Kukës- Dy kosovarë janë marrë nën procedim penal nga Policia Kufitare e Morinës dhe e Kukësit, pasi u kapën duke hyrë në Shqipëri me një shumë të madhe valute, konkretisht 18 mijë franga dhe 9150 euro të padeklaruara.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Policisë Kufitare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit kosovarë E. H., 22 vjeç dhe D. H., 32 vjeç, banues në Kosovë, për veprën penale "mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë".
“Procedimi penal për këta shtetas nisi pasi në hyrje të RSh-së, gjatë kontrollit në automjetin tip "Volkswagen" me drejtues shtetasin E. H. dhe pasagjer shtetasin D. H., shërbimet e Policisë kanë gjetur 18 000 franga zvicerane dhe 9 150 euro, të cilat nuk i kishin deklaruar konform ligjeve në fuqi. Paratë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njoftoi policia vendore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Kukës, për veprime të mëtejshme, për të zbuluar origjinën e valutës dhe qëllimet përse do përdorej.