Ndryshimi i orarit të fluturimit ka bërë që ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, të mos jetë prezent në interpelancën urgjente të kërkuar nga PD lidhur me shoqërinë KAYO, sqaroi ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.
“Lidhur me interpelancën urgjente, për arsye objektive, për shkak të një angazhimi zyrtar të ministrit, për shkak të një ndryshimi të orarit të fluturimit, është e pamundur që të mbërrijë në interpelancë. Do të kërkonim që kjo interpelancë të shtyhet në seancën e radhës”, tha Ismaili.
Nufi ishte për vizitë zyrtare në Kroaci. Ai duhet të kthehej pasditen e së mërkurës, por nuk mundi për shkak të grevës së kompanisë ‘Lufthansa’.
Gjithashtu, nuk është e pranishme as ministrja Mirela Kumbaro, së cilës i është kërkuar interpelancë sërish nga opozita.
“Është finalja e konkursit për gjuhën shqipe, është atje si organizatore”, sqaroi Ismaili.
Në këtë pikë, doli në krah të opozitës edhe kryeparlamentari Peleshi, i cili tha:
“Ndaj të njëjtin qëndrim me opozitën, interpelanca duhet të prevalojë mbi çdo axhendë tjetër. Ministri duhet të respektojë Kuvendin e Shqipërisë dhe të jetë këtu”, u shpreh ai duke nënvizuar se rasti i Nufit bën përjashtim për shkak se bëhet fjalë për një incident.
Lajmi kryesor:
LIVE TV - Kuvend/ Debate për ndryshimet në Rregullore, PD: Doni të kufizoni kohën që të mos flasim! Shtyhen 3 interpelanca me Nufin, Kumbaron e Koçiun











