Moti i keq me reshje shiu ka përfshirë Qarkun e Kukësit, duke shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në disa zona të bashkive Kukës, Has dhe Tropojë. Sipas raportimit të situatës deri në orën 08:50 të mëngjesit të kësaj të hëne, në territorin e qarkut nuk raportohen reshje, ndërsa gjatë natës ato janë shoqëruar me erë të fortë.
Si pasojë e reshjeve të regjistruara gjatë orëve të fundit, rrugët nacionale dhe ato bashkiake vijojnë të jenë të ekspozuara ndaj rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimit të ujërave. Megjithatë, të gjitha akset rrugore nacionale janë aktualisht të kalueshme, ndërsa subjektet kontraktore vijojnë punën për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Problematika kryesore mbetet furnizimi me energji elektrike, pasi disa zona të qarkut vijojnë të jenë pa energji.
Në bashkinë Kukës, ndërprerje janë raportuar në zonën industriale të qytetit, si dhe në njësitë administrative Malzi, Tërthore, Kolsh, Surroj, Topojan, Shishtavec dhe Zapod.
Në bashkinë Tropojë, pa energji elektrike janë Njësia Administrative Margegaj, qyteti i Fierzës dhe lagjja Geg Hysen në qytetin e Bajram Currit.
Ndërsa në bashkinë Has, ndërprerje janë raportuar në Njësinë Administrative Fajza, në fshatrat Kishaj dhe Pogaj të Njësisë Administrative Gjinaj, si dhe në spitalin dhe ujësjellësin e qytetit të Krumës. Ndërkohë nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk ka raportime për problematika të tjera.
Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, ai vijon të realizohet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Era e fortë rrëzon pemët në Shkodër, dëmtohet shkolla 9-vjeçare në Iballë dhe disa banesa! Ndërpritet energjia elektrike në disa zona e në Lezhë (VIDEO)







