Emocione dhe humor ka përcjellë një nga veprat më të dashura të repertorit botëror, “L’elisir d’amore” e Gaetano Donizettit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Opera lirike u shfaq premierë mbrëmjen e mërkurës dhe ajo do të vijojë për tre netë të tjera gjatë muajit të dashurisë.
Pas 14 vitesh mungesë në TKOBAP, kjo kryevepër rikthehet me një produksion tërësisht të ri.
“L’Elisir d’Amore” është një histori e thjeshtë, por thellësisht njerëzore, ku dashuria, naiviteti dhe shpresa marrin jetë përmes muzikës plot dritë të Donizettit. Produksioni synon të komunikojë drejtpërdrejt me publikun, duke ruajtur frymën lozonjare të komedisë lirike dhe duke e sjellë veprën më pranë ndjeshmërisë së sotme”, tha regjisori Riccardo Canessa.
Këtë herë, historia zhvendoset në një fshat piktoresk bregdetar mesdhetar, ku shpaloset rrëfimi i Nemorinos, djaloshi i ndrojtur që beson se një elisir magjik do ta ndihmojë të fitojë zemrën e Adinës. Mes muzikës plot dritë të Donizettit, elisiri shndërrohet në simbol të shpresës dhe dëshirës për t’u ndjerë i dashur.
Në skenë ngjiten dy kaste artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Baritoni i njohur Gëzim Myshketa rikthehet me rolin e Dulcamarës, personazhi karizmatik që shet “elisirin e dashurisë”, një ujë me sheqer që ndez imagjinatën e banorëve të fshatit.
“Keni artistë që këtë vepër e këndojnë në La Scala, në Metropolitan Opera, në teatrot më prestigjioze të botës. Është një takim që nuk duhet humbur. Në opera zakonisht tingujt janë gjithmonë dramatikë. Edhe kur flisim me drejtorin e operës, bisedohej për Nabuko-n, për vepra si ‘Makbeth’ etj. Ishte një kërkesë timen: të lutem, dua të vij njëherë që edhe të kënaqem edhe vetë, në kuptimin, që të jem i zhdlirë në skenë. Edhe është një operë sa romantike, edhe humoristike, kështu që kalon shpejt, dy orë fluturojnë. E kam kënduar jo shpesh këtë personazh, herën e fundit 15 vjet përpara.”, tha Gëzim Myshketa.
Sipas drejtorit të TKOBAP, Aulon Naçi, ky produksion është një dhuratë për publikun gjatë muajit të dashurisë. “L’elisir d’amore” mund ta ndiqni deri më 14 shkurt në orën 19:00.
Komente











