Mustafa Kruja, darka në “Ujë të ftohtë”
dhe merkatoja politike e viteve ‘20

Mustafa Kruja, darka në “Ujë të ftohtë”<br />dhe merkatoja politike e viteve ‘20
E dyta partí në parlamentin e vogël të Shqiprisë para Krishtlindjes së 24-s ka qënë kjo, partija përparimtare. Mos i shikoni emrat. Si partitë vetë në Shqiprí ashtu janë dhe emrat. Në të vërtetë, pas njerëzvet që e përbëjshin, kjo ishte një partí konservatore, kishte brënda të gjithë bejlerët e mëdhaj, pasanikë të Shqiprisë: Shefqet Vërlac, Zija Toptan, Hasan Biçak, Kemal Vrion et. Leader intelektual ishte Mehdi Frashëri.

Përveç këtyre dý partive, ishte në parlamentin t’onë dhe një grup deputetësh të paorganizuar si partí, por me një farë dishipline parlamentare, që përpiqej t’ishte një ndërmjetës moderator dhe ekujlibronjës në mes të dý partivet kundrështare: ishin nja dhetë deputetë të Shkodrës edhe un me ta (un qy nga fillim’i parlamentit në vjeshtën e 1920-shit gjer nga fund’i ’24-shit). Kishin për leader L. Gurakuqin e antarë, ndër tjerë, ishin P. Gjergj Fishta, D. Ndre Mjedja, Xhemal Bushati et. Tendenca e përgjithëshme ishte një konservatorizëm okcidentale, jo ekonomike, por zakonore, për respektimin e zakoneve të mira të vêndit. Të dý partitë patën bërë tentativa të shuma për të na bindur që të shkriheshim me to. Nuk qemë dhënë asnjë herë. Në të dý anët kishte më shumë shkaqe që na largojshin se të na afrojshin. Si asnjanës na dukej se edhe shërbim’i ynë do t’ishte më i madh.

Mirpo aty në korrik ase gusht të  21-së në parlament ngjau një punë me rëndsí që i dha fund asnjansisë s’onë. Sërbt kishin nisur në Kosovë një valë salvimesh (persekutimesh) të pamëshrirshme. Na u proponuam të dý partivet që të dërgohej nëpër kryeqytetet e Evropës një misjon tre krerësh kosovarë të mërguar qymoti në Shqiprin’e lirë për të protestuar me memoranda e mundsisht me anën e shtypit kundra asaj vepre të panjerzishme të Beligradit. Të dý partitë na dhanë fjalën se do të votojshin me gzim një resolutë të këtilë. Edhe qeverija e kishte pëlqyer inicjativën t’onë e na kishte premtuar mjetet financore. Erdhi dit’e bisedimit e e vëndimit në parlament. Folën 16 oratorë, sa s’kishte ngjarë ndonjë herë kaqë rhetorikë enthusjaste për të qarë robrín’e Kosovës. Po kur numrohen votat, në vênd t’unanimitetit që pritshim na, në favor të resolutës, çë shohim? Resoluta ësht rrëzuar. Përparimtarët zakonisht s’çajshin shumë kokën për t’i frekventuar mbledhjet, kështu kishte ndodhur edhe atë ditë; popullorët ishin pothua të gjithë aty.

Edhe që të gjithë, me një dishiplinë shëmbullore sikur mos t’ishte për faqe të zezë të tyre, kishin votuar kundra! Duallmë nga salla t’indinjuar dhe vamë te Bajram Curri që po na priste me plot shpresë që t’i shpinim lajmin e mirë: Gurakuqi, Fishta dhe un. Kur i dhamë lajmin e keq, sikur t’a kishim vrarë. Me gjithë që analfabet i gjori, foli këtë fjalë historike; “Po më vjen mâ keq për Shqipninë e për burrat qi paska se për Kosovarët qi po grîhen”, tha. Pastaj na pyeti se kush kishte votuar pro e kush kundra. I u përgjegjëm se votimi ishte bërë me skeda të fshehta e nuk mund t’a dijshim me sigurí, por se na dukej që popullorët kishin votuar kundra, mbasi qênë ata që e kërkuan votimin të fshehur. U mejtua pak, pastaj na u kthye: “Or burra, or miq, a po m’a jepni një besë? Deri sot i kam dashë fort popullorët e aspak përparimtarët; por sod, qe besa, paska ardhë dita me va shtrî dorën përparimtaret: a m’a jepni besën se po bashkoheni me ta, në një partí?” Kishim shtêngur, shikuam njëri tjetrin e Fishta as nuk priti më, zgjati dorën e i tha; “Qe besa un për vedi po, or Bajram Beg!” Atëherë po ashtu bëmë edhe na dy tjerët. Mblodhëm grupin po atë natë dhe vëndosëm e u bëmë Përparimtarë edhe na, gjithë grupi.

Me të parën e shtatorit, në mos gënjehem, bie fest’e çlirimit të Vlorës. Këtë mot kisha vajtur dhe un atje për atë gzim kombtar. Miqt e mij vlonjatë i gjeta të hidhruar shumë nga hyrj’e jonë në partinë përparimtare, në shoqrí “me feudalët e Shqiprisë”. Një natë, Qazim Koculi kishte organizuar në shtëpí të tij n’Ujë të Ftohët një darkë intime për mua, ku kishte ftuar pak shokë tjerë që ishin edhe miq të mij. Ndër ta ishte dhe Avni Rustemi. Më futën në mest me fjalët më të thekshmet për të më përgjëruar që bashkë me Gurakuqin të hidheshim me “Popullorët”. U përpoqa të pruhesha me argumentat më të fortët që kisha e t’i bindsha se do t’ishte një gjë shumë më e lehtë për ndërgjegjen t’ime, për nderin t’im, për prestigjin t’im e për çdo arsye tjetër që të kërkojshin heqjen t’ime definitive nga jeta politike. Një muaj më parë kam dhënë një vëndim bashkë me shumë shokë të mirë dhe sot të kthehem e të ndahem prej tyre ase të ftoj dhe ata për të bërë bashkë me mua djametralisht të kundërtën e asaj që kishim bërë, këtë vetëm një i çmëndur ase dashakeq mund t’a kërkonte nga un.

I kuptojnë dhe i pranojnë arsyet e mija, po dhe që të më shohin mua krah për krah me Vërlacra e shokë, as këtê, thojshin, s’e honepsin dot as trutë, as zêmra e tyre. Kishim mbetur këtu, në kët’impasse.  Një idé më shkrepi nga fund’i shpirtit. Kthehem e u flas miqve të mij kështu: Dëgjomni mirë! Shokët e mij shkodranë e un ndofta me të vërtetë kemi bërë një punë të nxituar, të provokuar nga një hidhrim i çasëm. Nga pikpamja e dinjitetit t’onë edhe nga ajo e interesës së përgjithëshme pozit’e jonë e mëparshme qe e vetmja ajo që lypsej. Po ja ku u bë tashti, atë positë e humbëm, s’ka sot për sot asnjë mundsí që të kthehemi prapa pa u bërë palaço.

E ju keni kurajën të kërkoni prej meje një hapë edhe më tutje, që të bëhem dy fijsh palaço. Edhe këtë m’a propononi n’emër të një parimi politik e shoqror, n’emër t’idevet shoqrore që kam ndjekur, për të cilat kam luftuar me flamur hapur gjithë jetën. S’më paska hije mua t’ulem në një bango me Shefqet Vërlacin po më paska hije të rrij në një bango me Ahmet Zogun! Flisni sikur i keni harruar a s’i keni përfillur kurrë fjalët që ju kam thënë për këtë bej të Matës, bindjen e ngulur që kam formuar që në 1915, qy shtatë vjet para për të: ai ka ndër mënd dhe do të përpiqet me mish e me shpirt e me çdo mjet e mënyrë të bëhet mbret i Shqiprisë, ja ku po ju a them për herë të fundit, tý Qazim dhe tý Avni! Ju s’e keni besuar kurrë e mos e besoni as tashti; thoni si më tha Bahri Omari aty – shpejt mû në tryezë të Dan Hasanit në Shkodër, faqe nja 20 burrash: “Mos e dëgjoni Mustafanë për Zogun, se flet me parti pris.

” Më duket se ke qênë dhe ti aty, Kocul, edhe nuk bëre zë: duket se me zêmër i dhé të drejtë Bahriut. Jepi dhe tashti të drejtë atij, po deshe, por un ruaj bindjen t’ime. Doni që të bëhet ai mbret i Shqiprisë? Thomni që e doni, e pëlqeni për mbret të Shqiprisë, ju, demokratija popullore e Jugës e un, po ju ap fjalën e nderit se do të jemë i pari nga Veriu që do të vete t’i paraqes homazhet e mija. Po mos m’a hani shpirtin me demokratinë popullore të tij. Në fund të fundit ësht beu më i zgjuari i Shqiprisë e as patrijotizmën s’mund t’i a mohojë njeri. Pse të mos bëhet mbret? Le të bëhet, në qoftë se ju të Jugës e doni; për ne “fiset” ësht më lehtë t’a pranojmë, e, si t’a kemi pranuar një herë, dijeni që s’e lëshojmë më. Sa për Shefqet Vërlacin me shokë, ju garantoj un se s’kanë tjetër kujdes veç që të ruajnë çifliqet e tyre e kjo ësht një çeshtje që një ditë a një tjetër, në një mënyrë a një tjetër ka për t’u zgjidhur.

As, ju lutem, mos ejni të më bindni se njerzit e klikës janë modela patrijotizme e demokratije! Duhet t’i njihni ju e t’i dijni methodat e tyre më mirë se un. Por le t’i lemë këto e të bëhemi pakëz më serjozë: ësht sot koha të merremi me gjepura partishë e klasësh? Mua më ngján që s’kemi një Shqiprí edhe. A e dijni që s’kemi edhe kufijt e atdheut të caktuar e se një pjesë e Veriut ndodhet edhe e okupuar prej Sërbvet? Sot Shqiprija ka nevojë për bashkimin e gjithë forcavet kombtare në një blok t’acartë e për një qeverí që të jetë e zonja t’u bëjë ballë problemavet kombtare më urgjente pa çarë kokën për interesa personash, partishë a klasësh. Kam përpara dy burra, nga të cilët njëri dijti t’a shpëtojë atdheun nga buza e varrit me një akt heroik individual dhe tjetri meritoi të vîhet në krye të nj’asaj lëvizjeje madhështore që vëndosi fatin e gjithë Shqiprisë e që po kremtojmë sot këtu për nderin e gjithë Vlonjatet. Juve, Avni e Qazim po ju sillem e ju them: jeni të zotrit t’a shpëtoni Shqiprinë edhe një herë me një bashkim të shênjtë kombtar? Pa në qoftë se do të mbetemi kështu si jemi sot të ndarë e të përçarë në klasë, partira, grupe, klika e persona, mos çani kokën, se s’ka asnjë rëndsí vënd’i Mustafa Krujës, i Luigj Gurakuqit, i P. Gjergj Fishtës a i kujdo qoftë mbi bangot e parlamentit: S’ësht petku që e bën murgun murg as vêndi që i a ndërron njeriut ndienjat e mejtimet.

            N’atë kuvênd miqsor e të sinqertë ku un së pari qeshë shtrënguar të pruhem kundër proponimesh dashamira e vullnetmira, nga an’e dy patrijotve të mëdhaj e shokve të çëmuar, por shnjerzore për mua sikur t’i pranojsha, tashti nga proja kisha kaluar në një ofensivë stili të madh e të lartë, jo më personale, por kombtare. Dhe efekti, pastaj sukcesi qe i plotë. Qazim Koculi e Avni Rustemi e pranuan plotsisht proponimin t’em për një tentativë bashkimi të shênjtë, tuke nisur nga parlamenti, nga partitë. Më kërkuan dhe një shok të tretë, një Gegë. Kishin arsye, dhe mua më vajti mêndja atypraty te Bajram Curri. E mora vetë përsipër porsa të kthehesha në Tiranë. Vajtsh e fola dhe me këtê. E pranoi me enthusjazëm që të bashkpunonte me dy tjerët n’at’inicjativë. Qazimi e Avniu pritshin një lajm prej meje që të vijshin atje. Ishte gjë e domosdoshme që mos të merrej vesh se ideja e proponimi kishin dalë prej meje. Ndryshe shêmbej qielli e tërë puna dështonte. Kështu ishim marrë vesh edhe në Vlorë e prandaj kishim caktuar në mes t’onë një parollë.

            Dy miqt e Vlorës erdhën. Kisha frikë për Avninë. Gjaku i Esatit në Paris, siç thonë ndër ne, s’ishte tharë edhe e s’ishte pun’e vogël. Sikur të m’a vrisnin në mes të Tiranës? Prandaj s’mund t’a lija në hotel. Desha t’a shpie te Curri, po ky mjerisht s’kishte vênd. U shtrëngova t’a marr në shtëpinë t’ime, me keqardhje e me frikë se mos të kujtoheshin kundrështarët e mij për rolin t’im. Por puna në fillim nuk vajti edhe aqë keq. Të dyja partitë pranuan një pushim veprimtarije partizane, për gjashtë muaj një herë dhe pastaj me të parë e me të bërë. Qëndresa më e madhja, reservat jo vetëm mendore, po dhe formale vijshin kryesisht nga Popullorja, nga Eshref Frashëri. I pari kusht që vunë ata qe formimi i qeverisë më parë e pastaj bashkimi – që do të thirrej pikrisht Bashkim’i Shênjtë – rreth asaj qeverije. E kuptoni fare bukur qëllimin e këtij kushti: sŷt’e klikës ishin gjithnjë në qeverí! Tre pleqt (arbitrit, inicjatorët) zunë të merren me formimin e qeverisë, natyrisht tuke u marrë vesh vazhdimisht me eksponentat e të dý partivet. Ata në të vërtetë po bënin atë që ligjorisht e në kushte normale i përkiste Kshillit të Naltë.

Por ky ishte fare i kënaqur që të mbarohej puna mirë me parlamentarët, e atyre t’u vihej gati përpara për dekretim. Një kusht i dytë i Popullores : Mustafa Kruja s’do të marrë pjesë në qeverí ; dhe një i tretë : Ahmet Zogu ministër i brêndshëm. Shihej fare sheshit se Popullorja e kishte pranuar bashkimin vetëm për sy e faqe, e vëndosur që t’a përmbyste inicjativën tërthorazi ase t’a shpiente ujin në mulli të saj nën maskën e Bashkimit. Pleqt po mërziteshin tepër. Luigj Gurakuqi bën çmos, natyrisht edhe me shtytjen e përkrahjen t’ime pa kondita, që puna të përfundohej me çdo sakrificë. Edhe partija, ajo partija e keqe e feudalet, e kishte lënë krejt të lirë në veprimet e tija. Të mos e zgjatim, pranohet prej anës s’onë kusht’i Popullores që më përkiste mua, po refuzohet ai që i përkiste Zogut: i viret Popullores dilema: Zogu dhe Kruja bashkë, njëri i brêndshëm e tjetri i luftës, ase asnjëri. U kapërcye ky hendek me asnjërin. U vëndos atëherë të zgjidhej pikë së pari kryeministri. U gjet një plak patrijot i shquar, po për punë i vdekur për së gjalli: i ndjyeri Pandeli Evangjel, i partisë popullore.

Përparimtarja kërkoi tashti që ministrij’e brêndshme t’i ipej asaj. E pamundur! Edhe atê duhej t’a kishte Popullorja. U pranua një farë Bajram Fevziu, ish oficer i ushtrisë othomane, klikar e zogist; i u la Përparimtares ajo e luftës. U shënua Jusuf Gjinali, një tregtar nga Tirana, ish aiutant i Rexhep Pashait kur ishte valí e komandar i Tyrqisë në Tripolitaní e pastaj ministër i luftës. Ky s’kishte lidhje me asnjë partí, por përparimtarja e pranoi pasi kishte qênë dikur një oficer i mirë e ishte burrë i ndershëm e i matur. Doni dhe më? Popullorja kërkoi dhe një oficer të saj për nënministër të luftës e.... prap i u pranua e u zgjodh Major Mustafa Maksudi nga Gjirokastra! Fundi, ministrat tjerë u ndanë përgjysmë në mes të dý partivet, pa asnjë burrë të shquar brênda, dhe mundim’i tre pleqvet mori fund, Bashkim’i Shênjtë u bë në këtë mënyrë të shkëlqyer! I pari akt i ksaj qeverije qe shpërndarj’e parlamentit.

            Sikur t’ishin paraparë pasojat e një bashkimi të këtilë, do të kishte qênë shumë më mirë që punët të kishin vazhduar ashtu siç ishin. Por s’u parapanë. Për këtê, un vetë më i pari jam fajtor, jo për idenë, e cila qe e shênjtë dhe e vetmja që, sikur t’ishte sendërtuar (realizuar) siç lypsej e me vullnetin e mirë të të gjithve, do të kishte qênë vetë shpëtimi; por fajtor sepse e përkraha edhe kur u pa haptazi se anës së kundërt i mëngonte çdo vullnet i mirë, çdo kuptim përgjegjsije ndaj atdheut.

            Nuk mjaftoi që qeverija qe formuar mbi baza të kalbura, po pastaj u shtuan dhe elementa tjerë për t’i koklavitur punët edhe më keq. Jusuf Gjinali s’pranoi e Pandeli Evangjeli, pa dyshim i kurdisur prej Eshrefit e Zogut, i a ngarkoi ministrin’e tij (të luftës) Mustafa Maksudit, nënministrit klikar e zogist, Hil Mosi, u tërhoq pa marrë pjesë asnjë herë në qeverí. Ky ishte një nga dy deputetët katholiq të Shkodrës (tjetri Kolë Thaçi) antarë të Popullores. Ky e kuptoi se me atë qeverí zgjedhsit e tij do t’ishin të pakënaqur edhe u trëmb. Ngjau pastaj një pun’e madhe shumë: Lidhja e Kombevet vëndosi në tokën shqiptare gjatë kufirit me Jugoslavinë një rryp asnjanës dhe i urdhroi Beligradit që t’i tërhiqte forcat okuponjse të tija prapa asaj zone në tokë të saj. Pa asnjë nevojë të vërtetë dhe pa një vëndim të kshillit Pandeliu i humbur e i thjeshtë, viktimë e B. Fevziut e M. Maksudit me Eshrefin e Zogun prapa kurtinës, emroi dy komandarë për të marrë në dorzim tokat shqiptare au fur et à mesure   që të liroheshin prej ushtrisë sërbe: Bajram Currin në veriperëndim dhe Ahmet Zogun në verilindje. Ky i fundit, me të vajtur, nisi tuke rekrutuar fuqira civile qy në Mat – sikur kishte për të luftuar me Sërbt dhe s’i mjaftojshin dy bataljona të rregullt që kishte me vete – dhe pastaj tuke dërguar raporte të nënshkruar me titull Komandar’i përgjithshëm! Ministrat e Përparimtares, lënë në t’errët edhe t’emrimit të tij, tronditen, protestojnë, kërkojnë revokimin e të dy komandarvet dhe dërgimin në vênd të tyre t’auktoriteteve administrative.

Ministrat që kishin emruar refuzojnë. Ata japin dorheqjen. Dorheqsit bashkë me dy tjerët që s’patën hyrë fare në qeverí, përbëjshin shumicën e ministravet, kishin mbetur vetëm Pandeliu me dy ministra. Kshill’i Naltë thërret Pandeli Evangjelin dhe i thotë se me këto kushte qeverij’e tij s’kishte më bazë juridike për të qëndruar mbë këmbë, asnjë veprim i saj s’mund të quhej më legal: prandaj ai, K. i Naltë, e quante të tërë qeverinë dorheqse dhe emron në vênd të saj një qeverí të re. Për këtë qeverí u kshillua me neve, disa eksponenta të Përparimtares të njohur si antizogista: Hasan Prishtina, Irfan Ohri, Ramiz Daci, deputetë të Dibrës, Riza Dani, deputet i Shkodrës, Zija Dibra dhe un, që ndodheshim në kryeqytet e banojshim atje; se tjerët pas shpërndarjes së parlamentit kishin vajtur nëpër viset e tyre. Na të gjashtë mblidheshim e kshillohemi me njëri tjetrin e me K. e Naltë. Qeverija që u formua qe kjo: kryeministër Qazim Koculi, ministra: Luigj Gurakuqi (që s’ishte atje), Hasan Prishtina, Zija Dibra (një ish-oficer i shtatmadhorisë tyrke e ministër dorheqës në qeverinë e P. Evangjelit), Hoxhë Kadrija (një hoxhë mjaft i kulturuar, jurist e me ndienja liberale nga Prishtina, deputet i Dibrës), Koço Tasi, Lon Llogori, Kristo Dako, Ahmet Dakli. Për këtë listë, K. i Naltë e komitet’i të gjashtvet qênë në një mejtim. Por kur u thërrit Koculi nga Vlora dhe i u treguan shokët që ishin pëlqyer prej nesh, kundrështoi për dy vetë: për Prishtinën dhe për Dakon.

Për të parin sepse njihej si bej, ndonse nuk ishte, dhe për të dytin, sepse ishte i urryer prej Fan Nolit. K. i Naltë dhe komiteti i hoqën që të dy nga lista dhe i a lanë Koculit t’i zvëndsonte me kê të dëshironte. Koculi kërkoi edhe që Pandeliu të kishte dhënë vetë dorheqjen, sado që K. i Naltë e quante të rënë vetvetiu; së paku në çdo regjim parlamentar të botës ku një kryeministër mbetet ndër konditat e tija e pa një shumicë të partisë së tij në parlament, do t’ishte i detyruar t’epte dorheqjen. Mirpo i gjori Pandeli s’e kishte veten në dorë, ishte Eshref Frashëri me klikën e tij, parlamentare e ekstraparlamentare, që e urdhronte. Puna qe acaruar keq. Bajram Fevziu e Mustafa Maksudi mund të përdorshin edhe forcën, e cila komandohej prej oficerash klikarë e zogista, si Xhavid Leskoviku e Osman Gazepi. Por edhe n’anën tjetër kishte një fuqí vullnetarësh civila nga Dibra që s’mbaj mênd se si ndodheshin në Tiranë e këta ishin antizogista. Ishte pra rrezik të plaste dyfeku ndërmjet këtyre dý forcave e të derdhej mjaft gjak. K. i Naltë na thirri Ramiz Dacin, Hasan Prishtinën dhe mua e na u lut që të venim e t’i a tfillojshim Pandeli Evangjelit këtë situatë të rrezikshme në hotelin Internacjonal ku banonte e t’i luteshim edhe nga an’e tij që t’ipte dorheqjen për të mos u bërë shkaktar, ai si një patrijot i vjetër pa njollë që ishte, i një mynxyre t’atilë. Vamë, i folëm pikrisht në këtë mënyrë, dhe Pandeliu na dha fjalën se do t’a bënte menjëherë. Dhe me të vërtetë e bëri.

Klika e agjentat e Zogut e patën hapur pastaj fjalën se na i a kishim marrë dorheqjen Pandeliut me kubure mbë zêmër. Jo kubure, po as një fjalë t’ashpër s’kishte pasur prej nesh. Pandeliu vetë, mbi një pyetje që i solla më vonë un në parlament nën bajonetat e Zogut që ky kishte sjellë në Tiranë siç do t’a tregoj tashti shpejt, e përgënjeshtroi atë shpifje burrërisht.

   Të nesërmen, Koculi me shokët e tij dalin e zënë zyrat e tyre në kryeministrí e nëpër ministrira, veç ndonjërit që s’u ndodhte në Tiranë. Dërgohen prej qeverisë së re edhe telegramat qarkore të rasës nëpër prefekturat. Mirpo me t’ardhur nata e me t’u tërhequr qeveritarët nëpër banesat e tyre, janë kundrështarët që punojnë: Eshrefi, si kryetar i parlamentit, a, mbasi ky qe shpërndarë (dissous) legalisht me dekret të K. të Naltë, më drejt të thomi, i ish - parlamentit, vete në telegrafë dhe u dërgon një qarkore gjithë ish - deputetve të gjithë Shqiprisë tuke u thënë që të mblidheshin sa më parë n’Elbasan, se në Tiranë ishte bërë një coup d’Etat   nga an’e K. të Naltë me ndihmën e elementave tjerë turbullonjës që kanë rrëzuar me forcë qeverin’e P. Evangjelit dhe kanë sjellë në fuqí Qazim Koculin. Edhe Xhavid Leskoviku e Osman Gazepi me forcat që kishin nën urdhrat e tyre nisen po atë natë për Elbasan. Të nesërmen, nisin e i rrjedhin Qazim Koculit telegrama protestimi nga gjithë Juga, aty brênda dhe Vlor’e tij. I gjori Qazim u demoralizua keq, dhe vajti e i paraqiti K. të Naltë dorheqjen: 24 orë qeverí sa për emër e prapthi për Vlorë. Ishim përpara një khaosi që shpejt do të mbaronte me diktaturën 15 - vjeçore t’Ahmet Zogut, me tituj të ndryshëm: i brêndshëm, kryeministër, kryetar republike, mbret.
           
 
Shkrimi u publikua sot (3.11.2013) në suplementin "Rilindasi" gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore