Mungesat janë tashmë pengesa më e madhe për rritjen ekonomike globale

Mungesat janë tashmë pengesa më e madhe për rritjen ekonomike globale

Një dekadë pas krizës financiare, problemi i ekonomisë botërore ishte mungesa e shpenzimeve, shkruan The Economist. Familjet duhej të paguanin borxhet, ndërkohë që qeveritë vendosën shtrëngime dhe kompanitë frenuan investimet. Tani shpenzimet janë rritur, pasi qeveritë kanë stimuluar ekonominë dhe konsumatorët janë çliruar nga pengesat e pandemisë.

Rritja e kërkesës është aq e fuqishme, sa që oferta po e përballon me vështirësi atë. Shoferët e kamionëve po marrin shpërblime shtesë për të qëndruar në punë, një anije kontejnerësh është ankoruar jashtë bregut të Kalifornisë, duke pritur që portet të jenë gati dhe ndërkohë çmimet e energjisë po kapin majat. Ndërsa rritja e inflacionit po i frikëson investitorët, mbingopja e viteve 2010 u ka lënë vendin mungesave në ekonomi.

Shkaku i menjëhershëm i kësaj dukurie është Covid-19. Rreth 10.4 trilionë dollarë stimul ekonomik në nivel global kanë nxitur një rikthim të furishëm, por njëkohësisht të çuditshëm, ku konsumatorët po shpenzojnë më shumë se normalisht për mallra, duke tendosur kështu zinxhirët globalë të furnizimit që janë tashmë të uritur për investime. Kërkesa për mallra elektronike u rrit jashtë mase gjatë pandemisë, por mungesa e mikroçipave ka penguar prodhimin industrial në disa ekonomi eksportuese, si Tajvani.

Ndërkohë, përhapja e variantit Delta ka mbyllur fabrikat e veshjeve në disa pjesë të Azisë. Në vendet e pasura, emigrimi është në rënie, stimuli ekonomik ka mbushur llogaritë bankare dhe nuk janë të shumtë njerëzit që duan të kryejnë punë fizike me paga të ulëta. Nga Brooklyn në Brisbane, punëdhënësit janë të etur për punëtorë.

Megjithatë, kjo ekonomi me mungesa është gjithashtu produkt i dy forcave të tjera më të thella. Së pari, dekarbonizimi. Kalimi nga qymyri në energji të rinovueshme e ka lënë Europën dhe veçanërisht Britaninë, të pambrojtur ndaj panikut të furnizimit me gaz natyror. Rritja e çmimit të karbonit e ka bërë të vështirë kalimin në forma të tjera ndotëse të energjisë.

Në disa zona të Kinës, është ndërprerë energjia, pasi disa nga provincat e saj po përpiqen të përmbushin objektivat e rrepta mjedisore. Çmimet e larta për transportin dhe komponentët e teknologjisë tani po shkaktojnë rritjen e shpenzimeve kapitale. Por në një kohë kur bota po përpiqet të heqë dorë nga format më ndotëse të energjisë, nxitja për të bërë investime afatgjata në industrinë e karburanteve fosile është e dobët.

Forca e dytë ndikuese është proteksionizmi. Politika tregtare nuk hartohet më duke pasur parasysh efikasitetin ekonomik, por duke u mbështetur në një sërë synimesh, nga imponimi i standardeve të punës dhe mjedisit jashtë vendit, deri në ndëshkimin e kundërshtarëve gjeopolitikë.

Së fundmi, administrata e Joe Biden, konfirmoi se do të ruante tarifat e imponuara nga Donald Trump për Kinën, të cilat mesatarisht ishin 19%, duke premtuar vetëm se firmat mund të aplikojnë për përjashtime. Në të gjithë botën, nacionalizmi ekonomik po kontribuon në mungesat e ekonomisë.

Mungesa e shoferëve të kamionëve në Britani, është përkeqësuar nga Brexit. India ka mungesa qymyri, pjesërisht për shkak të një përpjekjeje të gabuar për të ulur importet e karburantit. Pas disa vitesh tensionesh tregtare, fluksi i investimeve ndërkufitare nga kompanitë, është përgjysmuar që nga viti 2015.

E gjithë kjo situatë mund të duket tepër e ngjashme me vitet 1970, kur shumë vende u përballën me mungesa karburanti, rritje dyshifrore të çmimeve dhe ngadalësim ekonomik. Por ngjashmëritë nuk shkojnë më larg se kaq.

Gjysmëshekulli më parë, politikanët nuk ndoqën rrugën e duhur në politikën ekonomike, duke e luftuar inflacionin me masa të kota si kontrolli i çmimeve dhe fushata që u bënin thirrje njerëzve të kultivonin vetë perimet e tyre. Sot, Rezerva Federale po debaton si të parashikohet inflacioni, por ekziston një konsensus që bankat qendrore kanë fuqinë dhe detyrën për ta mbajtur atë nën kontroll.

Për momentin, inflacioni jashtë kontrollit duket i pagjasë. Çmimet e energjisë pritet të ulen pas stinës së dimrit. Vitin e ardhshëm, përhapja e vaksinave dhe trajtimet e reja ndaj Covid-19, duhet të zvogëlojnë ndërprerjet dhe pengesat. Konsumatorët mund të shpenzojnë më shumë për shërbimet. Stimuli fiskal do të përfundojë në vitin 2022. Dhe nxitja e investimeve në disa industri, do të çojë në rritjen e kapacitetit dhe produktivitetit.

Por forcat më të thella që kanë ndikuar në mungesat e ekonomisë, nuk do të zhduken vetvetiu dhe politikanët mund të përfundojnë duke ndërmarrë politika të rrezikshme dhe të gabuara. Një ditë, teknologji si ajo e hidrogjenit, duhet të ndihmojnë që energjia e gjelbër të bëhet më e besueshme. Por kjo nuk do t’i eliminojë mungesat e tanishme.

Ndërsa kostot e karburantit dhe të energjisë elektrike po rriten, mund të ketë një reagim të ashpër. Nëse qeveritë nuk sigurojnë dot alternativa të përshtatshme të gjelbra për lëndët djegëse fosile, atyre mund t’u duhet të përballojnë mungesat, duke zbutur objektivat e emetimeve dhe duke u kthyer në burime më ndotëse të energjisë.

Prandaj qeveritë duhet të bëjnë planifikime të kujdesshme për të përballuar kostot më të larta të energjisë dhe rritjen ekonomike më të ngadaltë që do të rezultojë nga eliminimi i emetimeve. Pretendimi se dekarbonizimi do të rezultojë në një lulëzim të mrekullueshëm ekonomik, do të çojë vetëm në zhgënjime.

Mungesat në ekonomi, gjithashtu mund të bëjnë më tërheqëse idenë e proteksionizmit dhe ndërhyrjen e shtetit. Shumë votues fajësojnë qeverinë për raftet boshe dhe krizat energjetike. Politikanët mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë, duke kritikuar furnizuesit e huaj dhe duke fajësuar zinxhirët e brishtë të furnizimit, ose duke bërë premtime të rreme për t’u mbështetur në forcat e veta.

Qeveria britanike tashmë ka shpëtuar nga falimentimi një fabrikë plehrash kimike, për të ruajtur furnizimin me dioksid karboni, që është i nevojshëm në industrinë ushqimore. Qeveria po përpiqet të argumentojë se në fakt, mungesat e fuqisë punëtore janë diçka pozitive, sepse ato do të rrisin pagat dhe produktivitetin në mbarë ekonominë. Por në të vërtetë, vendosja e barrierave për emigracionin dhe tregtinë, do të ulë si pagat edhe produktivitetin.

Përçarjet shpesh i bëjnë njerëzit që të vënë në dyshim normat e vjetra ekonomike. Trauma e viteve 1970 çoi në refuzimin e qeverisë së madhe dhe Kejnesianizmit të vrazhdë. Rreziku tani është se tendosjet në ekonomi mund të çojnë në refuzimin e dekarbonizimit dhe globalizimit, me pasoja shkatërruese afatgjata. Pikërisht ky është rreziku real që kanoset nga ekonomia me mungesa./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër