Përfaqësues të Klubit të Popullit Boshnjak në parlamentin e  Bosnje Hercegovinës kanë ngritur kallëzim penal ndaj kreut të SNSD-së, Milorad Dodik, të cilin e akuzojnë për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, si dhe për përçarje dhe mungesë tolerance.

Reagimi vjen pasi Dodik deklaroi se “myslimanët dhe Sarajeva janë armiqtë tanë” dhe paralajmëroi rikthimin e ushtrisë së Republikës Sërpska.

Në reagimin zyrtar, Klubi i Popullit Boshnjak thekson se këto deklarata janë pjesë e një retorike të vazhdueshme ndër vite, që sipas tyre synon të diskreditojë dhe të poshtërojë boshnjakët.

Ata e konsiderojnë çështjen si vepër penale dhe shprehen se vetëm veprimi i organeve të drejtësisë mund të ndalojë një qasje të tillë.

“E kaluara e Bosnjës dhe Hercegovinës dëshmon se fjalët që nuk ndëshkohen me kohë shpesh paraprijnë ngjarje më të rënda”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesit boshnjakë kanë paralajmëruar gjithashtu se do të kërkojnë nga institucionet kompetente zbatimin e plotë të aktgjykimit të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila e ka dënuar Dodikun me një vit burg dhe me ndalimin për gjashtë vite të ushtrimit të funksioneve publike.