Në më pak se një javë, Komisioneri Europian për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë (ose e thënë shkoqur, ai burri që vendos nëse Evropa do na marrë a do na lërë në rrugë) i ka dhënë dy shuplaka të mira mazhorancës qeverisëse, e më specifikisht Kryeministrit Berisha dhe aventurës së këtij të fundit për të ndërmarrë një referendum për kalimin e tre ligjeve. Për sqarim të publikut por edhe të mbështetësve tëmazhorancës, në fakt janë dy ligje (për statusin e Gjykatës së Lartë dhe statusin e Nëpunësit Civil) dhe një rregullore (ajo e funksionimit të Kuvendit). Për një tjetër sqarim (disi teknik), është praktikisht shumë e vështirë që këto dy ligje dhe rregullorja e Parlamentit të miratohen me referendum; të tre dokumentat që kërkojnë miratimin e Parlamentit janë tejet të detajuara e komplikuara për të marrë një aprovim plebishitar nga populli.

Ky i fundit, kur prezantohet me një referendum, jep verdiktin me një “pro” ose “kundër” të karakterit parimor për iniciativa ligjore, teksa diskutimi, amendimi, specifi kimi dhe miratimi i akteve ligjore është detyrë logjike e Kuvendit. Sidoqoftë, thelbi i kundërshtisë së ardhur nga Füle s’është aspak teknik. Duke treguar se sa e ka shumë sprovuar Berisha durimin e Bashkimit Europian në vitet e fundit, Füle nuk hezitoi ta quante nismën e referendumit si një lëvizje populiste të kryeministrit, teksa theksoi se kalimi i 2+1 ligjeve është kërkuar prej BEsë nën pretendimin se duhet të vijë përmes konsensusit politik. Akoma më e rëndësishme në mezashin e Füle-s është një frazë në dukje e papërfillshme por që ka një nënkuptim therës; ai thekson se BE-ja nuk dëshiron të ndërhyjë në këtë proces, pasi Shqipëria është një vend sovran dhe këto mund të konsiderohen si çështje të brendshme. Po a është vërtet kështu? Pikërisht në këtë pikë ekziston dhe një ngërç logjik sa i përket marrëdhënies së Shqipërisë me BE-në. Si çdo vend kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian, edhe Shqipërisë i duhet të lëshojë shumë prej sovranitetit të vetë për t’iu përqasur standarteve legjislative, sociale dhe ekonomike të Unionit, dhe të tilla ‘cënime’ të sovranitetit kemi pasur me shumicë (moratoriumi i skafeve apo heqja e dënimit me vdekje, për shembull.)

Qysh prej ditës kur Shqipëria ka nisur negociatat për t’u bërë pjesë e BE-së, ajo ka nënshkruar një mori dokumentash ku shprehimisht heq dorë nga një pjesë thelbësore e sovranitetit, si parakusht për aderimin në Union. Edhe shembuj të tjerë, përtej vendit tonë, siç janë masat financiare të imponuara mbi Greqinë, Spanjën e Portugalinë, tregojnë se shtetet kanë humbur shumë prej autoritetit të tyre suprem edhe mbi çështje të politikës së brendshme, teksa janë të detyruar prej standarteve të imponuara prej entiteteve ekstrasovrane si BE-ja, Banka Qëndrore Evropiane apo FMN-ja. Momenti që Füle vë në dukje sovranitetin e vendit, dhe rrjedhimisht mungesën e dëshirës së BE-së për t’u përfshirë më tej në çështjen e referendumit, është në vetvete një shenjë jashtëzakonisht shqetësuese.

Që ne jemi vend sovran, këtë s’ka nevojë ta afi rmojë Füle, sepse e thotë shprehimisht Kushtetuta e vendit ashtu si dhe vetë koncepti ndërkombëtarisht i pranuar i shtetit-komb; por fakti që ai e përmend sovranitetin është një tregues që karta e sovranitetit tanimë duhet të jetë luajtur prej Kryeministrit të vendit në komunikimet e negociatat e BE-së, ose më thjesht, Berisha e të tijët duhet t’i kenë kujtuar BE-së që ne jemi vend i pavarur e vendimet i marrim vetë, e bëjmë siç duam vetë. Këtu nuk duhet të harrojmë kritikat e BE-së edhe për shpërthimet nacionaliste të Berishës, i cili, siç më vuri në dukje një mendje e mençur, akoma s’e ka vendosur nëse do bëjë “Shqipërinë si gjithë Europa” apo “Shqipërinë e Madhe.” Nëse BE-ja realisht është distancuar prej përfshirjes në çështjet e brendshme të Shqipërisë, situata reflekton një déjà-vu problematike me ngjarjet e vitit 1996, kur Berisha i përplasi në fytyrë Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian kartën e sovranitetit, pas mosnjohjes së zgjedhjeve parlamentare të atij viti.

Duke konsideruar situatën në të cilën ndodhet vendi ynë, apo edhe sentimentin anti-zgjerim gjithmonë e më në rritje brenda popullësisë apo strukturave vendim-marrëse të BE-së, vicklat populiste të Berishës vis-à-vis BE-së jo vetëm që dëmtojnë përkohësisht marrëdhëniet dypalëshe, por mund të shenjojnë negativisht edhe të ardhmen integruese të vendit. Që Kryeministrit i kanë ardhur në majë të hundës ndërkombëtarët dhe ‘nazet’ e tyre me pretendime për demokraci e shtet ligjor, kjo ka kohë që është provuar, por që BE-ja të humbasë durimin me Berishën do ishtë fatale, dhe jo thjesht për Berishën.

*Shkrimi u botua në gazetën e përditshme SHQIPTARJA.com

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)