Mbrëmja e 12 qershorit ka mbledhur mijëra pelegrinë në Kishën e Shna Ndout në Laç, të cilët kanë ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe jashtë saj, për të kremtuar festën e këtij shenjti.

Shumë prej tyre kanë zgjedhur të kalojnë natën në ambientet e kishës, në pritje të meshës solemne dhe riteve fetare të 13 qershorit.Pelegrinët shprehen se rikthehen çdo vit në këtë vend të shenjtë, pasi besojnë tek fuqia e ndërmjetësimit të Shna Ndout.

 Ata thonë se vijnë me lutje, shpresë dhe falënderime, duke kërkuar shëndet, paqe dhe mbarësi për familjet e tyre.

Kisha e Shna Ndout në Laç është një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit në Shqipëri dhe Ballkan. Çdo të martë, per 13 jave besimtarë të feve të ndryshme e vizitojnë këtë vend të shenjtë, ndërsa kulmi i pelegrinazhit shënohet më 12 dhe 13 qershor, në festën e Shna Ndout.

Ndërkohë Policia ka ndërmarrë disa masa për mbarëvajtjen e pelegrinazhit dhe garantimin e rendit e sigurisë publike. Nga ora 18:00 e ditës së sotme deri në orën 24:00 të datës 13, do të ketë kufizime qarkullimi në këto rrugë:

-Nga kryqëzimi i gjykatës deri te kisha e Shna Ndout;

-Nga kryqëzimi i poliklinikës deri te kisha e Shna Ndout;

-Nga kryqëzimi i gjimnazit deri te kisha e Shna Ndout;

-Nga pallati “113” deri te kisha e Shna Ndout.

Në këto segmente rrugore do të qarkullojnë vetëm mjetet e transportit publik (autobusë/taksi) të licencuara dhe të përcaktuara nga Bashkia Kurbin, mjetet e kishës, mjetet e personaliteteve të larta shtetërore, mjetet e Emergjencave Civile, zjarrfikëset, autoambulancat dhe Policia.

Në disa akse ka kufizim të qarkullimit:

•Nga kryqëzimi i gjimnazit deri te kryqëzimi i varrezave do të lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve.

•Nga mbikalimi i Patokut për në Laç nuk do të lejohen të hyjnë mjete me tonazh të lartë, pasi bëhen shkak për bllokimin e qarkullimit rrugor.

•Mjetet do të parkohen në vendparkimet e përcaktuara nga Bashkia Kurbin, ndërkaq, nuk do të lejohen parkime në vende që bëhen pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve.