E hëna ka shtuar adrenalinën kuqezi në gjakun e tifozëve shqiptarë. Kombëtarja ka nisur përgatitjet për sfidën historike të ‘play-off’-it të Botërorit kundër Polonisë, ndërsa futbollistët nën udhëheqjen e Sylvinho-s po mendojnë skemat për ndeshjen e 26 marsit në Varshavë.
“Është e vërtetë që s’kam pasur minutazh, por gjithmonë kur vjen në kombëtare është ndjesi tjetër. Si një punë tjetër që do të bësh. Gjithmonë kam dhënë maksimumin dhe nëse unë do kem 60 minuta do ti bëj mirë ato dhe më pas do të dal. Do ia lë vendin dikujt tjetër. Jemi të gjithë të disponueshëm për të dhënë maksimumin me kombëtaren,”-u shpreh Elseid Hysaj, futbollist i Kombëtares.
Ke përjetuar dy evropianë si kuqezi, tani është mundësia për të shkuar në Botëror. A ndjehet se është një ndeshje speciale dhe çfarë do të thotë për Hysajn që Shqipëria të shkojë në Botëror?
“Kjo është një ëndërr që e kam që i vogël. Tani edhe më shumë se kur bën 2 evropiane të mungon edhe një kapitull i jetës, Botërori. Ajo që më mungon mua për të arritur gjithçka me kombëtaren. Shumica e të gjithë futbollistëve te kuqezinjtë një mundësi kanë. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë në kualifikueset e tjera. Kemi një ndeshje teke që është shumë e vështirë. Një derë kemi. Po nuk kaluam te ajo derë do kthehemi pas, do qajmë, s’kemi çfarë bëjmë tjetër,”-tha Elseid Hysaj, futbollist i Kombëtares.
Për një futbollist të kombëtares së Shqipërisë është shumë e rëndësishme, historike, të shënosh në kampionat evropian, por a do ta ndërroje atë gol me një tjetër që na dërgon në Botëror?
“Besoj patjetër. Kam bërë një evropian me kombëtaren dhe na mungon Botërori. Pavarësisht se është momenti më i bukur për mua me kombëtaren do ta ndërroja në qoftë se vjen Botërori,”-deklaroi Qazim Laçi, futbollist i Kombëtares.
Nëse kuqezinjtë ia dalin të eliminojnë Poloninë me 31 mars do të luajnë ndeshjen finale të ‘play-off’-it të Botërorit kundër fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi. Vetëm në rast se kombëtarja i kalon me sukses këto dy përballje atëherë për herë të parë në histori do të marrë pjesë në evenimentin më të madh futbollistik siç është Botërori.
Komente







