Një peshkatar është gjetur i mbytur në Kënetën e merxhanit në zonën e Kunës në Shëngjin. Viktima Viktor Gjergji 49-vjeç nga Shëngjini kishte dalë për të peshkuar që prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës, por nuk është rikthyer në shtëpi.

Humbja e kontakteve me të ka vënë në alarm familjarët e tij të cilët kanë njoftuar policinë. Këta të fundit janë vënë në lëvizje menjëherë, duke kontrolluar zonën ku kishte dalë për peshkim 49-vjeçari, duke e gjetur atë të mbytur në ujërat e Lagunes.

Trupi i viktimës është nxjerrë menjëherë nga uji dhe është dërguar me autoambulancë në morgun e Spitalit të Lezhës. Duke ju referuar faktit se thellësia e ujit ku është gjetur viktima nuk ishte më shumë se 70 cm, dyshimet e para janë se ai mundur të ketë gjetur vdekjen si pasojë e ndonjë ataku kardiak.

Policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, ndërsa do të jetë ekspertiza mjeko ligjore në trupin e viktimës e cila do të përcaktojë edhe shkaqet e vërteta të vdekjes së tij. 49-vjeçari Viktor Gjergji e kishte pasion peshkimin dhe shpesh herë peshkonte në mënyrë amatore në Lagunën e Mërxhanit në Lezhë. 


Redaksia online
(shqiptarja.com)