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “pastrim parash” dhe “fshehje të ardhurash”.

Sipas hetimeve të kryera nga prokurori Sotir Kllapi, është ngritur dyshimi i arsyeshëm se Edvin Prifti në 7 raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në kohën kur agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën dhe zyrën e Priftit, gjetën fizikisht 1.1 milionë euro, shumë të cilën SPAK thotë se mjeku nuk e justifikonte në mënyrë të ligjshme.

Nga ana tjetër, që prej vitit 2018 e në vijim, organi i akuzës dyshon se i pandehuri ka kërkuar nga subjekte të ndryshme tregtare të cilët ushtrojnë veprimtarinë në fushën e ofrimit të shërbimeve mjekësore, fatura tatimore fiktive, të cilat më pas janë paraqitur pranë organeve tatimore, me qëllim jo vetëm për të justifikuar shumat monetare, por edhe për të rritur fiktivisht shpenzimet me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore.

Vendimi GJKKO-së

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 09.02.2024, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 242 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurit Edvin M. Prifti, akuzuar për kryerjen e veprave penale, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 paragrafi i dytë i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (7 herë), parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, para ndryshimeve që janë bërë me ligjin nr. 43 të vitit 2021, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, paragrafi i parë, gërma b, i Kodit Penal.

2. Në seancën e datës 24.12.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin nr. 9, datë 24.12.2025, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 242 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurit Edvin M. Prifti, akuzuar për kryerjen e veprave penale, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 paragrafi i dytë i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (7 herë), parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, para ndryshimeve që janë bërë me ligjin nr. 43 të vitit 2021, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, paragrafi i parë, gërma b, i Kodit Penal.

2. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me një tjetër trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

3. Në bazë të nenit 332 gërma ë, e K.Pr.Penale, urdhërohet formimi i fashikullit të gjykimit, i cili do të përmbajë të gjitha aktet dhe provat që shoqërojnë kërkesën për dërgimin e çështjes për gjykim, duke përjashtuar deklarimet si dhe të gjitha aktet që janë marrë në seancë paraprake.

4. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:50
GJKKO kaloi për gjykim dosjen e tij, reagon mjeku Edvin Prifti: U mora zyrtarisht i pandehur pas 5 vjet zhdukje provash dhe manipulimesh

1766609796_90001713205874xedvjpg289.ëebp

Mjeku Edvin Prifti, ka reaguar për herë të parë pas vendimit të GJKKO-së për ta dërguar në gjyq, duke e cilësuar procesin si të padrejtë dhe të pabazuar.

Në një deklaratë publike, ai thekson se pas më shumë se pesë vitesh hetime, auditet kanë konfirmuar ligjshmërinë e burimeve të tij financiare.

Prifti nënvizon se, pavarësisht zhvillimeve gjyqësore, ai vijon punën si mjek, duke shpëtuar jetë në sallën e operacionit.

Reagimi i plotë:

Cilido duhet të bëjë mirë dhe duhet të bëjë atë që di. Sot unë jam zyrtarisht i pandehur pas një kalvari mbi 5 vjet hetimesh, zhdukje provash dhe dosjesh, si dhe manipulimesh, duke qenë rasti i parë në historinë e gjykatave në botë, por edhe në Shqipëri, ku dikush akuzohet për korrupsion pasiv dhe nuk ka asnjë të akuzuar për korrupsion aktiv?! Apo kur, pas 5 vjetësh, auditi i SPAK cilëson që burimet e mia financiare janë plotësisht të ligjshme dhe nuk ekziston pamundësia financiare! Sot, seanca paraprake e GJKKO-së, pas dy vjetësh, mori vendimin që të më çojë në gjykim. Nuk është se kisha iluzione mbi vendimin. M’u sugjerua për gjykim të shkurtuar dhe ky u refuzua në mënyrë kategorike prej meje, duke qenë i gatshëm të përballem me çdo fakt dhe argument. Në këto kushte, unë ftoj të gjithë pacientët e mi që, kushdo që e ndjen, mund të vijë në gjykatë të dëshmojë se cili jam unë?!

Gjithsesi, pas seancës maratonë që pritja zgjati dy vjet, dhe seanca ishte vetëm 5 minuta, unë u ktheva në sallën e operacionit në QSUT, ku sapo përfundova me sukses operacionin e radhës të pacientit IT.

Ndërkohë, natën e kaluar, kryem së bashku me Dr. Bledar Hodo, Dr. Sci. Merita Zeka dhe Dr. Blerim Arapi një nga operacionet më komplekse në një pacient 38-vjeçar, i operuar 8 muaj më parë nga kolegët me zëvendësim të valvulës së aortës, i cili u paraqit me shkëputje të protezës valvulare, absces në zemër, si dhe insuficiencë kardiake masive me edemë dhe lëng në bark. Pas trajtimit adekuat në terapi intensive, eliminimit të mbi 20 litrave ujë të akumuluar në trup, pacienti iu nënshtrua një operacioni të dytë mbi 8 orë, i cili konsistoi në mbylljen e një dhome anormale gjigande në zemër, e krijuar nga abscesi, si dhe ri-zëvendësimin e valvulës së aortës. Pacienti sot është i ekstubuar dhe në gjendje shumë të mirë.

Pavarësisht gjykatave dhe prokurorëve, ishte një ditë e suksesshme. Edhe pse këta të fundit kanë fatin në dorë dhe mund të shkatërrojnë jetën e një njeriu, përsëri askush nuk mund të më ndajë nga lumturia kur shpëtojmë një jetë më shumë!