Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ndodhen në terren, në Durrës, për të ndjekur nga afër menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Salla tha se strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive. Ai theksoi se bashkëpunimi me Emergjencat Civile dhe pushtetin vendor është i vazhdueshëm, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe funksionimin normal të infrastrukturës bujqësore.
Ministri bëri të ditur se hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë për thithjen e ujit në zonat ku është konstatuar prania e tij, ndërsa monitorimi i situatës po vijon në kohë reale. Sipas tij, prioritet mbetet menaxhimi i përmbytjeve në kushtet e reshjeve intensive që kanë prekur zonën.
Monitorimi i situatës do të vijojë edhe në orët dhe ditët në vijim, në varësi të kushteve të motit, ndërsa strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati në Mifol, niveli arrin në 9 m! Aksi Qukës-Qafë Plloçë bllokohet plotësisht nga rrëshqitja e dherave! Përmbytje në Pogradec e Obot






