Mosbindja civile, Kisha Katolike: Dhuna e papranueshme! Apel i fortë dhe për qeverinë

Mosbindja civile, Kisha Katolike: Dhuna e papranueshme! Apel i fortë dhe për qeverinë

Imzot George Frendo, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Kisha Katolike Shqiptare ka reaguar zyrtarisht për situatën e tensionuar në vend pas arrestimeve, protestave dhe thirrjeve për mosbindje civile. Kisha Katolike dënon dhunën ndaj personave, institucioneve, objekteve private apo shtetërore. Në reagim i bëhet apel qeverisë shqiptare të gjejë rrugët e duhura për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë.

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë po ndjek me kujdes zhvillimet e fundit në vendin tonë. Në mënyrë të veçantë në fokusin tonë kanë qenë ngjarjet që kanë ndodhur në qytetin e Kukësit si pasojë e protestës së qytetarëve për taksën e Rrugës së Kombit.

Me shpresë se do të japim kontributin tonë si pjesëmarrës në jetën sociale dhe shpirtërore të vendit ne deklarojmë sa më poshtë:

Së pari, mbështesim çdo nismë civile që kërkon të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve. Është e drejtë e çdokujt që kur i duket e arsyeshme, të protestojë e të thotë fjalën e tij, vetëm apo i mbledhur së bashku me të tjerë.

Se dyti ne dënojmë si moralisht të papranueshme çdo sjellje dhune ndaj personave, institucioneve, objekteve private apo shtetërore. Dhuna nuk është kurrë zgjidhje dhe ne bëjmë apel që ajo të shmanget në çdo nismë të ligjshme për kërkimin e të drejtave personale apo komunitare. “Kisha nuk mund të pranojë dhunën …. sepse dhuna sjell gjithmonë dhunë dhe prodhon në mënyrë të pashmangshme forma të reja të shtypjes dhe të skllavërisë, më të rënda se ato që ajo pretendonte të çlironte” (Papa Pali VI).

Së treti ne u bëjmë apel institucioneve shtetërore të gjejnë rrugët e duhura për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë. Jemi të vetëdijshëm se rrugët, apo çdo objekt që ka të bëjë me të mirën e përbashkët, kanë nevojë për mirëmbajtje dhe kjo duhet bërë. Por gjithashtu, sikurse e kemi shprehur edhe në letrën tonë për Krishtlindjet e vitit 2017, duhet kujdes ndaj personave, grupeve shoqërore dhe zonave që janë më në nevojë. Duhet të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë që hendeku i krijuar midis të pasurve dhe të varfërve të ngushtohet, sidomos i atyre të zonave të thella e periferike. 

Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë