Muzikë, gojëdhëna dhe shëtitje në Za-Fest III, në Theth

Edicioni i tretë i Zâ Fest rikthehet në Theth. Rizgjimi i shpirtit të këtij vendi, rikthimi i vëmendjes drejt kësaj perle të Veriut të Shqipërisë dhe shndërrimi i saj në pikën e takimit të kulturave të ndryshme përmes artit si gjuhë e përbashkët ka qenë edhe është qëllimi i realizimit të këtij festivali. Kantautori Vlashent Sata shpjegon se ky festival synon bashkimin e njerëzve, duke ftuar artistë vendas, fqinjë e nga vende të ndryshme të botës, duke mundësuar kështu një bashkim të gjerë kulturor.

“Dëshira për reazlizimin e këtij festivali ka lindur nga unë, por e frymëzuar nga artistë të tjerë, që kanë dashur përherë që të jenë të angazhuar për të bërë diçka për Shqipërinë. Za-fest ka lindur vetëm me idenë për të pastruar Thethin, ku arti të ishte një formë përbashkuese për të pastruar natyrën. Ky ka qenë çelësi i parë, që ne të bëjmë diçka për vendin, që të pastrohet nga mbeturinat, por në të njëjtën kohë ka qenë që të sillnim diçka kulturore, që ne e shikojmë në të gjitha vendet e botës, duke bashkuar artistë nga të gjitha trevat shqiptare. Por edhe njerëzit që janë në Theth, t’i trajtojmë jo si njerëz të izoluar, por me njerëz, që kanë shumë vlera, sikundër është edhe mikpritja”, shprehet drejtori Artistik i Festivalit, Vlashent Sata.

Më tej kantautori shton se risia kryesore e këtij festivali është takimi, Logu i Za-fest,  ku njerëzit mes bisedave të shkëmbejnë eksperienca edhe ide, duke qenë aktiv për të ndryshuar diçka në jetën e përditshme, ku mbase njerëzit që janë shumë të lodhur, nuk kanë më forcë fizike që të reagojnë. Za-fest kërkon që njerëzit të bashkohen për të ndryshuar diçka.

“Ky festival me dëshirën e shumë artistëve, që janë të pranishëm edhe këtë vit ka bërë të mundur shumë gjëra, prandaj ka atë lloj gëzimi edhe entuziazmi nga publiku, sepse në thjeshtësinë e vet kërkon që të kthehemi tek vlerat tona, për të ndërtuar edhe për të riparuar ato pjesë, që ne do na bëjnë për të ecur përpara”, shton Sata.

Më pas Sata vijon të shtojë se për të zhanret e ndryshme të artit janë një.

“Unë kam punuar edhe me shumë disiplina të ndryshme, që i quaj të nevojshme, që të gjitha këto të jenë pjesë e festivalit, pasi janë përqafuar edhe nga publiku”, thotë kantautori.

Këtë vit artistët pjesëmarrës janë: Elina Duni, Piers Façini, Vlashent Sata, Arben Bajraktaraj, Bob Berkey, Agona Shporta dhe “Don't listen to your Neighbors”. Por nuk do të mungojnë as aktivitete të tjera si hiking, joga, panair kulinarie, kinema verore, tregime & legjenda dhe biseda e hapur "Logu i Zâ Fest"!

“Za-Fest është një festival që bashkon artistët nga mbarë bota për të bërë bashkë artin në një dimension tjetër. Në këtë edicion kemi të ftuar artistë shumë të njohur, si Elina Duni, Arben Bajraktaraj apo edhe Vlashent Sata, Bob Berkey Cloën, që do të jenë me performancat e tyre në festival. Za-Fest është krijuar për të shkrirë kufijtë, edhe i gjendur në një terror mes Alpeve,  edhe një vendi që është i lënë pas dore nga infrastruktura edhe zhvillimi social, dëshira e Satës është që ky festival të shkojë pikërisht atje. Pasi ne kërkojmë që t’i bëjmë vendasit që të kuptojnë se me artin ka zhvillim. Veriu i Shqipërisë ka nevojë për më shumë aktivitete, sepse Za-Fest është i vetmi që zhvillohet atje”, shprehet Albana Rica, organizatore e festivalit.

Kush jemi ne? Çfarë bëjmë edhe ku do të shkojmë? Në datën 4 gusht do të bëhet një bisedë e hapur në Logun e Kishës, ku do të diskutohet për rininë.

“Ku është rinia shqiptare sot? Si është raporti i saj me tokën? Për këtë do të jenë prezentë antropolog edhe filozofë, së bashku me publikun e thjeshtë”, shton Rica.

Zâ Fest 

Zâ Fest është krijuar nga, Vlashent Sata në Gusht të 2017 me idenë e krijimit të një strukture që rizgjon vlerat shqiptare, kultivon artin i cili bashkon njerëzit në gjuhët e tij universale; ndihmon popullatën vendase në pikëpamje sociale; zhvillon ekonominë lokale, rajonale dhe kombëtare; ruan natyrën dhe përgjegjësin në raport me të. Dëshira është që të gjithë të rritemi me Zâ Fest, të udhëhiqemi nga kultura dhe e bukura për të rizgjuar shpresën në këtë vend që kaq shumë e ka të nevojshme dhe i mungon.

Festivali do të zhvillohet në datat 2-3 dhe 4 gusht në Theth.

 

 

 

 

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja