Në fjalën e tij Nishani e quajti kënaqësi që në emër të qytetarëve të Shqipërisë i shprehte mirënjohjen njërit prej burrave shqiptarë më të përkushtuar të kohëve moderne: “Ai kurrë nuk u iku përballjeve, rezistencës, – tha Nishani, – duke bërë të mundur që edhe përmes transparencës, kurajës, përballjes me Gjykatën e Hagës, të ruante të pacenuar dinjitetin e një lufte rezistence, dinjitetin e një lufte çlirimtare që ne e bëmë së bashku me partnerët më të mirë të shqiptarëve”.1
Kryeministri Berisha, po në ato ditë bëri një deklaratë në të cilën, pasi e nderoi të shfajësuarin, u shpreh se “Qeveria e Republikës së Shqipërisë do t’u kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë ndërmarrjen e një hetimi të pavarur ndaj ish-prokurores Carla Del Ponte, për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në çështjen kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Haradinaj”. Në deklaratën e tij ai i kërkoi sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë “të nisin menjëherë një hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje”.2
Edhe kreu i opozitës, socialisti Edi Rama, manifestoi të njëjtin respekt në pritjen që i bëri Haradinajt. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Rama, i cili e kishte përshëndetur çlirimin e tij nga akuzat që ditën që kjo ndodhi, tha se i shprehu atij mirënjohje për mbrojtjen dhe sakrificat e bëra në vite për popullin e Kosovës dhe se me të biseduan për bashkimin e shqiptarëve “nën qiellin e Bashkimit Europian” për unifikimin e arsimit dhe sistemit doganor etj.
Akuzat ndaj Haradinajt
Ironia është se të gjithë politikanët e lartë që celebruan të shfajësuarin kanë informacion të mjaftueshëm, në mos për të qenë të bindur, për të pasur dyshime serioze se akuzat e Hagës ndaj Haradinajt janë të vërteta. Pra, se në vitet 1998–1999, dhe veçanërisht pas bombardimeve të NATO-s, njerëzit e UÇK-së, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë; se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë, që janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhtarë apo jo mbështetës të saj; dhe se Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai apo njerëzit e tij kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë. Ata e dinë se raporti i Këshillit të Europës i vitit 2010 e ka cilësuar gjendjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë si më të keqen në Ballkan edhe për shkak se vendimi i vitit 2008 i ICTY, që e nxori të pafajshëm Haradinajn herën e parë, nënvizonte vështirësitë për t’i bindur dëshmitarët nga Kosova të shkonin në Hagë dhe të dëshmonin.3 Ata e dinë se në gjyqin e fundit dhe përfundimtar dëshmitarët refuzuan të flasin ose ndryshuan versionin e tyre të ngjarjeve. Ata e dinë, po ashtu, se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në gjyqin e një heroi tjetër të UÇK-së, Fatmir Limajt.
Atëherë si do ta shpjegojmë këtë glorifikim nga shqiptarët të Haradinajt në kthimin e tij nga Haga, me gjithë këto fakte të tmerrshme? Si ta shpjegojmë se në Kosovë, mu pas kthimit të tij, ai u shpall si Kryeministri i mundshëm i ardhshëm i Kosovës. Si t’i shpjegojmë iniciativa kaq kurajoze si ajo e Berishës për të hapur hetime mbi Carla Del Ponten?
Së pari, kjo hipokrizi kaq kurajoze mund të shpjegohet me faktin se ky qëndrim ka të bëjë me mbisundimin e ideologjisë nacionaliste me të cilën vazhdojnë të punojnë në Shqipëri dhe Kosovë sistematikisht elitat politike dhe kulturore për t’u shpëlarë trurin njerëzve. Ashtu si në kohën e komunizmit, shqiptarët vazhdojnë të ushqehen me idenë se ata janë asgjë, si qenie individuale, përpara interesave të kombit, se ata duhet të sakrifikojnë veten për atdheun dhe të mbyllin sytë ndaj çdo krimi të kryer në emër të tij. Në sajë të kësaj shpëlarjeje trush ata vazhdojnë të jetojnë në mënyrë skizofrenike midis glorifikimit të heronjve të lavdishëm që sakrifikojnë veten për kombin dhe mjerimit të maskarenjve që i vjedhin, madje edhe i vrasin ata – gjithë duke qenë po ata heronj të glorifikuar. Mbajtja gjallë e këtij lavazhi trushplekset gjithashtu me faktin shumë më prozaik se Haradinaj me shokë, meqenëse kanë në Kosovë jo vetëm pushtetin politik, por edhe atë ekonomik, kanë arritur, duke i ngritur edhe monumente vetes, t’u imponojnë njerëzve në Kosovë mitin e tyre, i cili pastaj i shërben pushtetit të tyre në një rreth vicioz. Fati i dëshmitarëve që pësuan “vdekje të parakohshme” e lehtëson edhe më punën e tyre.
Së dyti, mbrojtja e Haradinajt nga ana e shqiptarëve është e lidhur edhe me mbrojtjen e imazhit të vendit të tyre ndaj komunitetit ndërkombëtar. Akuza si ato të Carla Del Pontes duhen përgënjeshtruar dhe refuzuar, pasi ato dëmtojnë çështjen kombëtare, pasi i delegjitimojnë shqiptarët, madje duke u dhënë të drejtë armiqve të tyre, që i akuzojnë si rrezik në rajon me idenë e bashkimit kombëtar, që kohët e fundit është bërë kryefjala e retorikës politike në Shqipëri. (Në një nga fjalimet e tij të fundit, Kryeministri Berisha tha se është e papranueshme që shqiptarët jetojnë në pesë shtete të ndryshme, duke nënkuptuar Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë (Preshevën) dhe Maqedoninë.)4
Gjuha e dyfishtë
Në deklarimet e tij, veçanërisht ato drejtuar partnerëve dhe mediave ndërkombëtare, kur flet për çështjen e nxehtë të “problemit të pazgjidhur kombëtar”, Haradinaj e paraqet veten si një politikan i moderuar. “Çështja shqiptare është zgjidhur me pavarësimin e Kosovës”, – i deklaroi Haradinaj një medieje greke kohët e fundit. – “Gjithkund ekzistojnë minoritete. Nëse fillon të projektosh kufij ‘etnikisht të pastër’, nuk do të ndalosh kurrë”. “Unë konsideroj se sot është koha e arsyes. Do t’i ftoja të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, të veprojnë në drejtim të integrimit europian”. “Ne do të shikojmë përpara, nuk do të merremi me gjërat që tashmë kanë kaluar”.5
Kjo gjuhë, megjithatë, nuk e pengon atë të përdorë një tjetër gjuhë brenda Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni ku iu dha titulli “Qytetar Nderi” i qytetit të Lezhës, ai tha: “Ne jemi një komb, një gjuhë, një flamur, një rrugë (është fjala për autostradën e ndërtuar nga Berisha, që lidh Shqipërinë me Kosovën), e cila na mundëson për të qenë një”.
Kjo gjuhë e dyfishtë është shprehje e ideologjisë dominuese të pushtetit që kanë adoptuar politikanët shqiptarë gjatë njëzet viteve të fundit. Kjo ideologji, që e kam quajtur nacional – europeizëm (si kalim i retorikës së elitës politike shqiptare nga nacional-komunizmi në diskursin nacional-europeist, që nënkupton instrumentalizimin e integrimit europian6) pretendon ta zgjidhë çështjen kombëtare të bashkimit të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Ballkan nëpërmjet integrimit europian duke përzierë kështu vizionin nacionalist të Shqipërisë së madhe etnike me vizionin postnacionalist të Bashkimit Europian të qytetarëve në një lloj Shqipërie të madhe europiane. Sipas kësaj ideologjie, serbët, grekët, maqedonasit, malazezët do të mbeten të njëjtët armiq që kanë qenë në të shkuarën.
Po cili është Haradinaj i vërtetë? Ç’përfaqëson ai për shqiptarët; po për europianët? – Carla Del Ponte përshkruan në librin e saj La Caccia – io e i criminali di guerra (Feltrinelli 2008) se si ndërkombëtarët e UNMIK-ut, në vend që ta ndihmonin Tribunalin për një hetim më të thellë të çështjes “Haradinaj”, i krijuan asaj pengesa me argumentin se politikanë si ai ishin shumë të fuqishëm në Kosovë dhe, kësisoj, dëmi që do të pësonin do të ishte më i madh sesa përfitimi, sepse këta njerëz mund të destabilizonin rajonin. Ky fakt flet shumë për Haradinajn. Ai u përket atyre kafshëve politike në Shqipëri dhe Kosovë që u intereson vetëm pushteti personal dhe përfitimet që nxirren prej tij. Ai e di shumë mirë se për momentin ai nuk mund ta mbajë këtë pushtet pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Prandaj, kur flet me europianët ai tund flamurin me gjashtë yje të Kosovës, ndërsa kur flet me politikanët dhe bashkatdhetarët e tij shqiptarë, mbështillet me flamurin kuqezi.
Ambiguiteti i Europës
Etien Balibar, duke shkruar për situatën në ish-Jugosllavi, thotë se ajo nuk është atipike, përkundrazi, është një projektim lokal i formave të konfrontimit dhe konflikteve të të gjithë Europës që Balibar nuk heziton t’i quajë “marrëdhëniet raciale europaine.”7 Europa e sotme, më tepër se kurrë po shfaq kontradiktën e saj të brendshme midis një Europe të egoizmit të shteteve kombe dhe një Europe postnacionaliste të qytetarëve, duke konfirmuar fjalët e Balibarit mbi Europën si një “projekt politik i pazgjidhur”: “Fati i identitetit të ri europian si i tërë po luhet në Jugosllavi dhe më në përgjithësi në Ballkan. (…) Europa duhet të pranojë se situata në Ballkan nuk është një monstruozitet në gjirin e saj (…) por një pamje dhe reflektim i vetë historisë së saj dhe duhet të ndërmarrë masa për ta përballuar dhe zgjidhur atë, çka do të thotë ta vërë edhe vetveten në diskutim dhe të transformojë vetveten. Vetëm atëherë Europa do të fillojë ndoshta të bëhet e mundshme përsëri.”8 Nëse disa vjet më parë ne mund të thoshim se europianoperëndimorët shikonin drejt së ardhmes, ndërsa europianolindorët po shihnin drejt së kaluarës, siç po ndodhte në ish-Jugosllavi, kjo nuk duket se është më e vërtetë. E ardhmja e projektit europian nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më në krizë se gjatë këtyre kohëve. Gjuha e dyfishtë e Haradinajt dhe e politikanëve më të rëndësishëm si në Shqipëri dhe në Kosovë është, pa dyshim, edhe pasqyrim në Ballkan i mëdyshjeve dhe ambiguitetit të europianëve përsa i përket projektit të së ardhmes së tyre.
Rasti i shfajësimit të Haradinajt është shumë sinjifikativ në këtë kontekst. Dështimi i dhënies së një vendimi të drejtë ndaj tij hap një diskutim të madh jo vetëm mbi problemin e raportit të politikës me drejtësinë, d.m.th. mbi atë se si pushteti politik krijon pengesa ndaj drejtësisë, por edhe mbi atë se sa mund të funksionojë normalisht një gjykatë ndërkombëtare e Europës postnacionaliste kur ajo ka kundër interesa të ashtuquajtura kombëtare. Vetëdija se ekziston një gjykatë krimesh, një drejtësi përtej pushtetit të tyre, si ajo e Hagës, ka penguar shumë nga këta njerëz, që kanë arrogancën të thonë në vendin e tyre se “ligji e drejtësia janë ata vetë”, të kryejnë krime të tjera. Por pandëshkueshmëria e tyre, edhe si rezultat i dobësisë së kësaj Europe të qytetarëve ndaj Europës së shteteve kombe, është një inkurajim për ta që t’u fryjnë erërave nacionaliste në vendet e tyre dhe të mbajnë gjallë ndjenja urrejtjeje ndaj fqinjëve.
Kjo pandëshkueshmëri nuk është vetëm një kërcënim për paqen dhe integrimin e vërtetë europian, por është edhe një kërcënim për zhvillimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës brenda vetë Kosovës. Niveli i kriminalitetit është shumë i lartë në Kosovë, veçanërisht korrupsioni dhe krimi i organizuar. Elita politike ku bën pjesë edhe Haradinaj dhe Limaj, akuzohet fort për këtë. Nuk është rastësi që Kodi i ri i Procedurës Penale i janarit 2013 e bën më të vështirë se ai që ishte më parë, madje edhe më të rrezikshme, mundësinë për të thërritur dëshmitarë.9 Politikanët kosovarë, megjithëse kanë shtetin në duart e tyre, në vend që të bëjnë ligje që t’i mbrojnë më mirë dëshmitarët duke lehtësuar kështu përdorimin e tyre nga ana e Prokurorisë, bëjnë të kundërtën. Dhe statusi i tyre si mbrojtës të bashkatdhetarëve, – paçka se Carla Del Ponte shkruan se “nuk ka asgjë fisnike apo heroike në ato krime” duke ngulmuar se pandëshkueshmëria e tyre mund të shkaktojë luftëra të reja, – ua bën më të lehtë hartimin e këtyre ligjeve.
“Racizmi triumfon kur identifikohet me shtetin, kur bëhet vetë shteti.” (Foulcauls). Nën qiellin e një Europe që resht së shikuari të ardhmen e saj si një Europë e qytetarëve dhe kthehet mbrapsht në Europën e egoizmave të shteteve kombe, ky leksion mbetet kuptimplotë, veçanërisht në rajone të tilla si Ballkani.
* Ky shkrim është botuar në anglisht në numrin e majit 2013 të revistës SUDOSTEUROPA Mittelungen, që ka vënë në fokus (me kontributet e Andreas Ernst, Florian Bieber, Natasha Kandiç, Karl – Peter Schvarz, Adelheid Wolfi, Sonja Biserko, Fatos Lubonja) çështjen e çlirimit nga Gjykata për Krimet në ish-Jugosllavi të Gatovinës dhe Haradinajt dhe pasojat e saj.
Marre nga gazeta Express
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)