670 persona në total kanë shprehur interes për t’u përfshirë në Paketën e Maleve në territorin e Bashkisë së Shkodrës, një proces që synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore.

Të dhënat janë bërë publike nga Mikel Kopsaj, Drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Shkodër, gjatë një interviste për mediat.

Duke marrë parasysh potencialin e lartë zhvillimor të territorit dhe interesin e shtuar nga përdoruesit dhe investitorët, me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 714, datë 26.11.2025, pas propozimit të Bashkisë Shkodër, janë shpallur zonat e para prioritare për zhvillim.

Sipas shifrave të publikuara, zonat që kanë regjistruar numrin më të lartë të aplikimeve janë Theth– Ndërlysaj me 274 aplikime dhe Rragam – Sheldi me 51 aplikime.

Në vijim, Bashkia Shkodër ka hapur thirrjen publike për aplikuesit e interesuar, të cilët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës përmes portalit e-Albania, me qëllim nisjen e procedurës së njohjes si posedues jopronar.

Sipas Bashkisë Shkodër, Paketa e Maleve pritet të krijojë mundësi konkrete për investime, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik lokal, rritjen e turizmit malor dhe forcimin e qëndrueshmërisë së zonave prioritare.

Duke parë interesin e lartë të shprehur edhe në zona të tjera, Bashkia Shkodër ka dërguar kërkesë për shpalljen si zona prioritare edhe për fshatra të njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Postribë.