Një raketë iraniane, u shkatërrua brenda hapësirës ajrore turke këtë të hënë. Përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama ka theksuar se Shqipëria dënon me forcë sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë.
Ndër të tjera kreu i qeverisë nënvizon se përpjekjet e regjimit iranian për të projektuar tensione dhe paqëndrueshmëri me sulme të vazhdueshme kundër fqinjëve të saj janë jashtëzakonisht të rrezikshme.
“Shqipëria dënon me forcë sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht alarmues dhe nënvizon më tej natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve. Turqia është një vend vëllazëror, një partner strategjik i Shqipërisë dhe një aleat i vlefshëm i NATO-s. Përpjekjet e regjimit iranian për të projektuar tensione dhe paqëndrueshmëri duke vazhduar sulmet kundër fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme.
Veprime të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Shqipëria përshëndet reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në ruajtjen e sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë”, shkruan Rama në X.
Lajmi për raketën u raportua nga ministria e mbrojtjes së Turqisë e cila saktësoi se ajo u interceptua nga mbrojtja ajrore e NATO-s. Ky është rasti i dytë kur një raketë e iranit hyn në hapësirën e NATO-s.
Komente









