Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kanë dalë me një deklaratë publike lidhur me rritjen e çmimit të karburantit deri në 217 lekë për litër, një rritje e shpejtë që prej 28 shkurtit, moment i përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, që u ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e operimit.
Shoqatat e transportit kërkojnë nga institucionet përgjegjëse, heqjen e TVSH-së për transportin publik, rishikimin të barrës fiskale mbi karburantin dhe aplikimin e subvencioneve apo mekanizmave kompesues me qëllim vijim e njëjtë të ofrimit të shërbimit ndaj qytetarëve pa ndërhyrë në çmimin aktual të biletës.
Sakaq, në një reagim për mediat, kryetarët e shoqatave paralajmëruan reduktim me 30% të numrit të autobusëve nga e hëna, nëse qeveria dhe institucionet vendore nuk marrin masa për të kompensuar kompanitë e transportit.
"Nëse s’do të kemi një reagim nga institucionet të hënën, jo për shkak të një presioni, po për shkak të pamundësisë ekonomike, do të reduktojmë me 30% flotën e autobusëve, që është në dëm të operatorëve dhe qytetarë që s’do të marrin shërbimin për shkak të krizës", thanë ata.
Reagimi i plotë
Shoqatat, vlerësojnë të nevojshme të informojnë opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse mbi situatën aktuale të sektorit të transportit publik, e cila po ndikohet ndjeshëm nga rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i saj në kostot e operimit. Transporti publik, si një shërbim me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe për funksionimin e ekonomisë, operon në kushte tarifash të rregulluara ligjërisht dhe me mundësi të kufizuara për të përballuar ndryshime të menjëhershme të kostove. Kështu, rritja e çmimit të naftës nga rreth 145 lekë/litër përpara krizave të fundit, në rreth 214 lekë/litër aktualisht, pra një rritje prej afërsisht 70 lekë për litër, ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative për operatorët.
Kjo situatë rëndohet më tej nga pesha e lartë e komponentëve fiskalë në çmimin e karburantit, duke ushtruar një presion të vazhdueshëm mbi kapacitetin financiar të sektorit. Si pasojë, ruajtja e ekuilibrit ndërmjet kostove dhe të ardhurave, si dhe garantimi i të njëjtit nivel shërbimi, me të njëjtën cilësi dhe frekuencë po bëhen gjithnjë e më të vështira.
Pavarësisht adresimeve të vazhdueshme pranë institucioneve përgjegjëse, deri në këtë moment nuk janë ndërmarrë masa konkrete për të përballuar këtë situatë. Në mungesë të ndërhyrjeve të menjëhershme, ekziston rreziku që operatorët të mos jenë në gjendje të ruajnë nivelin aktual të operimit dhe frekuencat e shërbimit, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Megjithatë, theksojmë se operatorët nuk synojnë reduktimin e shërbimit apo rritjen e çmimit të biletës, por vijueshmërinë dhe cilësinë e tij. Në kushtet aktuale, kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë për t'u garantuar pa mbështetje institucionale.
Për sa më sipër, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse ndërmarrjen e masave konkrete dhe të menjëhershme, konkretisht:
1- rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit;
2- vlerësimin e një politike të veçantë për sektorin e transportit publik për heqjen e TVSH-së;
3- aplikimin e mekanizmave subvencionues ose kompensues, me qëllim garantimin e vijueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së këtij shërbimi në interes të qytetarëve.
Ndërkohë qeveria nga data 19 mars, ka vendosur rikthimin e Bordit të Transparencës që do të përcaktojë çmimet e naftës, gazit dhe benzinës. Çmimet bordi i cakton duke marrë në konsideratë bursës, vlerën në zhdoganim, koston e transportit dhe fitimin e kompanive, që do të jetë 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për litër për pakicën. Të gjithë ata që nuk i respektojnë do të ndëshkohen, me gjoba e deri tek pezullim i licencave të tyre.
Një tjetër ndërhyrje e qeverisë që mund të ulë pakëz çmimin, ulja me 20% e akcizës, nëse çmimi do të kapërcejë 220 lekë për litër. Aktualisht në një litër naftë akciza është 38.8 lekë, dhe me këtu ulje zbret në 31 lekë për litër.

Komente











