Natasha Sela, “Fjalët e fundit të
Fatosit: -Mos më çoni në Teatër”

Natasha Sela, “Fjalët e fundit të<br />Fatosit: -Mos më çoni në Teatër”
TIRANE- Dhe duke dalë çdo ditë nga shtëpia drejt Teatrit Kombëtar të Tiranës, Fatos Sela s’e shkonte kurrë nëpër mend se vdekja do t’ia priste rrugën. Duke u ndjerë plot energji dhe i gëzuar nga shija e freskët e duartrokitjeve të publikut, pas suksesit me rolin e Salierit, te drama “Amadeus”, pranvera e këtij viti i dukej edhe më e bukur, ëndrrat për premiera iu bënë edhe më të shpeshta. Regjisorët, kolegët, kritika i kishin dhënë vlerësime maksimale për talentin. Shkoi edhe vera, erdhi vjeshta, dhe ja, aty në mesin e kësaj vjeshte të vitit 2013, Fatos Sela sëmuret.

Besoi se do të ishte ndonjë grip apo virus. Kështu besuan edhe familjarët, por s’ishte ashtu. Sëmundja kishte punuar tinëzisht prej dy vjetësh, pa i dhënë asnjë sinjal, asnjë dhimbje, pa e penguar as në rolet skenike, ndërsa në fundin e nëntorit u shfaq rrufeshëm dhe e rrëmbeu aktorin e shquar Fatos Sela brenda një muaji. Ditët e fundit që ndjeu se vdekja e mundi, porositi bashkëshorten, disa herë: “Mos më çoni në teatër”. Por dje Fatos Sela u përcoll nga dera e shtëpisë së tij, me të njëjtin dinjitet që do të përcillej edhe nga dera e Teatrit Kombëtar. Miq të shumtë, aktorë, regjisorë, dhe një familje e madhe me motra e vëllezër, me fëmijët e tij që lotonin prej dhimbjes ishin dyndur në dyert e dy banesave që zhvillohej ceremonia e lamtumirës në lagjen e “Porcelanit”.

Një kodër e madhe lulesh e kishte rrethuar.
Bashkëshortja e Fatos Selës është Natasha Sela, një aktore e njohur në fushën e komedisë, e cila ka punuar në Teatrin e Fierit dhe për 11 rresht ka qenë aktore pranë Estradës së Tiranës. Natasha Sela ka marrë pjesë edhe në disa drama që janë ngjitur në Teatrin Kombëtar, dhe nuk ka munguar asnjëherë në jetën e saj artistike, ku është përfshirë si aktore edhe në filma e telenovela.

Dje, Natasha ka pritur dhe përcjellë pa fund njerëz, miq shokë, qytetarë të Tiranës. Të gjithë e donin dhe e çmonin Fatosin. Lule të bardha, trishtim, lot dhe dhimbje. Kjo qe atmosfera në shtëpinë e tij. Fatos Sela la amanet të mos dilte nga dera e Teatrit Kombëtar, siç është bërë traditë për lamtumirat e aktorëve të shquar. Misterin pse e refuzoi daljen nga dera e TK, e mori me vete. Vetëm kaq mund të thoshte, ky qe amaneti: “Mos më çoni në Teatër”. “Kur e ndjeu se do ikte e tha disa herë, “Mos më çoni në Teatër”. Kështu rrëfeu Natasha, bashkëshortja e tij, dje kur e pyetëm sesi ndodhi.

“Ishte e papritur, sot mbushen fiks një muaj që ai u sëmur me temperaturë. Mjekët nuk e shpjegonin shkakun e temperaturës. Pas analizave doli se kishte njolla uji në mëlçi, por sërish temperatura që nuk ulej ishte e pashpjegueshme. U bënë analiza të imtësishme sepse mjekët kuptuan që kishte diçka që nuk shkonte. I futën sondën në stomak dhe nuk doli gjë. Më tej me analiza të tjera doli se kishte një masë të madhe tumoriale, të fshehur nën mushkëri. Mjekët thanë se kjo masë mund të ketë rreth dy vjet që është zhvilluar.

Por unë habitem se ai ishte i fortë dhe nuk ka shfaqur asnjë shenjë sëmundjeje. Edhe gjatë këtij muaji kur u sëmur përpiqej të ishte i fortë, nuk donte të na mundonte me shërbime”. Ja kështu u fik jeta e një aktori të shquar shqiptar që pasoi me një ikje të befasishme, duke lënë pas trishtimin dhe boshllëkun e madh në teatrin shqiptar. Është mëkat që potenca e tij krijuese, mundësitë e mëdha që do t’i ofronte sot teatrit kombëtar në kohë krize të mbërthen në krahët e vdekjes.

Fatos Sela ka krijuar role që nuk mund të harrohen si Avni Rustemin te “Dy krisma në Paris”, rolin në dramat “Zoti godet me putër”, “Kush e vrau Kastinën”, “Shtrigat e Salemit”, “Një letër e humbur” “Gjëmimi i atij dimri”, “Baladë për një grua”, “Fytyra e dytë”, “Dashuria me fantazmën”, “E bukur shtëpi e vjetër”, “Plumba dhe shkronja”, “Dorina”, “Armiku i Popullit”, “Xhaxha Vanja”, “Portreti i Dorian Greit”, “Pulëbardha”, “Streha e të harruarve”, “Tiranosauri”, “Anonimi i Venedikut”, “Magjia e madhe”, “Pamje nga ura”, “Franku V”, “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, “Shtrigat e Salemit”, “Henri VI”, Ismail Qemali te “Ëndrra e Ismail Qemalit” dhe roli brilant i Salierit tek “Amadeus”.

Shkrimi u publikua sot (20.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris