PREKAZ, 6 Mars /ATSH/.-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, zëvendëskryeministrat Hashim Thaçi dhe Kujtim Shala, si dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, bënë homazhe sot pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari në Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz.
"17 vjet më parë Komandanti i UÇK-së, Adem Jashari dhe familja Jashari ranë heroikisht në mbrojtje të idesë për liri dhe pavarësi të Kosovës. Ai është shembulli më i fortë i heroizmit, i sakrificës dhe i përkushtimit për vendin, për lirinë e vendit, për atdhedashurinë dhe për të ardhmen e këtij vendi ", u shpreh Mustafa.
"Ne, sot, ia bëjmë nderimin dhe i kujtojmë të gjithë me admirim. Po ashtu tregojmë edhe përkushtimin tonë që të punojmë, që ta ndërtojmë këtë vend sipas idesë dhe dëshirës së atyre që u flijuan për liri dhe u flijuan për Kosovën", deklaroi kryeministri Mustafa.Kryetari i Kuvendit, Veseli tha se "përulemi para varrit të tyre me dinjitet dhe respekt dhe në të njëjtën kohë le të jetë një nxitje për ne që të jemi më të përgjegjshëm dhe më të vendosur në rrugën drejt konsolidimit në zhvillimin ekonomik dhe integrimeve evropiane".
Me rastin e 17 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, qeveria e Republikës së Kosovës, në 5, 6 dhe 7 Mars, po organizon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari./b.j/k.s/











