Ish-deputeti Nard Ndoka ka kritikuar kryedemokratin Sali Berisha, lidhur me demokracinë e brendshme në PD.
Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Ndoka tha se Berisha nuk e bëri kurrë PD-në një forcë politike demokratike.
Sipas Ndokës, Berisha i la në hije të gjithë personazhet e tjerë, përfshi ish-kryedemokratin Lulzim Basha, duke mos u dhënë mundësinë që të ecin para.
“Berisha duhet të jetë, për faktin që ka një autoritet të padiskutueshëm te ajo parti. Përsa kohë që Berisha ka dëshirën që të zgjidhet kreu i PD-së, nuk besoj se e konkurron askush. Atij i mjafton vetëm dëshira për fatin e keq. Sepse unë do dëshiroja shumë që te ajo parti të ketë edhe personazhe të tjera. Berisha atë parti nuk e bëri asnjëherë demokratike. Pra nuk i dha hapësirë asnjë njeriu që të ecte para. Mbetën të gjithë nën hijen e Berishës. Kur je nën hije, edhe kastraveci nuk rritet. Nën hijen e tij, edhe Basha përfundoi si një kastravec i papjekur. Unë nuk shoh një vijë ndarëse refrektare për Salianjin që të kandidojë. Ai ka qenë një deputet aktiv i PD-së, lidershipi i PD-së i ka shkuar te burgu për ta takuar. Këta nxjerrin terma të tillë si vetëpërjashtimi. Pra këto janë mekanizma që lënë një shije të hidhur”, tha Ndoka.
Nga ana tjetër, avokati Edmond Petraj ka deklaruar se PD duhet të hapet, në mënyrë që njerëzit të afrohen pranë kësaj force politike. Sipas Petraj, njerëzit nuk mund të afrohen me PD-në kur shohin fatin e Ervin Salianjit, i cili u përjashtua nga ky subjekt politik. Petraj tha gjithashtu se Salianji duhet të ishte kandidat për kryetar të PD-së në zgjedhjet e 23 majit, përballë Sali Berishës.
“PD duhet të hapet, të afrohen njerëz. Shumë njerëz nuk afrohen sepse shohin fatin e Salianjit dhe nuk afrohen. Salianji duhet të ishte kandidat për kryetar të PD-së përballë Berishës”, tha avokati Petraj.
Komente










