RUSI- Moska dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Uashingtonin, duke i dhënë fund edhe një lufte sanksionesh me Perëndimin. Këtë e tha ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë një interviste për televizionin rus Channel 5 TV. “Ne jemi absolutisht të interesuar për normalizimin e marrëdhënieve tona, por nuk ishim ne ata që e shkaktuam këtë. Ne nuk kemi asnjë dëshirë për të vazhduar këtë luftë sanksionesh me përballje të fuqive tregtare”.
 
Por Lavrov shtoi se pavarësisht sanksioneve, Rusia nuk e ndjen veten të izoluar në skenën botërore duke shtuar se këto mosmarrëveshje do të vijnë në një fund. “Unë nuk mund të them datën, muajin apo vitin kur do të ndodhë...Por mendoj se do të zgjasë për ca kohë. Gjëja më e rëndësishme është që partnerët tanë t’i japin fund ultimatumeve dhe kërcënimeve”.
 
Lavrov rikujtoi një ngrohje të marrëdhënieve SHBA-Rusi, të cilat u dëmtuan nga një sërë përplasjesh, së fundmi në lidhje me situatën në Ukrainë. Sapo Obama mori detyrën në vitin 2009, sekretarja e shtetit Hillary Clinton sinjalizoi një fund të marrëdhënieve të tensionuara mes dy vendeve gjatë kohës së paraardhësit të Obamës, George Bush.
 
Ndërsa, këtë vit, marrëdhëniet mes tyre u goditën në pikën e tyre më të lartë që prej Luftës së Ftohtë, me aneksimin e Krimesë nga Rusia. Në lidhje me këtë, Lavrov tha se ‘në sajë të iniciativave të presidentit rus’, situata është përmirësuar dukshëm në Ukrainë, ku që prej 5 shtatorit është vendosur një armëpushim.
 
Gjatë intervistës, Lavrov përsëriti edhe kritikën ruse të fushatës ajrore të udhëhequr nga SHBA kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik në Siri, duke thënë se Uashingtoni ishte fajtor për një “standart të dyfishtë” në refuzimin e një bashkëpunimi me presidentin sirian Bashar Al Assad, çka ka çuar edhe në këtë situatë ku jemi sot.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)