Kanë qëlluar me plumba luftarakë duke e ditur se po qëllojnë me plumba luftarakë;  kanë qëlluar në  drejtim të turmës  duke  e ditur  se po qëllojnë në drejtim të turmës; kanë  lënë të vdekur katër demostrues paqësorë të opozitës  dhe kanë plagosur disa të tjerë…Por…por- mbani vesh, o njerëz!-  nuk  e kanë  dashur të vrasin.

Ky është konkluzioni i parë  që del nga arseytimi  i vendimit të gjykatës së faktit Tiranë,  që shpalli  të pafajshëm  të akuzuarit  e deritanishëm  për vrasjet e 21 janarit,  ish komandantin e Gardës, Andrea Prendi  dhe ish oficerin e grupit  të zjarrit, Llupo.

Përballë fakteve të  pamohueshme, Gjykata është detyruar të pranojë se  arma e të parit ka vrarë Faik Myrtajn dhe arma e te dytit  Ziver Veizin. Por, por- mbani vesh, o njerëz!- nuk provohet se këta i kanë njohur personalisht viktimat e tyre  dhe kjo është  një rrethanë tjetër që shkon në favor të pafajësisë së vrasësve.

Ky është konkluzioni  dytë   që del nga  arsytimi i vendimit të gjykatës së  faktit, Tiranë.

Me fjalë të tjera   të akuzuarit kanë   vrarë, por ata nuk kanë faj sepse, (1) nuk kanë  dashur të vrasin dhe  (2) nuk kanë patur njohje me viktimat e tyre!?  Kjo është  në thelb “drejtësia”   e deritanishme për vrasjet e 21 janarit. Të  lë pa mend, të heq trurin fare dhe të mbush me neveri  për vetë drejtësinë, po të mendosh se drejtësia si profesion mund të prodhojë vendime të tilla. Ka pafajësi e pafajësi. Ka pafajësi të qepura me një fill të fortë  logjike; pafajsi burrërore që lenë të pakënaqur palën e humbur, por ama kanë një  kuptim dhe  pranohen  edhe kur nuk duatrokiten.  Këto lloj pafajësish u hapin rrugën e rehabilitimit dhe riintegrimit  të shpejtë   në shoqëri personave  që e marrin.  Ka  ndërkaq edhe pafajësi burracake, qe jepen nga frika, nga presionet e ndryshme,   apo që blihen në formën e pazareve  me gjyqtarë të korruptuar. Këto janë  pafajësi   fallco, si diplomat  fallco, që i lejojnë   të akuzuarit  të lenë  apo evitojnë çelitë e burgut për disa kohë, ndoshta edhe përgjithmonë, por nuk  e zbardhin aspak fytyrën e të akuzuarve, përkudrazi, i damkosin edhe me shumë. Sa më i trashë  dhe  absurd të jetë arsyetimi i pafajësisë për ta, aq më e madhe është e damka që  i vihet  sistemit të drejtësisë dhe vetë rregjimit në fuqi që qëndron   gjithnjë prapa  pandëshkueshmërisë si fenomen. Nëqoftese do ta tregosh të implikuar deri në grykë një  person, jepi pafajësinë që u ka dhënë  gjyakta e faktit të Tiranës Prendit dhe Llupos dhe je në rregull.

Çfarë bën  plumbi  luftarak që drejtohet në mish njeriu apo kafshe ? Përgjigja është  “vret”, “plagos” dhe s’mund të jetë kurrë  “përkëdhel”, “tremb”. Vetëm kalamajtë, ata  të  vegjlit dhe leshkot që e kujtojnë jetën film, mendojnë se plumbi nuk vret.
Në  çfarë sistemi logjik qëndron kjo që  viktimën në një protestë,  ku marrin pjesë njëqind mijë vete,  duhet ta kesh njohur  më parë, pa të jesh fajtor nëse  arma jote  i merr jetën.
 
Drejtësia,  pavarësisht sofizmave dhe piruetave që janë pjesë e arsenalit të saj, nuk mund të jetë alogjike në shkallën e marrëzisë, nuk mund të jetë cinike në shkallën e  ligësisë, nuk mund të jetë shproporcinale  në shkallën e poshtërsisë. Kjo gjykatë e faktit të Tiranë ka dënuar dhjetra protestues   të 21 janarit  duke u mbështetur  në filmime që i tregonin ata duke qëlluar me  gurë në drejtim të forave të rendit dhe ndërkaq  shpall të pafajshëm   oficerë e drejtues të Gardës së  Republikës që kanë vrarë  qytetarë të pafajshëm, vrasje të cilat jo vetëm janë filmuar, por  pavarësisht përpjekjeve kriminale që janë bërë për t’i fshehur, janë provuar edhe nga ekspertiza e FBI-së amerikane.

Në rrafshin e shproporcinalitetit,  duke dënuar hedhësit e gurëve dhe duke nxjerrë të pafajshëm  vrasësit e demostruesve  paqësore, gjykata e faktit Tiranës  nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka “zbardhur” deklaratat  dhe qëndrimet  politike të  kryeministrit  Sali  Berisha për  21 janarin.  Në një formë të rrezikshme, kjo  gjykatë  ka mëtuar  në vendimin e saj të justifikojë vrasjet politike gjoja për arsye shtetërore, duke goditur në mënyrë kriminale të drejtën kushtetuese dhe demokratike të njerëzve për  të protestuar dhe për  tu revoltuar me qeverinë, për të  kërkuar  dorëheqjen e saj, atë të drejtë  që është fituar me guxim dhe saktifica  nga studentët dhe populli shqiptar në lëvizjen e  Dhjetorit   1990,  atë të drejtë që solli në bulevardin  “Dëshmorët e kombit”  me 21 janar 2011,  bashkë me njëqind mijë të tjerë, Ziver Veizin, Faik Myrtajn, Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën.

E vërteta e  madhe e vrasjes së   këtyre katër protestueve paqësorë u fiksua përgjithmonë në mënyrë  të palujtshme  në sekondin kur u qëlluan dhe në vendin ku ranë.  U vranë kur demostrata po shpërndahej   rreth orës 16.10. U vranë  në bulevard,  me duart në xhepa,  shumë metra jashtë rrethimit të kryeministrisë.  Vrasja e tyre në këto kushte  ishte një akt i pastër burracakërie i atyre që urdhëruan të qëllohet me plumba luftarakë në turmë dhe i atyre që i zbatuan këto  urdhëra.   Arsyetimi i vendimit të  gjykatës , me dy elementët që përmendem në krye të këtij shkrimi, ka  vijimësi  dhe  përmbyll në këtë rrafsh rrethin  e burracakërisë:burracake  vrasjet, burracak gjykimi.

Por gjykata e faktit i ka hedhur ndërkaq disa dorashka të rënda Prokurorisë. I ka thënë, ndër të tjera, se ti Prokurori ke formuluar  akuza të driblueshme  me akrobacira juridike.  Sa e vërtetë është kjo, le ta gjykojë Prokuroria, por kjo është  përshtypja. Gjykata ka ngritur edhe një problem që unë e gjej interesant dhe do të thosha se është  një nga pikat e drejta të vendimit  të saj. Ajo  shprehet se nuk është bërë një hetim i plotë i rrethanave në të cilat ish komandanti i Gardës ka qëlluar njëmbedhjete herë me armën e tij.  Cila ishte vendndodhja  e tij kur ka qëlluar dhe  për çfarë motivesh  duhej të qëllonte Prendi  në drejtim të turmës ? pyet gjykata.  Janë pyetje   normale që bëhen intriguese në rrethanën kur  mbarë publiku i ka parë live Llupon dhe  gardistët  e  tjerë duke qëlluar, ndërsa Prendi nuk është filmuar nga  asnjë prej kamerave.  Ka qenë dhe është  vertetë një çudi e madhe  se si mund të qëllonte  njëmbëdhjete herë drejt një turme që po shpërndahet  një oficer me karrierë dhe përvojë si  Andrea Prendi.  Presupozohej se keto pyetje elementare ishin sqaruar me kohë gjatë hetimit. Me sa jam në  dijeni, Gjykata mund bëjë vetë hetim penal gjatë procesit gjyqësor. Boshllëqet   apo honet në një  ngjarje si ajo e 21 jaanrit  ushqejnë përshtypjen se Gjykata në një anë dhe  Prokuroria në anën tjetër  qëndrojnë secila në transhenë e vet,  bëjnë si me thënë  secila punën e vet, por të dyja bashkë nuk bëjnë drejtësi.  Edhe në këtë pikë Prokuroria është e sfiduar nga Gjykata.

Rasti i pyetjeve për vendodhjen   e paqartë dhe motivet e paqarta të  Prendit  i bëjnë vetvetiu jehonë një “legjende  urbane” sikur ai ka dhenë armën, por jo gishtin për të qëlluar. Nuk kam asnjë mendim për këtë legjendë, por fakti është se  në arsyetimet e gjykatës është e dyta herë që krimi “adresohet” në drejtim të paditur. Herën e parë kur gjykata konkludoi se  pamjet e 21  janarit ishin zhdukur si prova nga server i kryeministrisë, por nuk ishte i akuzuari  ai që i kishte fshirë; herën e dytë tani kur  konkludohet se arma e Prendit ka qëlluar  ( e ka provuar ekspertiza amerikane dhe s’mund të lëvizet,) por nuk tregohet se ku ka qenë  dhe pse duhet të qëllonte ky  ushtarak i vjetër.

E kam shënuar në një shkrim  tjetër se vrasjet e 21 janarit janë një gur prove për drejtësinë shqiptare. Por edhe një gur shkatërrimi nëse kjo drejtësi është kalbur fund e krye, gjë që unë dhe besoj mijëra e  mijëra si unë  nuk duan  ta besojnë . Për momenin gjykata e  faktit ia ka hedhur  dorashkën Prokuririsë. Historia vazhon. Drejësia nuk mund të mos bëhët. Brënda sistemit sigurisht, pra nga një drjetësi që  nuk mund të mos jetë llogaridhënëse.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 16 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)