TIRANE - Dikush e ka përgatitur këtë skenar. Kështu shprehet motra e Begzim Isës, 20-vjeçarit të arrestuar nën akuzën e rrëmbimit të një të mitur me qëllim trafikimin drejt Kosovës, e ftuar në emisionin Urbanika. Mirjana Isa ka hedhur poshtë çdo akuzë, edhe në lidhje me çështjen e hapur ndaj vëllait të saj si i përfshirë edhe në zhdukjen e Bleona Matës, vogëlushes 6-vjeçare e cila më 22 maj të 2010-ës humbi çdo gjurmë teksa kulloste bagëtitë në mal me 5 vajza të tjera të afërme të saj.

Motra e Begzimit, shprehet se vëllai i saj nuk ka lidhje me këto dy histori. E tronditur dhe e irrituar nga kjo ngjarje, ajo kërkon përgjigje se kush fshihet pas skenarit të arrestimit të vëllait të saj, pasi siç thekson ajo asnjë akuzë ndaj tij nuk qëndron.

Ajo hedh akuza ndaj uniformave blu se kanë ushtruar dhunë ndaj vëllait të saj në ambientet e komisariatit.

“Kush e ka bërë këtë plan për të hyrë vëllai im në burg... Dikush e ka përgatitur këtë skenar... Begzimi është në gjendje shumë të keqe fizike, është i tronditur kur e ka parë veten se çfarë akuzash i kanë vënë.. ai nuk ka pasur lidhje”, thotë ajo.

Teksa policia në versionin e saj zyrtar ka deklaruar se i mituri me inicialet A.F është gjetur i dhunuar në shtëpinë e 20-vjeçarit, motra e tij thotë se i mituri nuk ka qenë në asnjë moment në shtëpinë e tij. Ajo tregon një tjetër version të ngjarjes: I mituri po zihej me një fëmijë tjetër, dhe im vëlla i ka ndarë”, -shprehet ajo, Madje Mirjana përgënjeshtron sërish policinë kur thotë se nuk ka pasur një denoncim nga ana e babait të të miturit për zhdukjen e tij.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)