Ministrja e Arsimit, Evis Kushi në kuadër të muajit të hapur të vaksinimit iu bën thirrje studentëve, mësuesve e pedagogëve që të vaksinohen kundër koronavirusit. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Kushi shkruan se vaksinimi është mënyra më e mirë për një vit të ri shkollor dhe akademik sa më të suksesshëm.
“Në këtë muaj të hapur vaksinimi për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, inkurajoj çdo mësues, pedagog dhe student që nuk është vaksinuar deri më tani, të kryejë vaksinën në qendrat shëndetësore apo pikat e vaksinimit të përqendruar në të gjithë vendin. Kjo është mënyra më e mirë që të shtrojmë rrugën për një vit të ri shkollor dhe akademik sa më të mbarë e të suksesshëm”, shkruan Kushi.
Muaji gusht do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha qytetarët +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar, ku secili mund të paraqitet me kartën e identitetit. Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t'iu dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 të gjithë qytetarëve.

SI.E./Shqiptarja.com
Komente

