Mynevere Shuteriqi: Dashuria ime
Dhimitrin në bazën ilegale të Shpatit

Mynevere Shuteriqi: Dashuria ime<br />Dhimitrin në bazën ilegale të Shpatit
Ai ishte një intelektual që ishte kthyer pas studimeve në Universitetet dhe bibliotekat e Francës në vitet ’30. Ajo një vajzë e re që kishte përfunduar vetëm studimet e mesme në Normalen e Elbasanit, por pavarësisht diferencës në nivelin kulturor, baza ilegale në Malet e Shpatit në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, u bë zanafilla e dashurisë së tyre të përjetshme.

Mynevere Shuteriqi zbulon për “Shqiptarja.com” “sekretet” e jetës intime dhe intelektuale të shkrimtarit, studiuesit dhe albanologut Dhimitër Shuteriqi: si ai e lexonte Aragonin e Bodlerin e ndaluar pas viteve ’50-’60 e më pas, qëndrimi që mbante në Lidhjen e Shkrimtarëve, pse e përkrahu Ismail Kadarenë dhe çfarë i tha në konfidencë kundër normave krijuese të realizmit socialist.
 
 
Zonja Mynevere, ju pothuajse e kaluat gjithë jetën mes veprave të profesor Shuteriqit. I shihnit ato vepra, kur ishit bashkë me atë vëmendje që i keni parë tani që ai mungon? 
 -Unë kam pasur një fat, që ne kemi qenë gjithnjë të dy bashkë, kemi qenë gjatë luftës bashkë. Nisëm të punonim në një bazë ilegale të shtypit. Në këtë bazë u lidhëm. Punuam atje nja tre-katër muaj bashkë.
 
Sa vjeçe ishe në atë kohë?
-Isha 19 vjeç, Dhimitri ishte 28 vjeç, 9 vjet diferencë kemi. Krejt rastësisht nisi lidhja jonë atje. Në kohën e luftës mua më thanë se do të shkoja në atë bazë. Ishte një bazë që kishte trakte, buletine për luftën. Madje, unë nuk pranova, sepse më thanë që “Në grupin tuaj do të jetë dhe Dhimitër Shuteriqi, do të jetë shefi juaj”. Unë u thashë “-Jo nuk shkoj”. Po pse nuk shkon?”, -më thanë. U thashë se nuk mund të punoja unë me një profesor që ka ardhur nga Franca dhe ka bërë gjithë ato studime. “Unë kam bërë veç Normalen e Elbasanit”. Ua thashë këtë, sepse unë e kam njohur Dhimitrin që 14 vjeçe si letrar. Në atë moshë jam njohur për herë të parë me veprën e tij. E dija që ky ishte një intelektual, një poet, një shkrimtar, ndaj u thashë nuk shkoj. “Ku të punoj me atë unë. Unë jam njeri që nuk kam shkruar kurrë as artikuj, as komente”. Sekretari i Partisë që ishte për këtë bazë, më tha që ky është vendimi i Partisë. Kështu vajta me një druajtje të madhe, të punoja me një njeri që ishte shumë e shumë mbi nivelin tim.
 
Ju vetë, çfarë shkollimi kishit në atë kohë? 
-Unë kisha mbaruar normalen e Elbasanit. Në fakt, unë kisha bërë tre vjet Institutin në Tiranë dhe vetëm vitin e fundit e mbylla në Elbasan. Pra, kur vajta në bazën ilegale, e pashë atje. Dhe vura re tek Dhimitri një njeri të thjeshtë, që më vlerësonte dhe mua sikur të isha bashkëpunëtorja e vet. Kështu, ne punuam tre muaj bashkë. Në gjatësinë e tre muajve unë kam mundur të njoh një njeri që nuk mund ta njihja në kushte të tjera. Dhe ai pati rastin siç ka thënë vet, të njihte një vajzë të re, që nuk do ta njihte dot në kushte të tjera. Ç’është e vërteta, kur e kam pyetur pse më zgjodhi mua, se ai ishte shumë i ditur, një djalë shumë i pashëm, dhe unë nuk isha aq e pashme sa ai, ai më ka thënë se “Nuk më shkonte mendja kurrë, që në ato male të shpatit, për të cilat kisha shumë adhurim, do të gjeja shoqen e jetës sime. Një shoqe që e njoha në jetë nga afër, dhe kjo do të ishte gruaja ideale për mua, një grua që të ishte më shumë sesa e bukur, e mençur, e qetë, dhe një grua (sepse ai e mendonte veten gjithmonë njeri të shkencës dhe kulturës), që të ma bënte jetën të lehtë që unë të shkruaja”. Dhe them që kjo njohje e gjatë, ku prej tre muajsh kemi ngrënë bashkë bukë e gjizë atje, kemi fjetur bashkë në kasolle me rrogoz, ky komunikim që nisi që gjatë luftës, u bë edhe baza, e cila na lidhi bashkë.
 
Dhe sa kohë pas kësaj njohjeje u lidhët bashkë?
-Jo, ne u lidhëm që aty. Ajo miqësia dhe afrimiteti që ndjenim për njëri- tjetrin vazhdoi. Dhimitri ishte bërë i njohur me shkrimet e veta që në vitet ’30. Koha për të cilën unë tregoj është viti 1944. Dhimitri kishte krijuar një emër dhe ishte një njeri intelektual. Ishte njeri i shkrimeve dhe i penës. Ai njihej për shkrimet, botimet që i kishte sjellë këtej qëkur ishte student në Francë. Dhe nga imazhi që kishte krijuar ai, lidhja jonë u bë pjesë e thashethemeve në atë kohë. Thashethemet nisën për arsye se kishte shumë familje të mëdha që mendonin ta lidhnin vajzën me atë djalë, ose edhe familja e tij vet donte ta lidhte djalin me familje të tjera të mëdha. Dhe kjo zgjedhje e tij ishte e papritur.
 
Duke pasur parasysh që Dhimitër Shuteriqi ishte edhe nipi i Kristoforidhit të madh, po familja juaj çfarë tradite kishte? 
-Tani edhe unë rrjedh nga një familje e mirë. Jam nga Ficot e Gjirokastrës. Edhe Ficot kanë pasur njerëz të ditur, si Rauf Fico, diplomati i famshëm. Kanë pasur mjekë, inxhinierë e artistë. Megjithatë në atë kohë, u përfol shumë kjo lidhja jonë. Por dashuria jonë fitoi nga një vendosmëri e madhe e Dhimitrit, që u tha “Ajo është, e do të jetë shoqja ime e vërtetë e jetës”. Kështu mbeti lidhja jonë. Por unë them se lidhjet e dashuritë e para në jetë janë rastësore. Vazhdimësia e dashurisë në jetë kërkon shumë përkushtim e sakrifica. Unë them që secili nga ne, si unë, si Dhimitri e kemi pasuruar bashkëjetesën. Dashuria forcohet, kur nuk vijon më me dashurinë platonike, dashurinë e ndjenjave, por forcohet me një çmim tjetër; të respektosh vlerat, njeriun që ke pranë, ta njohësh dhe ta respektosh atë për vlerat që ka, dhe ai të respektoj ty për vlerat që ti ke. Natyrisht unë nuk kisha vlerat e tij, por bëja përpjekje të ngrija nivelin tim kulturor, në mënyrë që t’i përshtatesha sa më shumë atij. Po të kujtoj një histori shumë të vogël. Sapo ishim fejuar ne. Dhe ky më thotë: “- Po bie borë” dhe më ftoi të bënin një shëtitje. Në kohën që po bënin shëtitje më recitoi disa vargje:
“Le të bjerë shi e borë/ Unë ato s’i kam qeder/ Kur shtrëngoj miken në gji/ nuk pyes në është dimër a verë”. Dhe unë i thashë: “-Dhimitër, ti i ke shkruar këto vargje?”. “-Jo, -më tha, - këto janë të Çajupit”. Kur më tha të Çajupit, unë u trondita shumë, se unë nuk i dija dhe përpara këtij njeriu të ditur, unë kisha dijeni as për shkrimtarët shqiptarë. Dhe më duket, se që në atë moment unë i kam vënë si detyrë vetes ta pasuroj kulturën time, në mënyrë që të bëhesha një shoqe e vërtetë e tij, jo shoqe ndjenjash, që të niste bashkëbisedimi dhe komunikimi për letërsinë.
 
Çfarë kujtoni tjetër në këto marrëdhënie letrare mes jush?
-Mua më ka ndihmuar fati që të punoja në sektorë që të kishin lidhje me librin. Në fillim kam punuar në agjencinë telegrafike shqiptare. Isha shefe redaksie. Që në ‘45-n, kur u themelua, pastaj punova në komitetin qendror të shtypit, pastaj unë kam qenë drejtoreshë në shtëpinë botuese 8 nëntori. Kështu që jeta ime personale u lidh shumë me jetën e Dhimitrit. Ishim shumë afër në këtë kuptim. Kjo na lidhi më shumë, na lidhi më fort, na bëri më të afërm më komunikues.
 
Prof. Ali Xhiku kujtoi sot se kur ishte Dhimitri në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve ka ndihmuar shumë që Migjeni si poet modern të pëfshihej në historinë e letërsisë shqipe dhe Kadarenë e ka ndihmuar shumë. Cili është mendimi juaj?   
-Siç tha dhe Ymer Çiraku, Dhimitri e ka dashur shumë poezinë. Në jetë ai nuk u njoh shumë si poet, u njoh si tregimtar, si shkencëtar, si studiues. Por dëshira e tij e madhe ishte poezia. Ka shumë poezi të hedhura nëpër letra, po i lexoj tash. Kujtoj që në rini Aragonin e lexonte shumë dhe kur e lexonte më jepte edhe mua të lexoja diçka, dhe meqë kishte natyrë që kur lexonte të bënte gjithmonë shumë nënvizime, kur m’i jepte mua, më thoshte: “-Mynevere ti s’ke kohë. Lexo vetëm këto nënvizimet që kam bërë unë”. Po ai e dinte se unë si grua, e sidomos si nënë do t’i kushtoja kohë familjes fëmijëve. Mirëpo, ky lexim më bënte mua që rrisja nivelin tim kulturor e të komunikoja me të për çështje letrare.  Gjithë jetën e kam dëgjuar të flasë për poezinë. Kam parë të shënuar diku që ai shkruante: “poezi baras me melodi”. E pyesnin gjithnjë kur shkonte rrugës, “Profesor, me çfarë po merresh, çfarë po bën?”. Ai thoshte: “Po shkruaj poezi”. “-Pse u thua gjithmonë kështu?”, e pyesja. Ai: -“Nuk dua të më thonë, shok, profesor e të tjera, unë dua të më thonë thjesht “poet”. Në fakt unë jam poet”, - më thoshte.

Më pyetët pse e mbronte Migjenin dhe Kadarenë. Shiko, ai që në moshë shumë të re, u shqye me kulturën franceze. Ai njihte simbolistët e mëdhenj francezë që nga Bodleri e etj. Ai nuk mund të mos ishte një njeri që do të kapte shkëndijat e vlerave të vërteta, të talenteve. Kadarenë, ai e diktoi përnjëherësh, që kemi të bëjmë me një talent shumë të madh, dhe i ka mbështetur talentet. Mbaj mend njëherë, sa erdhi në shtëpi dhe kishte lexuar diçka të Kadaresë. Më tha: “-Ka lindur një poet i madh”. Dhe këtë qëndrim ka mbajtur gjithnjë ndaj krijimtarisë së Kadaresë.
 
Si ka qenë jeta e Dhimitër Shuteriqit kur drejtonte LSHA-në, ju më folët për një shkrimtar që lexonte Aragonin apo Bodlerin, por realiteti letrar në Shqipëri fliste ndryshe, ishte kundër kësaj lloj krijimtarie. Të kujtohet se çfarë të shprehte në lidhje me këtë? 
- LSHA, sikurse gjithë organizatat e tjera, ishte një lidhje që varej nga politika, nga Komiteti Qendror i Partisë. Pra Lidhja nuk mund të vepronte në kundërshtim me vijën, me orientimet e Partisë. Nuk mund të ndahej nga politika. Vonë, vonë, më tha një ditë që “do të heq dorë nga temat aktuale, sepse në letërsi nuk mund të paraqitet jeta bardhë e zi, letërsia ka ligjet e veta, dhe ti, kur nuk je i lirë të shkruash, ashtu siç e koncepton bota letërsinë, nuk mund të bësh sikur nuk e sheh realitetin. Kështu që unë do të hidhem tek temat historike. Nuk mund të bësh dot një letërsi të mirë me temat e kohës, tha ai. Ndaj ai u hodh tek temat historike. Këtë mund ta them si një bisedë mes nesh...

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

U shpall kampion me Interin, Simone Inzaghi s'e harron Igli Taren: Ai dhe Lotito më dhanë një dorë

U shpall kampion me Interin, Simone Inzaghi s'e harron Igli Taren: Ai dhe Lotito më dhanë një dorë