Nëntori pa drita? Importi i
energjisë 4 mln euro në ditë

Nëntori pa drita? Importi i <br />energjisë 4 mln euro në ditë
Shqipëria arrin të sigurojë jo më shumë se një të tretën e energjisë që i nevojitet dhe po shpenzon aktualisht 4-4.4 milionë euro në ditë për të importuar pjesën tjetër. Pavarësisht masave të jashtëzakonshme, të marra nga qeveria për të financuar blerjen e energjisë elektrike nga importi, nga 1 dhjetori sërish shtrohet në rend të ditës çështja e bllokimit për mungesë fondesh. Niveli i liqeneve dhe prurjet në kaskaden e lumit Drin vazhdojnë të pësojnë rënie, për shkak të mungesës së gjatë të reshjeve, por edhe nivelit relativisht të lartë të prodhimit, të ruajtur artificialisht dhe në kundërshtim me rregullat teknike të shfrytëzimit të rezervave ujore. Që prej 5 ditësh rënia e nivelit të ujit në ujëmbledhësin e Fierzës, më të madhit në vend, ka nxjerrë në pah edhe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit, duke treguar së është arritur në nivelin minimal të rezervës së ujit në kaskadën e Drinit.

Dalja në sipërfaqe e rrënojave të qytetit flet për perspektiva të zymta lidhur me mundësitë e prodhimit të energjisë. Nga të dhënat më të fundit të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, rezulton se Fierza ka zbritur poshtë kuotës së 257 metrave mbi nivelin e detit, ndërkohë që prurjet e lumit dhe ato anësore vlerësohen tepër të ulëta. Vetëm gjatë tre muajve të fundit, niveli i Fierzës ka rënë me afro 30 metra.

Ditët e fundit, ndonëse çmimi në tregun rajonal i një megavatori është në kuota relativisht të ulta, sasia që po blihet çdo ditë rrezikon seriozisht bilancin buxhetor të shtetit, ndërkohë që arka e KESH-it është boshatisur me kohë dhe po aktiviteti i ndërmarrjes po mbahet me kredi bankare, që garantohen nga shteti. Sipas të dhënave të bursave, aktualisht një megavatorë po tregtohet me 34 euro, një shifër relativisht e ulët, po të mbahet parasysh se më parë çmimi ka arritur edhe mbi 100 euro. Por, kur blihen 14 milionë kilovatorë në ditë (14 mijë megavatorë), shifra kalon 4 milionë eurot. Pak ditë më parë, qeveria vendosi të autorizojë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të marrë kredi prej 50 milionë eurosh për importin dhe blerjen e energjisë. Në këtë mënyrë, importi i energjisë mund të sigurohej vetëm për pjesën e mbetur të këtij muaji. Por, KESH-i, pas marrjes së dy kredive nga dy bankat, pagoi menjëherë 18 milionë euro detyrime të prapambetura ndaj furnitorëve, të huaj e HEC-e vendorë.

Akti normativ përcaktoi se importi i mbetur për këtë vit do të kryhet nga KESH-i dhe jo nga CEZ Shpërndarje, sikurse bëhet aktualisht sipas kontratës së privatizimit, por kjo e fundit do të detyrohej të paguante për importin. Ndërkohë, midis dy kompanive ka probleme të karakterit juridik lidhur me detyrimet e ndërsjellta dhe pikërisht për këtë arsye u vu dorë për herë të dytë mbi rezervat financiare të shtetit për të siguruar financim për importin jashtëzakonisht të lartë të energjisë. Por, për sa kohë mund të mbajnë këto rezerva?

Këtu, sytë e qeverisë janë drejtuar mbi fondet që duhet të sjelllë në buxhet privatizimi i Albpetrolit, i cili duhet të arkëtojë 20 për qind të shumës së blerjes në momentin e fillimit të negociatave lidhur me kontratën e shitblerjes. Shifra është 170 milionë euro, që mund të zgjidhë, veç problemeve energjetike, edhe ndonjë situatë të vështirë faturash të prapambetura ndaj kompanive kontraktore, ndaj të cilave shteti ka grumabullluar një borxh, të cilin edhe FMN-ja e konsideroi si rrezik për bilancet.

Por, kjo situatë nuk mund të kalojë pa probleme për buxhetin. Ndërkohë që rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto është në nivele shumë të ulta, qeveria vendos që, nga 73 miliardë lekë, që ishte përcaktuar kufiri i rritjes së borxhitpublik, me ndërhyrjen përmes aktit normativ, ky borxh të arrijë në 80 miliardë lekë.

Shkrimi u botua ne numrin e sotem te se perditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e 14-vjeçarit në Fan Noli, pretendimi i Prençit: Dyshohet se 5 persona u përfshinë në sherr, një prej autorëve e ka prindin në polici

Vrasja e 14-vjeçarit në Fan Noli, pretendimi i Prençit: Dyshohet se 5 persona u përfshinë në sherr, një prej autorëve e ka prindin në polici