PRISHTINE, 19 Dhjetor/ATSH/-Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka zgjedhur top-bizneset të cilat kanë kontribuuar në krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e bilancit tregtar, duke rritur eksportin.
Top-ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), më konkurrente në nivel nacional për vitin 2014, u shpallen Ndërmarrja "GLAVBOLGARSTROY", dega në Kosovë, e cila mori vendin e parë, Kompania " ELI - AB" nga Ferizaj vendin e dytë dhe "FLUIDI" SH.P.K. Gjilan vendin e tretë. Ndërsa top-eksportuesi për vitin 2014 u shpall Kompania "Devolli Corporation", Pejë me mbi 7 milion euro eksporte. Burim Kuraja, përfaqësues i Kompanisë "Devolli", tha se të qëllim i tyre mbetet ulja e papunësisë, duke eksportuar në shtetet e rajonit dhe me gjerë.
"Kemi filluar duke hapur fabrika të reja, mirëpo tani kemi parë që kemi mundësi më shumë, për tu hapur në tregjet e botës. Ne tri vitet e fundit kemi arritur t'i eksportojmë produktet tona në 16 shtete, duke filluar nga Zvicra, Italia, Anglia, Austria, Amerika, Kanadaja, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Gjermania, Holanda, Belgjika, Turqia dhe Sllovenia. Në të gjitha këto shtete, mund të gjenden dhe produktet tona, të cilat i kemi të pranishme edhe këtu. Kohëve të fundit kemi bërë ca investime dhe jashtë shtetit. Kemi bërë dhe blerjen e një brendi në Maqedoni - "Apikalin" të kafes dhe Fabrikën e miellit. Të gjitha këto produkte hyjnë në gamen e produkteve që ne ofrojmë edhe për shtetet e Evropës e Amerikës", tha ai.
Ndërsa ministrja e Tregtisë dhe industrisë Hykmete Bajrami, në konferencën përmbyllëse me temë "Roli i Edukimit në Zhvillimin Ekonomik të vendit", ku u ndanë edhe çmimet Top-NVM-ja me konkurrente dhe Top-Eksportuesi i Vitit, tha se rëndësia e sektorit privat deri më tani ka qenë më shumë deklarative dhe se janë të vetëdijshëm se kërkesat e këtij sektori janë shumë më të mëdha sesa ajo çka është bërë deri më tani, në krijimin e një baze të mirë legjislative dhe krijimin e kushteve, për një ambient më të favorshëm dhe më të mirë të biznesit. Ajo thotë se është e vetëdijshme për konditat në të cilat gjenden bizneset, duke premtuar se do të punojnë që t'ua bëjnë sa më të lehtë rrugën, për një zhvillim të mëtutjeshëm të tyre.
LAJMET MË TË VLERËSUARA







