Mustafa Greblleshi, rikthen kujtimet
e "Hotel Dajtit" në vitet ’39 -’44 

Mustafa Greblleshi, rikthen kujtimet<br />e
Në ‘Kujtimet’ e Gërblleshit dalin edhe figura të shquara e të njohura të kohës si Eqrem Çabej, Haki Stërmilli, Gjergj Bubani, Ibrahim Hasnaji, Astrit Delvina, Qemal Draçini, Nexhat Hakiu, Vangjel Koça, Ibrahim Kodra, Gjergj Dako, Kristo Frashëri…etj

"Faqe të tragjedisë së madhe", i cilësoi Konica trandet që pushtimi fashist solli në jetën e shqiptarëve përtej Atlantikut, përfshirë atë vetë. Kurse, përmes kujtimeve të tij të vyera, autori Mustafa Grëblleshi na përcjell tronditjen tektonike që 7 prilli solli në jetën e shqiptarëve në atdheun e tyre të dashur.

Libri, pa dyshim një prurje e shquar në zhanrin e memuaristikës në shqipe, fillon pikërisht me atë faqe të zezë e të rëndë, duke na përcjellë fare prekshëm tragjedinë e njerëzve të thjeshtë, pjesë integrale e një populli mbarë. "Do të ishim vrarë të gjithë në Durrës", shkruan autori, nëse Zogu do t'i ishte përgiigjur ndjenjave antifashiste dhe zemërimit popullor, duke u shpërndarë armë rinisë antifashiste, ku bënte pjesë vetë Grëblleshi.

Dhe kështu, "katastrofën që i solli vendit pushtimi fashist", autori na e rikujton përmes aktit të vetëvrasjes, si protesta më e skajshme, e të riut Xhemal Rexha; thirrjeve për një minutë zi në shkollë nga prof. Vasil Andoni; komentet e prof. të frëngjishtes Marchand; si dhe krizës nervore tê vetë të jatit të autorit, i cili fill pas pushtimit nuk e kaloi më pragun e derës së shtëpisë...

[gallery]22292[/gallery]

Mirëpo kujtimet e Grëblleshit na sjellin fare prekshëm edhe jetën e Tiranës në ato vite të rënda, varfërinë e vuajtjet e popullit, kosën e pamëshirshme të TBC-së ndër moshatarët e autorit, por edhe patriotizmin e kulluar, frymën antifashiste, dinjitetin personal e ndershmërinë e tiranasve ndën pushtim. Dhe bash në këto rrethana dramatike, kujtimet na sjellin edhe përpjekjet e një pende plot talent e me guxim prej vigani, atë të vetë Grëblleshit, për të afirmuar dinjitetin e një populli mbarë të nëpërkëmbur nga diktatura e dhunshme fashiste. Pikërisht në atë periudhë në shtypin e lejuar të kohës do të shfaqej penda elegante e Liut të Cakës, pseudonimit të Mustafa Grëblleshit, e mbrujtur në gurrën e kthjellët të dialektit tiranas.

Dalin kësisoj në Kujtimet e tij edhe figura të shquara e të njohura të kohës, si Eqrem Çabej, Haki Stërmilli, Gjergj Bubani, Ibrahim Hasnaji, Astrit Delvina, Qemal Draçini, Nexhat Hakiu, Vangjel Koça, Ibrahim Kodra, Gjergj Dako, Kristo Frashëri, Selman Vaqarri, Prof. Lozzi, Mihal Zallari, avokati i shquar Stefan Shundi etj. Fryma vëllazërore, respekti i ndërsjelltë, pastërtia shoqërore ishin ndër tiparet e qenësishme që i lidhnin ata njerëz me njëri-tjetrin.

Dhe në libër del befas edhe figura e Qazim Mulletit, prefektit të gjithëpushtetshëm, që e këshillon si prind autorin të lerë gjithshka e të shkojë në Itali...

kujtime

Një ndër faqet me vlerë të veçantë historike në "Kujtimet" e Grëblleshit është edhe përcjellja e përpjekjes së autoriteteve shqiptare të asaj kohe për t'u lidhur me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar në Greqi në maj 1944, e për të përftuar ndihma për popullin shqiptar. Mustafa Grëblleshi ishte pjesëtar i atij delegacioni, bashkë me doktor Sadedinin dhe doktor Vasfi Samimin.

I hapur me një faqe tragjike, libri nuk mund të mos mbyllet me një të tillë - e pikërisht me humbjen misterioze të të jatit të Grëblleshit, bash në fillesat e terrorit komunist pas çlirimit të Tiranës. "Edhe sot e kësaj dite - shkruan autori - pas dyzet vjetësh, ende nuk dihet ku ka rënë dhe ku e ka varrin"..

Me kthjelltësinë e përmbajtjes dhe elegancën e stilit, Mustafa Grëblleshi vendos me veprën e tij postume një gur të çmuar në gjerdanin e zhanrit të memuaristikës në letrat shqipe.

Libri botohet nga Shtëpia Botuese Çabej nën kujdesin e Anna Shkrelit, Brikena Çabejit e Kleida Malukës. Parathënia vjen me pendën e Ismail Kadaresë. Kopertina nga Simone Massoni.

Pjesë nga kujtimet
Në faqen e tretë të gazetës ‘Tomori’, redaktor i së cilës ishte shoku im Nexhat Hakiu, kisha botuar një tregim të përkthyer nga italishtja dhe frëngjishtja. Një ditë më thirri në zyrën e tij kryeredaktori i gazetës, kritiku i njohur Vangjo Nirvana, i cili dy vjet më vonë u mbyt në Adriatik. Duke më dhënë një vëllim të Pirandellos, më tha:
– Dua të krijoj një lëndë rezervë për faqen e tretë të gazetës. Prandaj përkthe ato tregime që kam shënuar me laps të kuq dhe m’i dorëzo një e nga një. Gjej edhe një piktor për ilustrimet. Përkthimi i një tregimi paguhet dhjetë franga, ndërsa skicat shtatë franga.

Kritiku Vangjel Koça nuk e bëri këtë për të krijuar lëndë rezervë, por për të më ndihmuar mua materialisht. Sepse tregimet e Pirandellos që përktheva unë dhe që ilustroi piktori Ibrahim Kodra nuk u botuan në gazetë. Është për t’u habitur, se pas njëzet vjetëve, më 1962, tregimet e Pirandellos m’i dha për t’i përkthyer drejtori i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, poeti Drago Siliqi, i cili më ka dashur shumë dhe më ka përkrahur sa ka mundur.

Mora vëllimin me tregime dhe nxitova në kino “Nacional”, ku punonte shoku im, Ibrahim Kodra, i cili bënte një pllakat për reklamimin e çdo filmi. Këtë pllakat e shëtiste një person i paguar nga Hysen Aga, pronari i kino “Nacionalit”.

Ibrahim Kodra, sot piktor shumë i njohur, i mbetur në mërgim, ishte një djalë shumë i mirë dhe me shumë talent. Temperament i heshtur dhe i mbyllur, por me një botë të pasur shpirtërore. Ai ishte gjithë ndjenja. E donte shumë letërsinë dhe pikërisht dashuria për letërsinë na kishte bërë shokë të mirë. Në atë kohë ishte shumë keq nga gjendja ekonomike. Megjithatë, e donte shumë jetën.

– Jeta nuk është aq e keqe sa mendohet, – më thoshte, – se po të ishte aq e keqe, nuk do të ishin aq të paktë ata që vrasin veten.
Ibrahimin e gjeta duke vizatuar me laps karboni një vajzë “liberale”, nga ato që shoqëroheshin shumë me italianët. Vizatime të tilla i bënte rëndom në atë depo kinemaje, të cilën e quante “studio”. Ibrahimi nuk thoshte dot “jo”. Nuk ia prishte kurrkujt.

– Lëre atë punë, – i thashë, – se kam gjetur një punë më me leverdi dhe më me dinjitet.
Dhe i fola për marrëveshjen që kisha bërë me kryeredaktorin e gazetës. U gëzua shumë. Filluam menjëherë nga puna. Përktheja një tregim në ditë. Ibrahimi bënte skicat. Dorëzuam të parin. Kryeredaktori mbeti i kënaqur edhe nga përkthimi, edhe nga skicat. Çdo ditë merrnim unë dhjetë franga dhe Ibrahimi shtatë franga. Dhe çdo mbrëmje shkonim në restorantin e Bim Kuranit “Pëllumbi i bardhë”, ku pinim nga një gotë birrë dhe hanim nga një panine me dy qofte. Ne shkonim te “Pëllumbi i bardhë” se aty mblidheshin të gjithë ata që merreshin me art dhe me gazetari. Bim Kurani porsa ishte kthyer nga Spanja, ku kishte luftuar në brigadat revolucionare dhe ne habiteshim se si mund të tërhiqte zjarri i luftës një njeri si Bimi, që ishte aq i dhënë pas argëtimeve.
Mbas shumë vitesh, Ibrahim Kodra u bë në dhe të huaj piktor i njohur dhe i pasur. Kur hapi një ekspozitë në Paris, Picasso i vlerësoi shumë punimet e tij me këtë shprehje figurative: “Ky nuk është Ibrahim Kodra. Ky është Ibrahim Kobra”. Kur erdhi në Shqipëri si turist, kërkoi të takohej me mua, por për rrethana të ndryshme nuk u takuam dot. Në një bisedë intime me shokë të tij të vjetër piktorë, ai ishte shprehur kështu:
– Më ka rënë rasti të shijoj gjellët e restoranteve më të përmendura të Europës, por shijen e qofteve që kam ngrënë me Mustafa Greblleshin në restorantin “Pëllumbi i bardhë” nuk e kam ndeshur gjëkundi.

Qoftet te “Pëllumbi i bardhë” ishin me të vërtetë shumë të shijshme, sepse kuzhinieri i Bim Kuranit ishte artist në zanatin e tij. Por asokohe unë dhe piktori Ibrahim Kodra ishim gjysmë të uritur.

Nga piktori Ibrahim Kodra më ka mbetur një klishe. Është klisheja e një karikature me të cilën ilustroja artikujt e shkruar në dialekt të Tiranës, të nënshkruar me pseudonimin Liu i Cakut. Ky është i vetmi kujtim që më ka mbetur prej tij.

mustafa gerblleshi

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar