TIRANË, 26 Shtator/ATSH/.- Ministria e Punëve të Jashtme reagoi sot, ndaj deklaratës së PD-së lidhur me aktivitetin e Ministrit Ditmir Bushati në OKB.
Pasi u njoh me deklaratën e ardhur nga selia e PD-së për gjoja bojkot të Ministrit të Jashtëm ndaj Presidentit të Republikës, gjatë mbajtjes së fjalës së këtij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, Ministria e Punëve të Jashtme sqaroi opinionin publik përmes një njoftimi për shtyp.
"Ministri Bushati, gjatë pjesëmarrjes së tij në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka pasur një axhendë të ngjeshur diplomatike shumëpalëshe dhe dypalëshe edhe për shkak të zhvillimeve të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare dhe sfidave të sigurisë globale, sikundër faktit që Shqipëria drejton disa nisma rajonale", thuhet në njoftim.
Gjatë mbajtjes së fjalës së Presidentit te Republikës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri Bushati, së bashku me homologët e vendeve të rajonit, ka marrë pjesë në mbledhjen e thirrur nga Asistentja e Sekretarit të Shtetit amerikan, Viktoria Nuland, takim i cili identifikoi rrugët dhe instrumentet e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër terrorizmit dhe fenomenit të luftëtarëve të huaj, si detyrim i krijuar nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, ku Shqipëria është bashkë-sponsorizuese.
"Përpara se të përbaltin politikën e jashtme dhe të akuzojnë qeverinë për mungesë respekti ndaj Presidentit të Republikës, PD do të bënte mirë të konsultohej me kreun e shtetit, i cili është informuar për zhvillimin e takimit të Ministrave të Jashtëm të rajonit me Asistent Sekretaren e Shtetit, Viktoria Nuland dhe rëndësinë e posaçme të këtij takimi pas seancës së zhvilluar në Këshillin e Sigurimit, ku Shqipëria u përfaqësua si pjesë e koalicionit ndërkombëtar, të kryesuar nga SHBA, në luftën kundër terrorizmit", thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ-së.
Ministria e Jashtme bëri të ditur se, në pamundësi të Ministrit të Punëve të Jashtme për të ndjekur fjalën e Presidentit të Republikës në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me porosi të Ministrit, Presidenti ka qenë i shoqëruar nga pjesa tjetër e delegacionit përfshirë Ambasadorin tonë pranë OKB-së dhe Drejtoren e Përgjithshme të Marrëdhënieve Shumëpalëshe në MPJ, të cilët kanë kontribuar në përgatitjen e fjalës dhe paraqitjes së Presidentit në OKB.
"Gjithashtu informojmë opinionin publik se pjesëmarrja e Presidentit të Republikës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si dhe takimet dypalëshe, janë përgatitur dhe bashkërenduar nga Ministria e Punëve të Jashtme", përfundon njoftimi për shtyp i MPJ-së./m.m/