TIRANE- Në Shqipëri çdo ditë raportohet një fëmijë i humbur nga familja. Fenomenet sociale dhe mënyra e komunikimit me ta, ka nxjerrë në protestë shumë të rinj të cilët kanë kërkuar reagim më të fuqishëm nga strukturat për kërkimin dhe gjetjen e tyre. Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijët, në një protestë të zhvilluar ditën e djeshme në ditën Kombëtare të Fëmijëve të Humbur ka kërkuar më shumë vëmendje nga strukturat përkatëse për çdo rast të fëmijve të deklaruar të humbur.

Sipas përfaqsuesve që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, largimi i fëmijëve nga shtëpia dhe arratisja e adoleshentëve për orë të tëra nga shtëpia, shfaq mënyrën më të përhapur të refuzimit të situatave të papëlqyeshme të harresës, dhunës dhe çdo lloj forme të abuzimit që këta fëmijë i bëjnë familjeve të tyre. Duke ju referuar të dhënave të Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijët, duke parë intensitetin në rritje të largimit dhe zhdukjes së fëmijëve është e nevojshme krijimi i një procedure standarde për të përkufizuar qartësisht termin “Fëmijë i humbur” dhe përcaktimin e një procedure të kalimit nga fëmijë i larguar në fëmijë të humbur dhe të zhdukur. Në vend ende nuk ka një regjistër kombëtar për trafikuesit, shfrytëzuesit dhe abuzuesit me fëmijët duke lënë gjithmonë të hapur mundësinë e trafikimit dhe abuzimit me fëmijët.

“Pas tre vitesh nga humbja e Meteo Beaj ende nuk është dhënë asnjë shpresë për familjarët dhe personat e afërt për gjetjen e tij, e njëjta situatë është edhe pas 18 muajve të humbjes së Julian Çelës, gjashtë viteve të zhdukjes së Isa dhe Mirjeta Murjos. Është e nevojshme të kujtojmë secilin prej këtyre emrave si raste që i shërbejnë reflektimit të gjithë shoqërisë”, u shpreh për mediat Altin Hazizaj drejtues i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri.

Sipas tij, është e nevojshme që të kujtohen të gjithë ata fëmijë që janë viktima të trafikimit, në mënyrë që të vazhdohen të bëhen përpjekjet e nevojshme për gjetjen e tyre. Edhe në botë zhdukja e fëmijëve është një problem shqetësues, ku organizatat ndërkombëtare raportojnë se çdo ditë humbin 22 mijë fëmijë. Sipas organizatave 1 në 7 fëmijë bie pre e trafikimit dhe shrytëzimit. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)