Deputetët e grupit parlamentar të Partisë së Lirisë i janë drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë zyrtare, duke kërkuar respektimin e afateve ligjore për zbardhjen e vendimit të datës 8 prill 2026 për çështjen e Ilir Metës.

Në letrën drejtuar kryetares dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e PL-së, Tedi Blushi, Edmond Haxhinasto, Erisa Xhixho, dhe Brunilda Haxhiu thonë se çështja Meta ka rëndësi të lartë publike dhe kushtetuese, ndaj sipas tyre Gjykata Kushtetuese, duhet të publikojë vendimin e arsyetuar brenda afateve të parashikuara nga ligji.

Sipas deputetëve të opozitës çdo vonesë e pajustifikuar do të cenonte sigurinë juridike, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe besimin te drejtësia kushtetuese.

“Çdo vonesë e pajustifikuar në zbardhjen e vendimit, në kundërshtim me afatet e përcaktuara nga ligji, do të përbënte cenim të standardeve të një procesi të rregullt ligjor, të parimit të sigurisë juridike, si dhe të vetë besueshmërisë së drejtësisë kushtetuese. Duke vlerësuar rolin dhe përgjegjësinë e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e Kushtetutës dhe e të drejtave themelore, shprehim pritshmërinë që zbardhja e vendimit të kryhet brenda afateve ligjore të përcaktuara”, thuhet në kërkesën e Partisë së Lirisë.

Më 8 prill, Gjykata Kushtetuese rrëzoi me shumicë votash ankimin e Ilir Metës, i cili kërkonte shpalljen antikushtetuese të masës “arrest me burg” dhe kundërshtonte mënyrën e ekzekutimit të saj.

Sipas Kushtetueses, masa e sigurisë e caktuar nga GJKKO ishte vendosur për një qëllim të ligjshëm dhe nuk ishte joproporcionale. Muajin e shkuar, Gjykata rrëzoi gjithashtu pretendimet e Metës për veprime arbitrare gjatë arrestimit, duke argumentuar se ato po shqyrtohen në instanca të tjera dhe në Prokurorinë e Tiranës.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, pas hetimeve të SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.