Reshjet e dendura të shiut dhe prurjet e paparashikuara nga lumenjtë kanë çuar dy hidrocentrale të kaskadës së Drinit pranë kuotave maksimale, duke detyruar KESH të nisë shkarkimet e kontrolluara.
Hidrocentrali i Fierzës ndodhet aktualisht në kuotën 280 metra, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal, ndërsa në hidrocentralin e Komanit kanë nisur shkarkimet nga dy porta.
Shkarkimet janë diktuar nga prurjet anësore, ku lumi Valbonë po sjell sasi uji të konsiderueshme dhe të paparashikuara.
Në hidrocentralin e Vaut të Dejës është hapur vetëm një turbinë e cila po shkarkon 500 metër kub ujë për sekondë.
Ndërkohë, moti i keq ka ndikuar edhe në transportin detar.
Pas disa orësh qëndrimi në det të hapur për shkak të erës së fortë dhe kushteve të vështira atmosferike, trageti me destinacion Brindisin është ankoruar në Portin e Vlorës, është imbarkuar dhe më pas është nisur drejt Italisë.
Trageti nuk mundi të ankorohej në kalatat e Portit të Vlorës, për shkak të rrezikut të përplasjes. Rreth 800 pasagjerë me 150 automjete janë imbarkuar për të udhëtuar nga Vlora në drejtim të Pulias. I mbetur pezull në det, trageti ishte bosh, pasi nga Brindisi në Vlorë ka mbërritur parmbrëmë dhe pasagjerët janë zbarkuar. Për shkak të detit me dallgë, trageti nuk u nis dje.
Po ashtu, moti i keq gjatë mbrëmjes së djeshme ka penguar një traget të nisej nga Durrësi drejt Barit. Por, situata u normalizua ditën e sotme pasi lundrimi i trageteve Durrës-Bari dhe anasjelltas ka vijuar normalisht.
Sot mbërriti në portin e Durrësit trageti Rigel VII dhe u nis rreth orës 13.00 për në Bari të Italisë me 691 pasagjerë dhe 133 automjete. Ndërkohë ka mbërritur edhe trageti Rigel III bosh i cili do të niset në mbrëmje për në Bari. Rreth orës 15.00 mbërrin trageti MIA i cili do të niset për në Ankona në orën 19.00. Ndërkohë pritet të mbërrijë në mesnatë trageti GNV i cili më pas do të niset për në Bari.
Situata paraqitet problematike edhe në veri të vendit. Për shkak të reshjeve të dendura, Përroi i Thatë në Malësi të Madhe ka dalë nga shtrati, duke përmbytur rrugë dhe toka bujqësore. Në fshatin Kamicë janë shënuar dëmtime në rrugën që kalon mbi përrua, duke vështirësuar qarkullimin mes fshatrave Kamicë–Flakë. Në qytetin e Koplikut ka pasur prani uji në rrugë, por situata paraqitet në përmirësim pasi uji po tërhiqet gradualisht.
Në zonat malore vijojnë reshjet e dëborës. Segmenti Bogë–Theth, veçanërisht në zonën e Qafë Thores, kalohet me vështirësi, ndërsa në aksin Hani i Hotit–Dogana e Vermoshit ka pasur rënie inertesh dhe po punohet për pastrimin e rrugës. Disa fshatra në bashkitë Shkodër, Vau i Dejës dhe Fushë-Arrëz kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa ekipet e OSHEE-së ndodhen në terren për riparimin e rrjetit.
Reshjet e dendura të shiut dhe prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit pranë kuotave maksimale, duke detyruar KESH të nisë shkarkimet e ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës. Në këtë të fundit, është hapur vetëm një turbinë e cila po shkarkon 500 metër kub ujë për sekondë.
Ndërkohë, niveli i ujit është i lartë edhe në hidrocentralin e Komanit, ku kanë nisur shkarkimet nga dy porta, për të menaxhuar rritjen e prurjeve dhe për të shmangur tejkalimin e kuotave të sigurisë.
Sipas burimeve, shkarkimet janë diktuar kryesisht nga prurjet anësore, ndërsa lumi Valbona po sjell sasi të konsiderueshme uji në sistem.
Hidrocentrali i Fierzës ndodhet aktualisht në kuotën 280 metra, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i lejuar, duke vijuar operimin në parametra të kontrolluar.
Autoritetet po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë kaskadën e Drinit, për të garantuar sigurinë e veprave energjetike dhe zonave përreth.
Moti i keq ka shkaktuar përmbytje në veri të vendit, ku niveli i lartë i ujit i ka bërë rrugët të pakalueshme.
Në një prononcim për Report TV, nënprefekti i Malësisë së Madhe, Hysen Hysaj, i cili thotë se situata është problematike, sidomos në Koplik. Në Përroin e Thatë në fshatin Kamicë, ku edhe ndodhet, shihet qartazi gjendja e vështirë dhe sipas Hysajt, zgjidhja e vetme është një urë.
“Duke qenë që realisht ka pasur intensitet shumë të lartë të reshjeve, ka qenë shumë problem Kopliku, qendra e lagjet e Koplikut ku ka pasur prezencë shumë të madhe të ujit, detyrimisht edhe nëpër fshatra, sidomos përrenjtë. Këtu jemi te përroi Kamicë që është çdo herë problematik që bien reshje shiu dhe zgjidhja është me një urë beli kështu që do të bëjmë çdo gjë të mundur që të lidhemi me Ministrinë e Mbrojtjes. Këtu nga momenti që do të pushojë dhe do të ndalet uji, duhet të bëhet vetëm një mbushje për të bërë lidhjen e dy lagjeve”, tha Hysaj.
Nga ana tjetër e përroit shihet një banor që s’mund të kalojë. Nënprefekti shpjegon se për momentin po përdoret një rrugë alternative. Kur niveli i ujit të bjerë, do të bëhet mbushja e përroit.
“Po përdorin një rrugë të vjetër atje, por nuk është e përshtatshme, alternative për të dalë në njësinë Kastrat, por ajo është e përkohshme se është zgjidhje momentale. Them që nga darka e dreka uji do të bjerë dhe në bashkëpunim me Emergjencat Civile do të bëjmë mbushjen që të bëhet i mundur aksesimi i rrugës”, përmbyll ai.
Moti i keq ka shkaktuar anulimin e lundrimit për një nga dy tragetet që do të nisej nga porti i Durrësit drejt Barit të Italisë mbrëmjen e 4 janarit.
650 udhëtarët e prekur nga kjo situatë janë asistuar nga kompanitë përkatëse, të cilat kanë marrë masat për ridrejtimin e tyre me nisjet pasuese. Pasagjerët janë njoftuar pasdite për të mos iu drejtuar portit dhe pritet të nisen në drekë.
Autoriteti Portual i Durrësit bën me dije se situata aktuale e lëvizjes së trageteve për ditën e sotme është si më poshtë:
-Trageti “Rigel VII” mbërrin në Portin e Durrësit në orën 11:00 dhe do të niset në orën 13:00.
-Trageti “Rigel V” pritet të mbërrijë rreth orës 15:00 dhe do të niset rreth orës 23:00.
-Trageti “Rigel III” parashikohet të mbërrijë rreth orës 21:00 dhe do të niset pas mesnatës.
-“GNV Cristal” është planifikuar të niset në orën 23:00.
Autoriteti Portual Durrës vijon të monitorojë me vëmendje situatën meteorologjike dhe lëvizjen e mjeteve detare, në bashkëpunim të ngushtë me kompanitë lundruese dhe autoritetet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së operacioneve portuale.
Vlorë - Prej disa ditësh vendi ynë është i përfshirë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Kështu gjatë orëve të natës si pasojë e erës së fortë në zonën e Llogarasë disa pemë janë rrëzuar duke shkaktuar edhe bllokimi të këtij segmento rrugor.
Era e fortë që ka fryrë gjatë natës në jug të vendit ka shkaktuar rënien e disa pemëve, të cilat për pasojë kanë bllokuar rrugën e Llogarasë.
Nga ana tjetër si pasojë e rrëzimit të pemëve mbi linjat elektrike, zona e Llogarasë ka mbetur pa energji elektrike.
Grupet e punës ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit, ndërsa ekipet e OSHEE-së janë angazhuar për rikuperimin e furnizimit me energji elektrike.
Komente










