Në Shqipëri ka plasur një entuziasëm opozitar për fitoren e kryeministrit hungarez Viktor Orban. Të gjithë mendojnë se ai ngjan me Lulzim Bashën. Dhe ka disa pika të ngjashme.
Të dy janë bursistë të Sorosit. Viktor Orban i ka kërkuar në vitin 1988 përmes një letre drejtuar Xhorxh Sorosit, një bursë për në Oksford, me zotimin se do t’i përkasë një brezi të ri, që do të ndihmojë shoqërinë civile dhe liritë njerëzore të nëpërkëmbura nga komunizmi në Hungari.
Edhe Lulzim Basha ka bërë të njëjtën gjë dhjetë vite pas tij. Në vitin 1998, ai dhe gruaja e tij i kanë kërkuar Xhorxh Sorosit një bursë për studime në Holandë me të njëjtin zotim, dhe e kanë marrë.
Orban po ashtu mund të konsiderohet si brezi i dytë i liderëve antikomunistë të Hungarisë, por i bërë vetë. Lulzim Basha është formalisht i dyti, por duket, siç e portretizon një aleat i së djathtës ballkanike, se ai ngjan “si dikush që shkon në një mbledhje me vonesë dhe thotë më falni se erdha në vend të atij tjetrit”
Por Lulzim Basha ngjan dhe me kundërshtarët e Orbanit. Opozita e Lulzim Bashës dhe opozitarët e Orbanit janë njësoj të përçarë, shpresëhumbur dhe pa ide për t’u bashkuar.
Dhe ja, tani në ditët e saj më të vështira dhe më pa shpresë, opozita shqiptare po përpiqet të gjejë një shembëlltyrë fitoreje, tek një kryeministër i djathtë hungarez, i cili ka arritur të marrë mandatin e tij të tretë, pasi ka konsoliduar frymën e tij kundër futjes së emigrantëve në Hungari dhe “mbrojtjen” e Hungarisë nga të huajt, kryesisht institucionet ndërkombëtare që mbrojnë liritë njerëzore, shoqërinë civile dhe lirinë e shtypit, siç janë Komisioni Europian, OKB dhe ish- sponsori i tij i dikurshëm i studimeve, Xhorxh Soros, po ashtu një hebre i Hungarisë.
Por ajo që është interesante në Shqipëri, nuk është gëzimi fallco për fitoren e Viktor Orban, por shpikja e arsyes përse ka fituar Viktor Orban.
Të gjithë ata që duan t’i japin zemër opozitës, dhe sidomos ata që duan që Lulzim Basha t’i ngjajë vërtet Viktor Orbanit, mendojnë se historia e ngjashme e tyre me Sorosin, pra fakti që Soros u ka dhënë bursë për shkollë dhe fakti që të dy tani e sulmojnë si armik, mund ta ndihmojë Lulzim Bashën për të fituar.
E vërteta e parë e hidhur në këtë histori, është se Viktor Orban nuk fiton se ka sulmuar thjeshtë Sorosin, por se ka sulmuar Sorosin, dhe vazhdon ta sulmojë atë, për shkak se ka përqafuar një filozofi politike izolacioniste, që funksionon në Hungari, e cila është realisht kundër ideve për një shoqëri të hapur të Xhorxh Sorosit. Por këtë nuk e ka nisur si betejë kundër Sorosit, por si një identitet të ri politik. Ai u bë “delja e zezë” e Europës dhe ishte në prag të përjashtimit nga Partitë Popullore Europiane dhe Bashkimi Europian vitin e shkuar, për shkak të qëndrimeve të tij raciste kundër emigrantëve, ngritja e murit që do të “ruajë” Hungarinë nga emigrantët, dhe refuzimi i shumë politikave të Bashkimit Europian në Hungari.
Ai është i qartë si anti-europian dhe si armik i lirive njerëzore dhe lirisë së shtypit. Është modeli autokrat i liderëve të rinj antikomunistë të Europës Lindore dhe më i sinqerti, si izolacionist dhe nacionalist, prej tyre. E ka realisht që do ta mbajë Hungarinë të izoluar nga bota e jashtme dhe nga politikat e hapura për emigrantët, që përdor Europa.
Kundërshtarët e tij politik i ka shkatërruar duke shkatërruar liritë njerëzore dhe duke krijuar një shtet të super korruptuar, i cili nuk konsideron asnjë vlerësim nga organizatat ndërkombëtare, si vend i korruptuar.
Dhe për këtë ka sukses politik në Hungari.
Lulzim Basha është i lirë të bëhet si Viktor Orban, nëse ka fuqi. Është i lirë të bëhet anti-europian, të përqafojë teori nacionaliste, dhe të predikojë kundër shoqërisë civile dhe lirisë së shtypit. Vetëm se nuk ka shans të bëhet zëdhënës i politikave kundër emigrantëve, pasi në Shqipëri nuk vjen asnjë emigrant, por populli ynë është prodhues emigrantësh për Europë. Pra, në një farë mënyre, po u bë si Orban, duhet t’i bëjë thirrje Greqisë, Italisë, Gjermanisë, Francës, Anglisë e SHBA-së, të zbojë emigrantët shqiptarë. Ky është identiteti kryesor i Viktor Orban. Dhe Viktor Orban nuk i ka munguar kurrë si mik PD-së, Berishës dhe Bashës. Që në mandatin e parë ai e shpalli Berishën mik dhe e ftoi në “Internacionalen” e autokratëve lindorë, biles dhe me arsyetimin se “jemi të një gjaku” ngaqë mbretëresha jonë Geraldinë ishte nga Hungaria. Problemi i PD nuk është se nuk ka me vete Orbanin, por se nuk ka Merkelin, Makronin, McAllisterin dhe të djathtët Perëndimorë ku duam të shkojmë.
Beteja e tij kundër Soros, është anësore në identitetin e tij dhe vjen për shkak të kursit politik që ka marrë. Pra, ai është nisur të formojë një identitet të ri si nacionalist izolacionist dhe e ka formuar atë, dhe ky identitet bie ndesh mes të tjerash dhe me filozofinë e Xhorxh Sorosit. Nuk është nisur të shajë Xhorxh Sorosin, dhe pastaj të bëhet ai që është bërë.
Këshilltarët qesharakë të Lulzim Bashës në Tiranë, në fakt janë duke fshehur Viktor Orbanin, duke i treguar Lulzim Bashës “mullinjtë e erës” me të cilët duhet të luftojë. Kjo e shton dozën e dështimit të tij dhe mungesën e personalitetit si politikan.
Lulzim Basha është i lirë të bëhet si Viktor Orban dhe s’ka nevojë të shpallë armik Sorosin, se armik e bën vetë profili i tij, nëse bëhet si Orban. Kurse ky ngazëllimi se mjafton të shash Xhorxh Sorosin dhe bëhesh “fitimitar” si Viktor Orban, është njësoj sikur të thuash se mjafton të blesh prezervativ, se pastaj e ke të sigurtë që gjen të dashur. Në fakt ajo që ka bërë Orban, është se ka gjetur një herë të dashur, pra ka gjetur një herë vetëveten dhe profilin e tij si politikan anti-Perëndimor, pastaj është marrë me armikun e dashurisë së tij.
Prandaj nëse keni mëshirë për Lulzim Bashën, mos e tallni në këtë mënyrë. Lereni një herë të bëhet lider dhe të kuptoni çfarë do ai, pastaj armiqtë dhe miqtë e tij, bëhen vetë gjatë rrugës. Mos e çoni kot të blejë prezervativ!/Tema
HAAAAAAAAAAAAAAAAAAAAAAA.. Luli te bleje prezervativ,veç kjo alternative i ka mbetur.
PërgjigjuPo pse Luli eshte k*** qe te bleje prezervativ?
Përgjigju