Moti me borë, 5 urgjenca
në ditë me helikopte

Moti me borë, 5 urgjenca <br />në ditë me helikopte
Muaji shkurt ka qenë edhe më i ngjeshuri. Albert Xhafaj, shef i njësisë së transportit mjekësor me helikopter, në një intervistë për "Shqiptarja.com", na shpjegon se sa telefonata marrin në ditë për të dërguar njerëzit e izoluar nga bora në spital dhe si ia dalin ata të mos dështojnë në asnjë mision. Ai na thotë se gjatë këtyre ditëve, kanë udhëtuar që nga fshatrat e thellë të Tiranës e deri në Sarandë, Ballsh, Kukës e Tropojë.
Në këto kohë kur një pjesë e madhe e Shqipërisë është izoluar nga i ftohti, ju a keni pasur shumë emergjenca shëndetësore?
Gjatë gjithë muajit janar kemi pasur shumë emergjenca. Kemi pasur rreth 38 emergjenca për janarin, ndërsa tani në shkurt, kur edhe moti është përkeqësuar në të gjithë vendin, janë rritur edhe numri i emergjencave. Kemi arritur më shumë se 2-3 në ditë, madje të shtunën kemi bërë 5 emergjenca.
A arrini ta përballoni gjithë këtë fluks?
Patjetër. Ne për momentin kemi dy helikopterë, deri tani kishim tre, por njërin e dërguam për servis. Dhe janë të përballueshme për të tilla rastesh.
Nga cilat zona janë më të shpeshta emergjencat mjekësore?
Kryesisht janë në zonën verilindore, por kemi marrë telefonata nga i gjithë vendi. Këto ditët e fundit kemi pas emergjenca në komunën e Fanit, në Pult, në Shoshaj, në Kukës, në Peshkopi në Sarandë, në Ballsh. Vetëm këto gjashtë ditë ne kemi bërë 23 emergjenca. Madje edhe sot kemi qenë në Gimaj, dje ishim më Shalë, në komunën e Thethit.
Çfarë problemesh kishin personat që kanë kërkuar të transportohen me helikopter?
Vetëm gjatë janarit kemi pasur dy raste të grave shtatëzanë, ndërsa të tjerët kanë qenë sëmundje të natyrave të ndryshme.
Dhe ku i dërgoni ata?
Kryesisht i kemi dërguar në Shkodër, e kam fjalën për emergjencat e muajit shkurt, dhe pjesën tjetër në QSUT dhe te Spitali Ushtarak.
Duke qenë se vendi është përfshirë nga një mot i keq, a kanë pasur vështirësi në fluturime pilotët tuaj?
Sigurisht që nuk mund të flasim për kushte të favorshme. Fryn erë e fortë, bie borë dhe ka shumë mjegull. Sot në grykën e Thethit era ishte me 15 metra/sekondë, ose 80 km/orë. Nëse helikopteri fluturon me 200 km/orë, për shkak të erës, ecën me 120 km/orë. Por falë përgatitjes që ka i gjithë stafi, asnjë prej misioneve të emergjencës nuk ka dështuar.
A ju ka ndodhur t'ju kenë njoftuar kot?
Jo, sepse sistemi i lajmërimit tashmë është i mirë kontrolluar. Mjeku ose infermieri i zonave të thella, kontakton me spitalin rajonal, ata marrin ministrin e shëndetësisë, Petrit Vasili, ose drejtorin e spitaleve, Petro Mersini, dhe vetëm këta të dy mund të na japin urdhër neve që të nisemi për një mision.
A keni pasur vështirësi në ulje?
Ka pasur raste, pasi edhe ne kemi kufizimet tona. Kështu nëse era fryn deri në 20 metra për sekondë ne nuk na lejohet të fluturojmë. Ne kemi shkuar deri te limiti, 18 metra në sekondë. Mund të konsiderohet si aventurë, por ne kemi arritur t'ia dalim mbanë falë eksperiencës shumëvjeçare. Dhe i sëmuri është dërguar pranë spitalit dhe ka marrë ndihmën e duhur.
Përveç të sëmurit a merrni person tjetër me vete?
Mund të marrim herë pas here edhe të afërmit e pacientëve.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)