Ministri Naço takon Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani
Ministri Naço takon Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani
TIRANË, 8 Prill /ATSH-Gjergji Mima/ -Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço priti sot në një takim Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani.
Gjatë diskutimit, Ministri Naço bëri një prezantim të reformave që po ndërmerren në sistemin gjyqësor shqiptar, ndërsa u ndal në rëndësinë që paraqet reforma që duhet të përfshijë Gjykatën Kushtetuese, veçanërisht në drejtim të rritjes së cilësisë dhe meritokracisë në përbërjen e këtij institucioni dhe më konkretisht në kriteret e emërimit, marrjen e vendimeve në kohë, kuorumin e nevojshëm për dhënien e vendimit, etj.

Ministri Naço theksoi se mbeten të hapura mundësitë për rritjen e mirëfunksionimit të kësaj gjykate, duke e lidhur këtë fakt edhe me çështjen e arsyetimit në kohë të vendimeve, proces ky që shpesh ka krijuar një ngërç institucional.
Bashkëbiseduesit kanë rënë dakort mbi rëndësinë që paraqet shkëmbimi i eksperiencës në drejtim të forcimit të institucioneve kushtetuese. Ministri Naço është shprehur se mirëpret çdo kontribut të ardhur nga ekspertët kosovarë, ndërsa theksoi se do të ishte në interesin e ndërsjelltë përfitimi nga eksperienca reciproke.
Ndërsa e njohu Ministrin Naço me disa detaje rreth ecurisë së punës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke veçuar disa prej vendimeve më të rëndësishme të këtij institucioni, z. Hasani e vuri theksin tek rëndësia që paraqet interpretimi i Kushtetutës, duke e cilësuar këtë proces si një çështje mjaft të ndjeshme.