Moti i keq në vend, me reshje shiu e erëra të forta kanë shkaktuar problematika në Shkodër e Lezhë.
Në Shkodër, era e fortë ka rrëzuar disa pemë duke krijuar pengesa në qarkullim në unazën perëndimore të qytetit, pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, si edhe në disa rrugë të tjera.
Ekipet e bashkisë kanë pastruar zonat e prekura dhe kanë rikthyer qarkullimin normal.
Situata më problematike paraqitet në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku janë evidentuar dëmtime të çatisë së shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe të disa banesave, si dhe dëmtime në rrugët rurale nga prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave.
Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative.
Në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë evidentuar rënie gurësh dhe prurje inertesh, po vijohet me pastrimin e akseve. Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, ndërsa aksi është i kalueshëm.
Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, nivelet e ujit mbeten nën kuotat e rrezikut dhe nuk raportohen problematika në veprat ujore.
Prej mbrëmjes së kaluar, qyteti i Pukës dhe fshtrat Qafë Mali, Gjegjan e Rrapë, gjenden pa furnizim me energji elektrike për shkak të defekteve në linja.
Linja 35 kv që lidh nënstacionin e Fushë-Arrëzit me Pukën është jashtë funksionit, një defekt që ndodh për të dytën herë në një javë. Jashtë funksionit ndodhet edhe linja e emergjencës Koman-Pukë.
Reshjet e shiut dhe era kanë përfshirë edhe Lezhën që prej pasdites të së dielës, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji.
Lajm në përditësim...
.jpeg)
Prurjet e ujit në hidrocentralin e Komanit janë 800 metra kub në sekondë, ndërsa në Fierzë 250 metra kub në sekondë. Megjithatë, nga asnjëri prej tre hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit nuk po kryhen shkarkime uji.
Sipas të dhënave të publikuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), këtë të hënë në orën 11:30, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 261.09 metra mbi nivelin e detit, në Koman 173.28 metra dhe në Vaun e Dejës 74.16 metra.
Ndërkohë, prurjet natyrore në hidrocentralin e Vaut të Dejës janë 50 metra kub në sekondë.
Sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, të tre hidrocentralet prodhojnë gjithsej 15,100 MWh në ditë.
KESH bën të ditur se do të vijojë të informojë publikun dhe autoritetet përgjegjëse për situatën në Kaskadën e Drinit.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka dhënë informacion mbi situatën në Spitalin e Pukës, pas dëmtimeve të reja të shkaktuara nga stuhia e mbrëmshme në çatinë e urës lidhëse mes Urgjencës dhe godinës së spitalit.
Pavarësisht ndërhyrjes së kryer gjatë ditës së djeshme për zëvendësimin e çatisë, reshjet intensive gjatë natës kanë sjellë dëmtime të tjera në këtë strukturë.
Sipas njoftimit, institucioni po ndjek nga afër situatën dhe ka marrë masat e nevojshme për riparimin e dëmeve.
Ndërkohë, Spitali Bashkiak i Pukës vijon punën normalisht, me të gjitha shërbimet shëndetësore që ofrohen pa ndërprerje.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëmtime në ambientet e Spitalit të Pukës, ku si pasojë e motit të keq ka rënë një pjesë e mbulesës prej llamarine të korridorit lidhës që bashkon Urgjencën dhe Poliklinikën me godinën e spitalit.
Nga rënia e llamarinave është dëmtuar edhe një prej autoambulancave të shërbimit spitalor, e cila ndodhej e parkuar.
Fatmirësisht, uji nuk ka depërtuar brenda korridorit lidhës, pasi struktura është e pajisur edhe me soletë mbrojtëse.
Problematika është përsëritur, pasi vetëm pak ditë më parë kjo pjesë e mbulesës kishte pësuar dëmtime të pjesshme, për riparimin e të cilave kishte ndërhyrë kompania e sigurimit.
Reshjet e shiut që kanë vijuar prej disa ditësh në verilindje të vendit nuk kanë sjellë ende ndryshim të ndjeshëm në prurjet e kaskadës së lumit Drin, ndërsa në hidrocentralin e Fierzës situata paraqitet e qëndrueshme.
Rezerva hidrike në liqen po ruhet, teksa aktualisht nuk ka prodhim energjie dhe as shkarkime. Pamjet e siguruara nga Report Tv, tregojnë se turbinat në digën e hidrocentralit të Fierzës janë jashtë funksionit. Prurjet në ujëmbledhësin më të madh të kaskadës së Drinit janë rreth 250 metra kub në sekondë, një nivel që duket se nuk po shfrytëzohet për prodhim energjie, në një situatë ku po synohet ruajtja e rezervës ujore.
Sipas të dhënave të HEC-it Fierzë, fuqia aktive e prodhimit është zero dhe asnjë agregat nuk është në punë. Sipas burimeve nga hidrocentrali, njëri prej agregateve ndodhet në remont, ndërsa aktualisht nuk raportohet prodhim energjie nga hidrocentrali.
Në këto kushte, niveli i liqenit të Fierzës ka arritur në 261.02 metra mbi nivelin e detit. Një javë më parë, niveli ishte 255.69 metra, duke shënuar një rritje prej rreth 5.3 metrash në këtë periudhë.
Pavarësisht reshjeve të ditëve të fundit në zonat e verilindjes, rezervat ujore në Fierzë mbeten një element i rëndësishëm për administrimin e energjisë në kaskadën e Drinit, veçanërisht në prag të sezonit dimëror, kur kërkesa për energji pritet të rritet.
Niveli: 261.02 m
Fuqia aktive: 0 MW
Agregat ne punë: 0
Prurjet mesatare: 250 m³/sek.
Në aksin rrugor në Qafë Thore është ndërhyrë për pastrimin e borës dhe përmirësimin e kushteve të qarkullimit. Në zonë raportohet prani e një sasie të vogël dëbore në rrugë, ndërsa mjetet borëpastruese po punojnë për largimin e saj për garantimin e lëvizjes sa më të sigurt për drejtuesit e automjeteve.
Të paktën katër fshatra të njësisë administrative Trebinjë, në Pogradec, kanë mbetur pa energji elektrike pas reshjeve të shiut dhe erës së fortë gjatë natës. Ndërprerja ka prekur Çezmën e Madhe, Çezmën e Vogël, Hondishtin dhe Llëngën.
Probleme me furnizimin ka edhe në njësinë administrative Velçan, ku era e fortë ka dëmtuar përcjellësit e rrjetit elektrik. Mes fshatrave pa energji janë Bishnica, Jolla, Velçani, Buzaishta dhe Shpella.
OSHEE bën me dije se disa ekipe ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e dëmtimeve dhe rikthimin e furnizimit me energji.
Zona mbeti pa energji edhe rreth një javë më parë për më tepër se 48 orë, për shkak të kushteve të motit.
Moti i keq me reshje shiu ka përfshirë Qarkun e Kukësit, duke shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në disa zona të bashkive Kukës, Has dhe Tropojë. Sipas raportimit të situatës deri në orën 08:50 të mëngjesit të kësaj të hëne, në territorin e qarkut nuk raportohen reshje, ndërsa gjatë natës ato janë shoqëruar me erë të fortë.
Si pasojë e reshjeve të regjistruara gjatë orëve të fundit, rrugët nacionale dhe ato bashkiake vijojnë të jenë të ekspozuara ndaj rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimit të ujërave. Megjithatë, të gjitha akset rrugore nacionale janë aktualisht të kalueshme, ndërsa subjektet kontraktore vijojnë punën për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Problematika kryesore mbetet furnizimi me energji elektrike, pasi disa zona të qarkut vijojnë të jenë pa energji.
Në bashkinë Kukës, ndërprerje janë raportuar në zonën industriale të qytetit, si dhe në njësitë administrative Malzi, Tërthore, Kolsh, Surroj, Topojan, Shishtavec dhe Zapod.
Në bashkinë Tropojë, pa energji elektrike janë Njësia Administrative Margegaj, qyteti i Fierzës dhe lagjja Geg Hysen në qytetin e Bajram Currit.
Ndërsa në bashkinë Has, ndërprerje janë raportuar në Njësinë Administrative Fajza, në fshatrat Kishaj dhe Pogaj të Njësisë Administrative Gjinaj, si dhe në spitalin dhe ujësjellësin e qytetit të Krumës. Ndërkohë nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk ka raportime për problematika të tjera.
Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, ai vijon të realizohet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.
Reshjet e shiut të shoqëruara me erë të fortë kanë përfshirë rajonin e Lezhës që prej pasdites së së dielës, duke shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në disa zona të qytetit dhe në njësitë përreth.
Si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, ndërprerje të energjisë elektrike janë regjistruar në një pjesë të qendrës së Lezhës, si dhe në disa fshatra të rajonit.
Ndërkohë, grupet e punës të OSHEE-së janë angazhuar në terren për të evidentuar defektet e shkaktuara nga reshjet dhe era, si dhe për të vlerësuar problematikat në rrjetin elektrik.
Punonjësit po punojnë për identifikimin e pikave problematike dhe kryerjen e ndërhyrjeve të nevojshme me qëllim rikthimin e furnizimit me energji elektrike për abonentët e prekur.








Komente
Komento