Me një mbrëmje kushtuar letërsisë, duke e vendosur poezinë në qendër të programit artistik është çelur këtë vit “Za Fest” në Shkodër. Të ftuara speciale ishin poetet Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro, të cilat ndanë reflektime mbi krijimtarinë.
“Unë mendoj që muzika dhe letërsia ose poezia ecin bashkë dhe besoj se kjo bërthamë është për të gjitha artet njëlloj, si me thënë qendra, e cila kapilarizohet poezia, si forma më subtile e mendimit, që hap poret e gjuhës dhe e thyen rrethin dhe muzika si gjuha pa fjalë.”, tha poetja Mimoza Ahmeti.
Ahmeti vlerësoi atmosferën e festivalit dhe veçoi Shkodrën si një qytet që sfidon artistët me kulturën, gjuhën dhe trashëgiminë e saj.
“Shkodra është një qytet që të sfidon me zgjuaësinë, me kulturën dhe me gjuhën e ruajtur. Është një vend ku kënaqesh, por edhe ndihesh i detyruar të mendosh e të thuash diçka të mençur.”, tha ajo.
Në kuadër të 10-vjetorit te festivalit, publiku ndoqi edhe dokumentarin kushtuar historisë së ‘Za Fest’, nga edicioni i parë në Theth e deri te rrugëtimi i tij ndër vite. Mbrëmja u mbyll me performancën muzikore të artistes Linda Rukaj.
Komente










