Pasditja dhe mbrëmja e 13 tetorit në Tiranë u shoqëruan me skena anarkie. Një protestë, e paralajmëruar si protestë studentore para Ministrisë së Arsimit, degjeneroi në akte dhune ndaj kësaj ministrie, disa bizneseve private, infrastrukturës publike, Bashkisë së Tiranës, Pazarit të Ri, kontejnerëve të mbeturinave etj. Vatrat e zjarrit ishin të pranishme deri në mesnatë.
Për shkak të kësaj situate anarkike, ku protagonistët kryesorë ishin grupe personash të maskuar, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, ngjante me skenat e një fushëbeteje.
Pas gjithë kësaj llahtarie, duhet theksuar se, fatmirësisht, nuk pati viktima, as nga radhët e protestuesve dhe as nga efektivët e policisë, ndërsa të lënduarit u trajtuan nga shërbimet shëndetësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në një këndveshtrim, pas kësaj lëvizjeje anarkiste, e cila zgjati rreth tetë orë, nuk mund të mos theksohet se skena të tilla dhune jo vetëm që nuk i shërbejnë aspak Shqipërisë, por, dashje pa dashje, kthehen në pengesë për proçesin përfundimtar të integrimit të saj në Bashkimin Evropian, ëndrra historike e shqiptarëve.
Imagjinoni: në një kohë kur nga BE-ja vinte lajmi për mbylljen e kapitullit të 20-të të negociatave të integrimit të Shqipërisë, i shoqëruar me ritheksimin e premtimit se të gjithë kapitujt do të mbyllen deri në fund të vitit 2027 dhe se Shqipëria mund të pranohet në BE përpara vitit 2030, në Tiranë zhvilloheshin skena dhune dhe anarkie, në vend që të mbizotëronte një atmosferë entuziazmi për lajmet pozitive që vinin nga Brukseli në interes të Shqipërisë!
E paimagjinueshme, por kjo është e vërteta.
Në fakt, nuk është hera e parë që në Tiranë zhvillohen protesta në të njëjtën kohë kur BE-ja mban konferenca për kapitujt e negociatave me Shqipërinë. Që prej 31 majit, me nisjen e protestës së quajtur «Flamingo», protestat kanë qenë sistematike, madje edhe para Parlamentit Evropian, ku një grup emigrantësh shqiptarë bënin thirrje që Shqipëria të mos pranohej në BE, me argumentin se qeveria e saj është e korruptuar.
Por kulmi u arrit pasditen e 13 tetorit, kur protesta e cilësuar si «studentore» nisi si një aktivitet normal, por më pas degjeneroi në akte anarkie!
Kjo protestë u mbështet edhe nga lideri i PD-së, Sali Berisha, i cili, në mesnatë, i bëri thirrje kësaj partie që ta mbështesë protestën e radhës, e cila do të zhvillohet sërish të mërkurën, në orën 14:00, para Ministrisë së Arsimit.
Sali Berisha, prej 37 vitesh pjesë e skenës politike shqiptare, përfaqëson, sipas gjykimit tim, një nga figurat më të spikatura të ekstremizmit politik në këtë vend.
Shkurtimisht, Shqipëria është ndër vendet më të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, duket se ka qarqe që nuk e mirëpresin këtë stabilitet dhe që synojnë, me çdo mjet, ta destabilizojnë edhe Shqipërinë.
Dihet se një Shqipëri e qëndrueshme dhe e integruar në BE nuk u shkon për shtat qarqeve të huaja që, sipas këtij këndvështrimi, janë të verbuara ndaj çdo arritjeje të shqiptarëve. Këto qarqe zgjasin duart drejt Shqipërisë për të gjetur njerëz që mund të shërbejnë si instrumente për realizimin e misionit antishqiptar: destabilizimin e vendit!
Kjo bëhet, ndër të tjera, edhe me synimin që shteti shqiptar të mos jetë në gjendje ta ndihmojë Kosovën në përballimin e situatës së rëndë dhe tejet të ndërlikuar që ka krijuar dënimi nga Gjykata Speciale në Hagë i katër ish-liderëve të UÇK-së me gjithsej 81 vite burg.
Pikërisht për këtë arsye, e cilësojmë lëvizjen anarkike në Tiranë si një thikë pas shpine, si ndaj Shqipërisë, ashtu edhe ndaj Kosovës!
Këtë, fatkeqësisht, nuk e kuptojnë as vetë ata që bëhen pjesë e këtyre zhvillimeve.
Në një kohë kur duhej të dilnim sërish me emblemën «Një komb, një qëndrim», ashtu si në pranverën e vitit 1999, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, dhe të tregonim unitet për të qenë më të fortë përballë zhvillimeve të papritura ndërkombëtare, të cilat mund të përfshijnë edhe rajonin tonë, në Tiranë kemi protesta, dhunë dhe anarki.
Veprime të tilla, sipas bindjes sime, janë kundër interesave të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Me duart tona po realizojmë skenarët e atyre që kurrë nuk na e kanë dashur të mirën!
Mbarë e kemi, mbarë!/Tema






Komente
Komento