Mungesa e transparencës

Mungesa e transparencës
TIRANE- Jam një shqiptar që jetoj në Kanada dhe si pjesa më e madhe e shqiptarëve që banojnë jashtë kufijve të vendit tonë ndjek të gjitha zhvillimet në Shqipëri nëpërmjet internetit. Arsyeja që po ju shkruaj, është për disa çështje të transparencës, të cilat, më duket se nuk investigohen nga media, por edhe janë lënë në harresë nga Bashkia e Tiranës.

1. Si një banor i hershëm i Tiranës e dua kryeqytetin tonë dhe sinqerisht ëndërroj dhe dëshiroj që të jetë vërtet një kryeqytet nga më të mirët në Europë dhe pse jo në botë. Kuptohet që kjo gjë arrihet me punë dhe përpjekje dhe njëkohësisht me njerëz serioz që e drejtojnë këtë qytet. Mbaj mend që një nga premtimet e zotit Basha, i cili aktualisht është kryetari i Bashkisë së Tiranës, ishte transparenca e munguar që do i ofrohej publikut. Më vjen keq por nëse do të hyni në faqen e Bashkisë së Tiranës, dhe unë e kam bërë shpesh këtë gjë, mungojnë shumë informacione të rëndësishme dhe thelbësore. Në rradhë të parë mungojnë të gjitha vendimet e Këshillit Bashkiak të miratuara së fundmi. Mungon buxheti i Bashkisë së Tiranës i miratuar për vitin 2012. Mungojnë një sërë të dhënash në lidhje me realizimin e bërë nga Drejtoria e Tarifave dhe Taksave Vendore etj etj. Dhe fatkeqësisht kjo ka qenë një traditë e konsoliduar para ardhjes së z.Basha në krye të Bashkisë. Mjafton të shkoni në faqen e Bashkisë dhe do e shikoni që ka një terr informacioni për këto gjëra, një ndryshim të madh me çfarë ka qenë më parë, ndërkohë që kjo ishte një nga premtimet kryesore në fushatë. Në asnjë media nuk e kam parë të trajtuar këtë problem. Nga ana tjetër duke vazhduar në këtë pikë nuk u mor vesh nga publiku në rastin e mbledhjes së KB ku u miratua buxheti i Bashkisë së Tiranës se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Këshilltarët socialistë thanë që nuk e kishin marrë projektin në kohë sipas ligjit ndërsa krahu tjetër tha që ata nuk e votuan. Asnjë media nuk u investua në zbulimin e këtij fakti dhe ta bënte prezent atë. Njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe ta dinë sesi keqpërdoret vota e tyre pavarësisht se kush krah politik e bën këtë gjë dhe radhës tjetër kur t’ju kërkohet kjo votë të kenë guximin dhe informacionin e duhur për të votuar ne mënyrën e duhur.

2. Nga ana e Bashkisë së Tiranës u prezantua dhe u trumbetua me të madhe heqja e 60 taksave dhe tarifave të cilat do të lehtësonin biznesin dhe do e bënin më shumë tërheqëse Tiranën për të investuar. Nga ana tjetër kur u prezantua kjo nismë dhe kur u miratua ky vendim nga ana e drejtuesve të shoqatave të biznesit dhe pikërisht të z. Nikolin Jaka dhe z. Luan Bregasi pati një reagim pozitiv duke e falenderuar Bashkinë për këtë nismë dhe në veçanti kryetarin e bashkisë duke u shprehur se ishte një çlirim dhe ndihmë shumë e madhe për biznesin. Nga asnjë media nuk u analizuan taksat dhe tarifat që u hoqën, cila ishte pesha që ato zinin në buxhetin e bashkisë dhe në buxhetin e bizneseve, sa ishte numri i bizneseve që përfitonin nga këto zbritje, sa u shtua numri i bizneseve dhe investimet në Tiranë nga këto reduktime, cilat janë efektet që këta drejtues të shoqatave të biznesit së bashku me stafet e tyre kanë llogaritur etj. Në këtë mënyrë do t’i tregonit popullit të Tiranës nëse kjo nismë ishte një nismë me një ndikim të madh në ekonominë e këtij qyteti apo ishte thjesht një flluskë sapuni sa për të thënë që premtojmë dhe mbajmë premtime pavarësisht se nuk kanë asnjë impakt.

3. Në rastin e reduktimit të disa taksave, sidomos po ti referohemi taksës së ndikimit në infrastrukturë, jemi informuar nga media, (sepse siç ju thashë faqja e bashkisë nuk e ka një gjë të tillë), se është bërë ulja e taksës së ndikimit në infrastrukturë me 30% në rastin e bisneseve të ndërtimit kur ato punësojnë mbi 70 punëtorë. Dua të bëj me dije dhe këtë mund ta vërtetoni që kjo taksë ka qenë e reduktuar për të gjitha zonat e Tiranës në masën 30% edhe më parë pa asnjë kufizim, përveç zonës A që ka qenë zona e qendrës dhe kjo e ka pasur një arsye që ka qenë frenimi i ndërtimeve në këtë zonë. Pra sërisht kemi një keqinformim apo mos informim të popullit për çfarë ndodh. Kjo është punë e këshilltarëve të bashkisë, e bashkisë por edhe e medias. Pra nuk mund të trumbetosh që ke hequr diçka kur kjo ka qenë e hequr më parë.

4. Vendimi sipas të cilit përjashtohen nga taksa e pasurisë, taksa e tabelës dhe taksa e pastrimit për 3 vjet bizneset që punësojnë mbi 50 punëtorë nga lista e Zyrës së Punës, është një tjetër aspekt. Edhe këtë vendim e kam parë nga media kështu që më falni për ndonjë pasaktësi. Sërisht këtu kemi një gjë e cila nuk mund të bëhet realitet edhe sikur të jetë miratuar në këtë formë. Bashkia dhe Këshilli Bashkiak nuk kanë të drejtë të përjashtojnë nga taksat por vetëm të bëjnë reduktimin e tyre me 30%. Edhe reduktimi nuk bëhet dot në menyre selektive por përfshihen të gjitha bizneset. Pra nuk ka reduktim selektiv por gjithpërfshirës. Kjo është fryma e ligjit. Pra i bie qe është një vendim i pazbatueshëm pasi taksat dhe ligjet e miratuara në Parlament nuk mund të zhbëhen nga instanca më të ulta siç është Këshilli Bashkiak i Tiranës. Nga ana tjetër edhe sikur të ishte e vërtetë që një vendim i tillë të zbatohej, nuk është bërë asnjë analizë sesa nxitëse është kjo nismë. Dua t’ju jap një shembull. Tarifa e pastrimit është 35,000 lekë në vit. Taksa e tabelës është 100 lekë në vit. Pra në total kemi 35,100 lekë në vit kosto për biznesin. Pjesa më e madhe e bizneseve në Shqipëri nuk kanë pasuri të rregjistruara në bilancet e tyre dhe kështu që nuk përfitojnë nga heqja e taksës së pasurisë. Ndërkohë që një punëtor në muaj e ka koston rreth 30,000 lekë, duke patur parasysh pagat referuese që në fakt janë bërë detyruese nga organet tatimore. Këtu përfshihen edhe sigurimet shoqërore që paguhen nga vetë kompania për pagën e punonjësit. Pra siç e shikoni e gjithë ajo që "kursen" kompania është paga mujore e një punëtori. Po 11 muajt e tjerë kush do e paguajë këtë punëtor? Atëherë çfarë stimuli është ky dhe çfarë nxitje është për kompanitë që të rrisin numrin e të punësuarve? Asnjëri nuk ka dhënë një relacion dhe një analizë për këtë gjë as nga Bashkia e Tiranës që e propozoi këtë gjë, as nga komisioni i ekonomisë së KB që e miratoi këtë as nga analistë apo media të ndryshme e as nga shoqatat e biznesit.
4. Eshtë bërë një marreveshje ndërmjet Ujësjellesit dhe Bashkisë së Tiranës për të faturuar dhe mbledhur taksat vendore nga qytetarët. Kjo ka qenë një praktikë e mëparshme dhe në kuadër të decentralizimit dhe të kalimit të kompetencave Njësive Bashkiake, në kohën kur z. Rama ishte Kryetar Bashkie u bë kalimi i këtyre të drejtave dhe detyrimeve këtyre njësive. Në atë kohë i është vendosur edhe gjobë Ujësjellësit nga Bashkia e Tiranës për kundravajtjen e mosderdhjes së taksës, por që nuk u mblodh asnjëherë pasi me ligjet për faljet e gjobave që bëri kryeminsitri më pas u anulua dhe kjo gjobë. Duke qenë se një nga premtimet e mëdha të z. Basha ishte decentraizimi dhe kalimi i sa më shumë kompetencave njësive bashkiake dhe biles e mbaj mend mirë që z. Kasaruho në një nga takimet e Bashës është shprehur për këtë decentralizim i cili në një farë mënyre ekzistonte, i bie qe ai ka ndërmarrë një veprim që bie ndesh me premtimet që ka bërë. Sërisht asnjëri nuk e ka analizuar apo nuk është marrë me këtë gjë. Gjiathshtu duke qëndruar në këtë pikë mbaj mend që nga z. Rama kishte dalë një urdhëresë më parë që qytetarët të cilët nuk kishin paguar detyrimet e taksave lokale të mos iu ofrohej shërbim nga njësitë bashkiake në paisjen e tyre me vërtetime, certifikata etj. Ky urdhër u anulua me vonë nga z. Olldashi pas një përplasje që pati Bashkia e Tiranës me Njësinë Bashkiake 10 kur në krye të saj ishte Gerdi Bogdani. Ndërkohë që nuk dihet dhe nuk u është bërë prezent qytetarëve të Tiranës se çfarë do të ndodhë me ta në rastin kur ata nuk duan të paguajnë taksën por vetëm pjesën që i takon konsumit të ujit në fatura. Do të penalizohen apo jo etj etj.
5. Prishja dhe ribërja e zyrës së kryetarit të bashkisë nga ana e z. Basha është një pikë tjetër e cila nuk ka gjetur jehonën e duhur ne media. Më vjen keq por sinqerisht nuk e kuptoj sesi në Shqipërinë tonë asnjë nuk ka respekt për lekët e publikut, nuk i dhimbsen ato por keqperdoren në mënyrën më mizore të mundshme dhe asnjë nuk mban përgjegjësi të paktën morale. Asnjëri nuk dha një arsye përse zyra e kryetarit të bashkisë duhej ribërë nga e para dhe përse lekët e harxhuara për atë zyrë, pavarësisht se ishin donacion i biznesit të Tiranës por pasuri jo e Ramës dhe e Bashës por e popullit dhe qytetarëve të Tiranës, të hidheshin poshtë në atë mënyrë.
Mbase u zgjata pak, por në vendin ku unë jetoj aktualisht, Kanada, pjesa më e rëndësishme është transparenca dhe premtimet e bëra. Këtu në çdo moment media është shumë e vëmendëshme ndaj këtyre premtimeve dhe mbajtjes së tyre, informimeve të publikut për çdo keqpërdorim të fondeve apo shkelje të interesave të publikut dhe në çdo moment drejtuesit e institucioneve të zgjedhur nga populli janë në një presion të jashtëzakonshëm dhe shumë të kujdesshëm në atë çfarë bëjnë, premtojnë dhe shfaqin ne publik.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin