Idajet Beqiri rrëfeu në Repolitix se gjatë kryengritjes së armatosur më 14 shtator 1998 ndodhej në Kryesinë e Kuvendit bashkë me ministra dhe zyrtarë të tjerë, kur godina u qëllua me armë dhe plumbat thyen xhamat. Duke komentuar deklaratat e Fatos Klosit gjatë dokumentarit në transmetuar nga Report Tv, gjatë të cilit ish-kreu i SHIK deklaroi se ndërkombëtaret kërkuan që të sulmohej selia e PD, Beqiri thotë se kjo është kërkuar nga shërbimi italian i asaj kohe.
“Më 10 shtator mua më emëruan zëvendësministër të Brendshëm. Vendimin ma komunikoi Fatmir Xhafaj, që ishte sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Pra, katër ditë para se të ndodhte grushti i shtetit. Nuk kisha shkuar ende në detyrë, sepse ministri do të më prezantonte ditën e hënë. Ndërkohë u vra Azem Hajdari. Më 14 shtator ne u grumbulluam te Kryesia e Kuvendit, te Skënder Gjinushi. Aty ishim me Gramoz Ruçin, ministra dhe zyrtarë të tjerë. Që në mëngjes ishim aty dhe nga dritaret ndiqnim çfarë po ndodhte poshtë. Edhe Kuvendi u sulmua me armë. U qëllua për të vrarë, sepse godina u mbush me plumba. Plumbat erdhën deri aty ku ishim ne dhe u thyen xhamat.
Ishte kryengritje e armatosur, jam i bindur për këtë. Është e vërtetë që në atë kohë kisha komunikime shumë të mira me Fatos Klosin. Ata që përmend Fatosi, nga NATO-ja, ishin nga shërbimi italian. Sugjerimi ishte: ‘Arrestojeni menjëherë’. Por nuk veproi njeri. Edhe sepse nuk ishte kryeministri, por edhe sepse do të kishte të vrarë. Nuk mund të shkoje t’i arrestoje ata aty pa pasur një përballje të armatosur. Ata do të reagonin me armë. Situata përfundoi vonë në mbrëmje. Pasi erdhi telefonata, ata u larguan dhe u zhdukën. Më pas nuk kishte më atë rezistencë të armatosur”, thotë Idajet Beqiri në Repolitix.
Lajmi kryesor:
14 shtatori ’98/ Petro Koçi: Grusht shteti i përgatitur nga PD për të marrë pushtetin me forcë, vrasja e Hajdarit vetëm pretekst








