Sardar Azmoun, sulmuesi 31-vjeçar i Iranit i cili aktivizohet me Shabab Al-Ahli në Emirate, është përjashtuar nga ekipi kombëtar për një foto të publikuar në Instagram, ku ai shfaqej përkrah sundimtarit të Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum. Ky veprim është interpretuar nga autoritetet iraniane si 'i papërshtatshëm' në kontekstin e tensioneve rajonale të javëve të fundit në Lindjen e Mesme.

Edhe pse Federata e Futbollit e Iranit nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar, raportimet thonë se vendimi mund ta lërë Azmoun jashtë planeve për Kupën e Botës 2026, një goditje e rëndë kjo për përfaqësuesen iraniane.

Mungesa e tij pritet të ndihet ndjeshëm, duke qenë se Azmoun ka realizuar 57 gola në 91 paraqitje që nga debutimi në vitin 2014 dhe konsiderohet një nga figurat kyçe të ekipit. Gjatë karrierës së tij, ai ka luajtur për klube të njohura si Zenit Saint Petersburg, Bayer Leverkusen dhe Romën, ndërsa ka përfaqësuar Iranin edhe në Botërorët e vitit 2018 dhe 2022.

Ndërkohë, Irani pritet të zhvillojë ndeshje miqësore në Antalia ndaj kombëtareve të Nigerisë dhe Kosta Rikës në fund të marsit, në kuadër të përgatitjeve për Botërorin. Federata Iraniane i kërkoi FIFA-s që të zhvendoste ndeshjet e saj nga SHBA drejt Meksikës, për shkak të konflikteve politike. Organi i futbollit botëror nuk pranoi të ndryshonte agjendën e Kupës së Botës 2026, e cila do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.