Populli shqiptar, banues autokton i trojevet qi zên sod në gjysishullin ballkanik qysh kur kjo trevë u pushtue për herë të parë prej Indo – Evropianvet, e ka shkuem gjithë jetën e vet në luftë me popuj invadues mâ të fuqishëm për me pruejtun pronat e institucionet e veta plurishekullore. E kur s’ka mûjtun mâ me u qëndruem forcave eprore âsht tërhjekun e ka rruem nëpër bjeshkë, gryka e lugina të paqasëshme, i shkëputun prej krejt botës tjetër, veç me ruejtun individualitetin etnik e doket e vjetra të tija.
Në 1912 leu Shteti shqiptar indipendent, por gati gjysma e popullit prap se prap u la prej Pushteteve të mëdhá t’Evropës nën zotnim të fqînjvet.E qe se edhe ky shtet i cungulluem qi leu s’pat kohë as me çelë sytë ende, e i a behti lufta e parë Botnore. Toka shqiptare u shkel prej pushteteve ndërluftuese e nuk u lirue mâ krejt veçse në 1920, kur populli i Skanderbegut përsëriti në Vlonë nji prej atyne gjesteve të rralla heroizme qi s’mungojnë në historinë e tij. Italija u shtrëngue, vetëm prej gjallnisë vërshuese të popullit shqiptar, pa asnji ndihmë të jashtme, e prej opinionit anti – imperialist italian, me e lëshuem bazën e Vlonës.
Shkodra, e shtrueme mbas luftavet ballkanike 1912 – 1913 sidhe mbas luftës së parë botnore nji regjimi ndërkombtar, po n’atë vjetë (1920) i u lëshue Shtetit shqiptar. Lidhja e Kombevet detyroi në vjetën tjetër, 1921, Jugosllavinë me lëshuem nji rryp të gjânë të tokës shqiptare gjatë kufînit qi ajo pat pushtuem kur u tërhoqën trupat okupuese austro – hungare në mbarim të luftës. Mâ vonë nji komision ndërkombtar vot e vërtetoi në vênd kufîjt e Shqipnís jugore, të kontestueme prej Grekvet. Kështu u sigurue me vêndime e akte solemne integriteti toksuer e stabilitet’i Shtetit shqiptar së jashtmi, me nj’ata kufîj qi kishte caktuem Konferenc’e Londrës në 1913.
Por nëse rreziku i përjashtëm qe zhdukun për kombin shqiptar, nji tjetër, ndoshta edhe mâ i madh, qëndronte ende me të tânë kërcnimin e tij përmbrênda. S’âsht nevoja me qênë psikolog i thellë për t’a nduitun karakterin e nji populli qi ka rruem me shekuj e shekuj në frikë t’anmikut qi ka pasun përbrinjë në votër dhe prandêj gjithmonë me pushkë për faqe.I ndamë ndër fise e klane, ndër krahina pa udhlidhje as në mal as në fushë, posë atyne qi kishte krijuem vetë natyra dhe kâmb’e njeriut e e kafshës e me tre besime të ndryshme. I druejtun kundrejt çdo të panjohuni e çdo gjâje të re qi s’âsht ndër zakonet e tija ; rebel kundra çdo ligje a institucioni qi s’u përshtatej këtyne zakoneve ; pa nji gjuhë kombtare t’unjishme, ndonse çdo djalekt qi flitej në nji vênd kuptohej mjaft mirë në të gjitha anët e Shqipnisë ; pa shkolla e pa kurrfarë ligjesh moderne posë ça kishin lânë regjimet e ndryshme të hueja qi kishin sunduem a kaluem mbi tê njani mbas tjetrit.
Me gjithë këto elemente negative, ai popull kishte në themel të natyrës së tij vërtyte e cilsina qi e kishin mbajtun gjallë në mes të gjith’atyne shtërgatave qi ishin përshkuem mbi të cilat, ndoshta, asnji popull tjetër s’do të kishte mûjtun t’i bánte pa u shkrîmë. Shqiptari âsht kryenaltë edhe nën leckat e nji të vorfni fshihet nji natyrë princi ; prandej Shqiptari, po t’a çojë nevoja me vjedhun, nuk bracnon, por armatoset dhe ve e grabit ase bie pré me rrezik të jetës. Shqiptari ka besë : po t’a dha fjalën, shkon deri në dekë e në frikë për tê. Shqiptari âsht mikpritës : sado i vorfën qi të jetë, e ka derën çelë për të verptë (verbët) e për të shqeptë (çalë), për të njohun e të panjohun. Âsht ligj i shênjtë për tê, me mos e falë kurrë çdo dhunë e rrêng qi t’i bâjë kush “mikut” qi ka dalë prej derëssë tij, e në këtë rasë asht mik edhe nji qi mbrênda as zânin s’i a ka ndîem kurrë.
Shqiptari âsht patriot, në qoftë se ksaj fjale i apim kuptimin e dashunisë për gjak e farë, gjuhë, zakone e troje të përbashkta qi i përkasin nji bashkarije. Nëse ndryshimi fetar ndîhet sadopak ndërmjet katolikut e myslimanit, ndërmjet myslimanit e ortodoksit shqiptar faqe shoshoqit përmbrênda, kjo ndjesí âsht thjesht efekt’i propagandës kishtare, e me gjithë këtê, âsht zhdukun kryekëput kurdoherë qi Vêndi âsht gjîndun përpara nji rreziku të përjashtëm, e â zhdukun deri ndërmjet kishtaret vetë. Âsht nji gjâ e pabesueshme, por âsht nji fakt : në Shqipní gjinden familje të përzieme myslimanë e katoliq (në Lurë, p.sh.) e myslimanë e ortodoks, si në Dukatin e Vlonës.
Ky ishte brumi i popullit shqiptar kur Shqipníja u bâ de jure Shtet më vete në 1912 e gjithashtu kur në 1920 mûjti me e pasun pavarsín e vet edhe de facto. Nji brumë prej mielli të shëndoshë, por bluem ashpër prej kohet. Duheshin duer t’afta për t’a gatuem. Por mjerisht, Shqipníja s’e pati këtë fat me drejtuesit e vet. Këta daheshin në dý klasë : mbë nji anë ishin parija e vêndit, e dame edhe kjo në dý kategorí : paríja e qytetevet e fushave pjellore dhe ajo e malevet. Kategorij’e parë përbâhej prej beglerësh e agallarësh, myslimanë, siç e thotë vetë titull’i njanës palë sidhe i tjetrës.
Në kontakt direkt e të ngushtë brez mbas brezi me Turqit, zotnuesat e Vêndit, mâ tepër beglerët se agallarët përkrahës të tyne, shpirtnisht ishin turkosun qind për qind edhe ata vetë. Shumic’e tyne ishte edhe injorante ase moralisht e shfisnueme, ase të dyja bashkë. Nji provë të ndritshme për mêndsín e ksaj klase e patën Shqiptarët mû ditën qi u shpall pavarsíja kombtare, dhe va dha vetë Ismail Kemali, ai qi i kishte prîmë lëvizjes kombtare n’atë rasë e qi kryesonte kongresin revolucionar për atë qëllim. Ismail Kemal Beu Vlora i proponoi kongresit nji listë personash për të formuem qeverín’e përkohshme pa asnji të krishtênë mbrênda dhe vetëm prej asaj klase ! N’atë kongres kishte edhe delegatë të krishtênë qi përfaqsojshin plot të tretën e Shqipnísë së Londrës. Por kundra asaj liste qenë të rîjtë intelektualë t’anës myslimane, para të krishtênëvet vetë, qi protestuen. E Kryetari hoqi dorë soje, tue ia lânë zgjedhjen e ministravet drejtpërdrejt kongresit.
E pra Ismail Kemal Vlora ishte nji nga beglerët mâ të ndritunit të Shqipnísë, patriot i madh dhe kishte shkuem nji pjesë të gjatë të jetës së tij n’Evropën perëndimore. Por beglerët e quejshin sundimin si nji të drejtë hyjnore për veten e tyne, mû si mbretnat e dikurshëm.
Parinë tradicionale të popullit shqiptar e damë dý pjesësh, dhe tashti po flasim edhe për pjesën e dýtë, qi âsht ajo e malevet. Dhe kur themi male, kemi ndër mênd vetëm ato të Shqipnísë s’Epër, të cilat kanë bâmë deri në fund nji jetë autonome nën ligjet zakonore të tyne, jashtë çdo ndëkimi efektiv t’administratës otomane. Ata ligje barin emnin Kanun’i Lekës ndër ato vise qi përbâjshin princnín e hershme të shtëpisë së Dukagjinit, dhe Kanuni i Skënderbeut në qarkun e princnísë së Kastriotëve. Organet zbatuese të këtyne ligjeve janë pleqsít’e viseve të ndryshme dhe në krye të këtyne të gjithave âsht, për çdo gjyq qi s’e dajnë dot ata vetë, Kapidan’i Mirditës i shtëpisë së Gjomarkajve t’Oroshit.
Nji tjetër shtëpí në zâ ndër të parët e maleve të Gegnísë ka qênë ajo e Zogollit të Mates, prej së cilës duel Mbreti Zog I. Karakteristika kryesore qi dallon këtë parí prej asaj të fushës, âsht fakti qi kjo, sikur vetë popull’i atyne viseve, tue pasë rruem i papërziem me rrethet sundimtare të mbretnís otomane e aq mâ pak me popullin turk, i kanë ruejtun shumë mâ të thjeshta zakonet kombtare. Përgjithsisht këta s’kanë pamë as shkolla me sŷ, por kanë lemë e janë rritun në shkollën e natyrshme të zakonevet e të Kanunit, bashkë me popullin, dhe njohin këtê e nevojat e tij mâ mirë se mâ i ndrituni intelektual i Shqipnísë. E qe i pari gabim i drejtuesve të Shqipnísë së re : s’e kuptuen rândsínë qi kishte kjo “shkollë” praktike e gjenuine për themelet e Shtetit qi po krijohej. Dhe ndoshta as sod s’kujtohet kush se sa shtrênjt i kanë kushtuem Vêndit pasojat e këtij gabimi, tue filluem prej luftës civile të Mirditës në 1921 e tue mbaruem me triumfin e komunizmës në 1944.
Klasa tjetër e drejtuesve shqiptarë qe “borgjezia intelektuale”. E drejta nji borgjezi me kuptimin qi ka fjala sod n’Evropë, Shqipníja s’e ka pasun, sikurse as ndonji aristokraci të vërtetë jo. Sido qoftë, duhet t’a thomi se edhe borgjezija shqiptare, dmth. banorët e qytetevet, nji farë analogjije me borgjezinë tjetër evropjane e ka pasun, me këtë kuptim, qi edhe në Shqipní ajo përbânte klasën e mesme, ndërmjet katundsisë dhe “aristokracisë”. Borgjezi shqiptar, njimênd, si qytetar, ka qênë nën influencën direkte të sundimit otoman e nën atê të beglervet, por edhe në kontakt mâ të ngushtë me katundarin sesa vetë beglerët.
Por edhe ky ka njohun vetëm katundarin e fushës, ku kishte qytete, qytete shqiptare nga të cilët mâ i madhi (Shkodër, Korçë) mbërrînte a s’mbërrînte në njizet mijë banorë. Malsori kishte fort pak punë me qytetet, ai ishte autarqik : ushqim, mbathë e veshë i nxirrte nga toka e bagtíj’e vet. Nevoja kryesore e themelore e tij për qytetet ishte krypa, për gjînd e për gjâ të gjallë. Por edhe këtê e gjênte në dyqan të katundit të vet : gati në çdo katund të malsívet kishte nji dyqan të mbajtun prej nji qytetari të fushës. Ndër qytete kishte edhe shkolla nën sundimin turk, për myslimanët shkolla turke, të cilat kishin vetëm emnin shkollë, po t’a marrim me kuptimin modern të fjalës : nji shkollë fillore me nji hoxhë (mësues feje). Me gjithë këtê nxêhej sa me shkarravitun disi ndonji rresht turqisht plot me gabime, emna veçorë për veresije tregtare dhe numra.
Aty – këtu, ndër qêndra mâ të mëdhá gjîndej edhe ndonji ruzhdije me tri klasë gjimnazi t’ulët e rrallë ndonji tjetër me pesë. Por popullatat e krishtêna kishin shkollat e tyne konfesjonale, në Jugë greqisht e të mbajtuna indirekt prej Shtetit grek, e në Verí (Shkodër) shqip e italisht, mjaft të mira, të subvencjonueme prej Austro – Hungarisë e Italisë nën administrimin e mësimin e klerit katolik.
Ata qi dilshin ashtu-kështu prej këtyne shkollave, po të kishin familjet mundsí financore i dërgojshin me plotsuem studimet ndër qytete mâ të mëdhá të perandorís, si Janinë, Monastir, Shkup e Selanik, ase edhe në Stamboll për mësime universitare. Kështu myslimanët ; kurse katolikët lakmojshin Austrín e Italín dhe ortodoksit Greqín. Nga myslimanët rrallë ndonji djalosh prej klasës së beglervet ka mundun me studjuem kund ndër kryeqytetet e Perëndimit.
Kështu ka qênë formuem në Shqipní nën zotnimin otoman klasa e quejtun intelektuale. Mësimi nuk ishte i detyruem as ndër klasët fillore. Kush i dërgonte fëmijët në shkollë, i dërgonte për ndonji qëllim privat : borgjezija myslimane, disa për nevojë tregtije, e shumta për me i siguruem djalit ndonji zyrë n’administratën shtetnore, e beglerët – vetëm ata të Jugës – për me u ngjitun sa mâ nâlt në gjerarqinë politike e administrative të perëndorisë. Për sa u përket dý elementeve të krishtêna, borgjezia ortodokse e katolike kishin para sŷsh kryesisht tregtín, e nji pakicë e vogël kulturën për kulturë ase profesionet e lira. Por Kisha katolike të shumtën e klerit shqiptar e ka rekrutuem prej malsijet e katundsíjet.
Tashti Shqipníja ishte bâmë shtet i lirë. Me nji ekonomí primitive e, pa Kosovën qi qe bâmë, me vêndimin e Pushteteve të mëdhá, provincë jugosllave, të pamjaftueshme. Me nji popullsí malsore qi përbânte gjymsën e krejt kombit, pjesa mâ e shëndosha moralisht e fizikisht, por edhe mâ e vorfna e mâ e pastërvituna për nevojat e qytetnís moderne. Me fusha shumkund moçalore e malarike dhe me ujna qi s’i kishte rregulluem kurrë dorë njeriu. Me nji industrí thjesht artizanore. Me nji tokë 28.500 km.² e nji popullsí totale nja nji miljon frymësh.
Po t’i pyeste kush patriotët shqiptarë kur, nën zotnimin otoman, u përpiqshin për pavarsín e atdheut të vet, nëse populli shqiptar ishte i pjekun për nji eventualitet të tillë e nëse kishte mjaft gjînd të mësuem për t’a qeverisun e administruem, kishin gati nji përgjegje shumë të lehtë, por të papeshueme mirë. Thojshin : “Populli shqiptar ? Po athue s’kemi qênë shi na Shqiptarët elementi kryesuer qi ka sunduem e âsht tue sunduem edhe sod krejt perëndorinë otomane ?
Athue s’qênkemi na deri te Malazezt qi kanë qênë kati gjithmonë mbë vete e janë edhe sod ? E deri te Sërbt, te Bullgarët e te Grekët madje ?” Po, por harrojshin se me qeverisun nji popull n’Evropë, donte me thânë me e qeverisun në rrugë të prosperitetit e të qytetnimit evropjan, e këta me metoda të përshtatuna psikologjisë së popullit shqiptar vetë ; harrojshin se malsorët e Malit të Zi, me Knjazin e tyne në krye, qeveriseshin vetë nj’ashtu sikur qeveriseshin malet t’ona, me ligjet e zakonet qi kishin lemë prej shpirtit t’atij populli ; se gjithë popujt sllavë të Ballkanit kishin përfituem në çdo mënyrë prej ndihmës e projës së Rusisë së madhe, e shum’a pak edhe të Pushteteve të tjera të Perëndimit. Dhe harrojshin mâ në fund, se Shqipníja vetë ishte mâ i shkëlqyeshmi shêmbull për me treguem se sa mirë ka qênë ajo administratë qi kishin nxânë Shqiptarët prej Turqisë t’atyne kohnave !
Me t’u shpallë pamvarsíj’e Shqipnís, kush mâ herët e kush mâ vonë, të gjithë zyrtarët shqiptarë të perëndorisë otomane u mblodhën në Vêndin e tyne, disa me vullnet të tjerë të dëbuem prej Turqvet. Të tânë myslimanë. Administrata e Shtetit të ri ra automatikisht ndër duer të tyne, tue pasun mbë krye klasën e beglervet. E para pasojë : element’i krishtênë e quejti me të drejtë Shqipnín e pavarme nji Turqí të vogël në Ballkan. Mëní të vjetra personale ndërmjet personalitetesh shqiptare shpërthyen qysh në Vlonë ku kishte selinë Qeveríj’e përkohëshme e Ismail Kemalit.
Tipik shêmbulli i nji ministri t’asaj Qeveríje qi padiste poshtë e përpjetë kryetarin e vet për tradhtuer të shitun nji Shteti fqí, e këta pa kurrnji provë tjetër posë fjalësh qi kishte ndëgjuem prej gjîndsh të familjes së vet. Nisën rivalitetet, qi për pak qênë tue ia bâmë vorrin Shtetit të ri pa iu premë kërthiza ende : Esad Pashë Toptani kundra Ismail Kemalit, se donte të bâhej mbret i Shqipnís. Intelektualë të shquem të Jugës nga klasa e beglervet qi për mëní personale kundra begut të Vlonës, hŷjnë në shërbim të begut të Tiranës. Shqipníja porsa e lirueme pjesisht prej okupatës sërbe dahet dý copash : pjesën jugore e qeveris Ismail Kemali e pjesën veriore Esad Toptani.
Më 7 mars 1914 zbret në Durrës princi Ëilhelm von Ëied, i zgjedhun prej Pushteteve të mëdhá për princ të Shqipnís. Shqipníja unjisohet përsëri, patriotët shqiptarë qajnë nga mallëngjimi, besojnë se tashmâ kanë nji atdhe të lirë me nji mbret në krye. Por shpejt gzimi kthehet në pikllim : Greqíja lëshon trupat e saj kundra Shqipnís së Jugës nën maskë bandash epirote, pushton nji pjesë të madhe të saj dhe djeg me qindra katunde. Shtet’i ri s’ka asnji mundsí me u pruejtun : as armë, as municion, as ndonji farë organizimi ushtarak, madje as gjindarmërí, të cilën nji tubë oficera hollandez kishin ardhun t’a krijojshin. Sikur s’mjaftonte kjo thikë e përjashtme në trupin delikat të foshnjës së porsalindun, nji zjarr i mbrêndshëm rrenimtar plasi pa pritun e pa kujtuem në Shqipní të mesme.
Së pari, kjo kryengritje thjesht popullore, u shfaq me nji ngjyrë vetëm shoqnore : nji kryengritje e klasës borgjeze – katundare kundra klasës së beglervet. Filloi me të djegunit e shtëpive të beglerëve të Tiranës e me kërkesa ekonomike. Por shpejt, ndër ata të thjeshtë hŷnë në veprim intrigat e borgjezisë fanatike myslimane t’atij qyteti për t’a kthyem në nji lëvizje politike kundra princit Ëied e për nji princ prej dinastisë otomane. Evropa ishte te pragu i luftës së parë botnore.
Agjentavet të Pushteteve t’Oksidentit u ndêjt nji rasë e mbarë kjo për t’i frŷmë zjarmit kundra princit gjerman, mbretnimin e të cilit në Shqipní s’mund e shihshin tashti me sŷ të mirë. Kështu lëvizja u përhap në gjithë Shqipnín e mesme prej lumit të Matit deri në Shkumbîn. Por vetëm zona qêndrore, e përbâme prej distrikteve të Tiranës, Shijakut e Kavajës ishte bâmë me gjithë zêmër viktimë e intrigave të borgjezisë fanatike e t’agjentave të huej. Viset e tjera rretherrotull vetëm frika e terrorizmës së shefit e gjysëm të çmênduni, Haxhi Qamilit të famshëm, i kishte shtŷmë me marrë pjesë, në nji mënyrë të përciptë n’atê lëvizje. Sa për pjesën tjetër të popullit shqiptar, qi përbânte shumicën dërmuese, kjo ishte e tânë për princin qi i kishte dërgue Evropa e bashkueme e cila, tashti qi ishte damë në dý kampe kundërshtare s’mêndonte mâ tjetër veçse interesat e saj strategjike.
Për princin Ëied e për flamurin e shqipes dykrênshe, dý simbolet e pavarsís s’atdheut shqiptar dhanë jetën djelmosha, myslimanë e të krishtênë, ardhun qysh prej kolonive të jashtme, me shumë Mirditas nën komandën e Markagjonit, kapidanit të tyne, shumë Koovarë nën komandën e Currit, Boletinit e Ajdin Dragës, ky i fundit edhe vetë. Ahmet beg Zogolli ra me Matjanët e tij deri në Krujë, për t’i votun në ndihmë Durrsit të rrethuem, por mbërrîni vonë.
Mâ në fund, Durrsi s’mûjti me i qëndruem mâ rrethimit e sulmet e rrebelavet mbërrînë deri te kodrat e qytetit. Princi Ëied me familjen e tij, gjithë Qeverinë e patriotët qi luftojshin atje u mbarkuem ndër anije luftet a civile qi ndodheshin në port, kush për dhé të huej e kush për skelën e Shëngjinit e andej për malet e Veriut.
Esad Toptani, i arrestuem prej princit Ëied për dyshim kompliciteti me rebelat e lânë i lirë me dalë jashta Shqipníjet, mbas nji kohe të shkurtën si iku princi u kthye në Durrës nëpër Serbí e Prefekturë të Dibrës, tue mbledhun këtu e marrë me vete nji fuqí civile Dibranësh e Matjanësh. Kryengritsit së pari e pritën mirë. Por Esadi, si u ul mbë thronin e princit Ëied, kujtoi se, tue u mbështetun mbi forcat civile të tijat mûnd të vepronte edhe mbë krŷe të vet.
E para punë qi bâni qe me ulë flamurin e mbretnisë otomane e me ngrit nji flamur të veçantë trekandsh, të kuq e me nji yll të bardhë. Nuk shkoi gjatë e dhe ai pësoi fatin e Ëiedit : mbet i rrethuem në Durrës prej kryengritësvet. Por serbët nuk vonuen me vrapuem në ndihmë të “mikut” të tyne : nji fuqí e rregullt e forcavet serbe hŷni në Shqipní e i shkatrroi rebelat e Haxhi Qamilit, dhe nën kërcnimin e këtij beslidhuni të fortë qi kishte Esadi, dorë për dorë iu shtrue gjithë Shqipníja e atëhershme. Pjesa mâ e madhja e Shqipnísë u shkel prej Austro – Hungarisë, ndërsa Vlona deri në Vjosë e Gjinokastra gjîndeshin nën okupatën italjane e Korça deri afër Pogradecit nën Frêngjit. Ushtrija serbe, qi mûndi me u tërhjekun përpara invadimit austro – hungar, 160.000 vetë gjeti hospitalitet në Shqipní me Kralin Aleksandër mbë krye dhe u bart nga skelat shqiptare prej marinës italjane.
Mbarimi i luftës e gjeti Shqipnín t’okupueme, në pjesën mâ të madhen, prej Italisë, në zonën e Korçës prej Francës e në nji pjesë të Veriut prej Serbëvet. Juridikisht traktati i Londrës, lidhun ndërmjet Italís, Francës, Anglís e Rusís në 1915 e kishte shlyem Shtetin shqiptar nga harta gjeografike. Ai traktat i zi krijonte në zonën qêndrore, prej lumit të Matës deri në qafë të Llogarasë, qi dán distriktin e Vlonës nga ai i Himarës, nji protektorat italjan dhe lênte provincat e tjera në dispozicion t’aleatvet ballkanikë, Serbí e Greqí, për t’u caktuem simbas rrethanash, prej Konferencës së paqes.
Traktati u shpall në 1916 e ky aveniment qe nji rrufé përvluese për patriotët shqiptarë. Prandej asnji çudí nëse të gjithë këta, prej asaj dite e mbrapa, dëshirojshin me gjithë shpirt fitimin e perandorivet qëndrore. Lumnisht, Shtetet e Bashkueme t’Amerikës s’ishin përlyem me atë krim në kurriz të nji populli të vogël, e ky fakt kryesuer qi do t’i epte nji tjetër rrŷmë historisë qé baza e shpëtimit të Shqipnísë prej asaj katastrofe. Italija qe vetë e para qi e kuptoi situatën mbas ndërhŷmjes s’Amerikës në luftë, dhe bâni prej kalasë së Gjinokastrës, nëpër gojën e gjeneralit Ferrero, shpalljen e njohun “per la più grande Albania sotto l’egida dell’Italia”.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Nëntor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)