MOSKË, 2 shtator /ATSH-AFP/ - Presidenti rus, Vladimir Putin dha miratimin e tij për një version të ashtuquajtur "super të rëndë" të raketës së gjeneratës së re "Angara", me një kapacitet nga 120 deri në 150 tonë, njoftoi sot zëvendëskryeministri Dmitri Rogozine.
"Sot, ne mund të themi se presidenti ka dhënë dritën e gjelbërt për këtë projekt", njoftoi Rogozine, cituar nga agjencia ruse e lajmeve "Interfax".
"Kjo nënkupton se pasi kishte përmirësuar serinë e raketës 'Angara', me rreze të shkurtër, të mesme dhe të rëndë veprimi, ne kemi arritur të prodhojmë raketa të një kategorie tjetër, jo shtatë, 15 apo 25 tonë, por 120-150 tonë", theksoi ai duke shtuar se këto raketa do të përfundonin në vitin 2020.
Raketa "Angara", paraqitur si e para që është zhvilluar nga Rusia që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, pritet të zëvendësojë raketën "Proton", që ka pësuar dështime këto vitet e fundit. Ajo u lëshua për herë të parë në muajin korrik, pak pas dështimit të një prove të parë në fund të muajit qershor.
Cilësuar nga kryeministri, Dmitri Medvedev si raketë me rëndësi strategjike, "Angara" do t'i mundësojë gjithashtu Moskës të reduktojë varësinë ndaj kozmodromit të Bajkonurit, në Kazakistan./
/ec/  a.jor.