Cila ishte porosia
e Arbën Xhaferit?

 Cila ishte porosia<br />e Arbën Xhaferit?
“Çdo politikan duhet ta dijë kur duhet të largohet nga politika, nëse jo do ta humbë edhe atë nam që e ka”
 
Pata privilegjin ta intervistoja dhe ndiej përgjegjësinë të ndaj me lexuesin në këtë libër, ku përfshihen opinionet, mendimet, idetë, vizionet, ëndrrat e Arbën Xhaferit, shpërndarë nëpër 12 intervista të rralla …

Kryengjarja e këtyre ditëve të politikës mbarëshqiptare është largimi nga kreu i Partisë Demokratike shqiptare të Maqedonisë, z. Arbën Xhaferi, kryetari i saj…

-Kryesisht në këto tubime partiake flitet pozitivisht për shkak se partitë politike janë profilizuar në atë mënyrë. Kur je brenda partisë tënde flitet me superlativa ndërkaq të tjerët që janë vendosur në pozicione të kundërta, ata jo vetëm kritikojnë por edhe shpifin. Ky është fati i politikës tek ne. Sido që të jetë, mendoj se edhe kritikat kanë rol shumë pozitiv për shkak se krijojnë opinion për dobësitë nëse ato ekzistojnë.

Dorëheqje për arsye shëndetësore, dorëheqje për t’u lënë më shumë liri të rinjve. Në fakt pse tani kjo dorëheqje zoti Xhaferi?

Për shkak se, e para kam vështirësi shëndetësorë, e dyta çdo politikan duhet të dijë momentin kur duhet të largohet nga politika, nëse atë nuk e di atëherë do të relativizohet, do ta humbë edhe atë nam që e ka patur përpara, e treta për shkak se partia që e kryesoja unë, është kosoliduar tej mase, është stabilizuar, dhe unë pa mëdyshje dhe pa brenga largohem për shkak se struktura e partisë është e fortë dhe anëtarët janë luajalë ndaj kryesisë së partisë.

Unë nuk kisha dëgjuar asnjëherë kryetarin e një partie shqiptare në ikje të flasë për pasardhësin me të tillë mënyrë sikundër ju folët. Kjo sepse ka ardhur koha për një politikë ndryshe, për më shumë mirësjellje për atë që të pason?

Unë prej fillimit pata vendosur që ta sospendoj sedrën domethënë, të mos prekesha nga gjestet, deklaratat, nga mbështetja e gënjeshtërt apo fenomeneve të tilla që e prekin sedrën e njeriut. Pikërisht falë kësaj, unë arrita të krijoj raporte shumë të shëndosha të kooperimit me bashkëpunëtorët që i kam. Vlerësoj se ky variant i komunikimit brenda partiak dhe jashtë partiak është shumë më produktiv sesa variantet e vazhdueshme të dyshimit, kritikës, xhelozisë e kështu me radhë. Unë me kënaqësinë më të madhe pranova detyrën tashmë në tërheqje e sipër dhe me kënaqësinë më të madhe propozova vazhduesin e politikës në këtë parti. Z. Thaçi, nga zemra i uroj që të ketë sukses dhe t’i tejkalojë të gjitha ato rezultate që i patëm në periudhën e kaluar. Kjo mund të ndodhë edhe objektivisht për shkak se për arsye të ndryshme mund të jem edhe pengesë në parti për shkak të gjendjes shëndetësore dhe për çështje të tjera. Unë ndihmesën do të vazhdoj ta jap aq sa mundem dhe jam i bindur se kjo parti do të vazhdojë atë rrugë, atë mision që ka patur në shoqërinë shqiptare.

Përmendët në një moment se keni sospenduar sendrën. Çfarë dëmi i sjell sedra politikës së keqe që bëjmë ne shqiptarët?

Kryesisht sedra shkatërron gjithçka, sjell smirën. Ne akoma jemi popull i ri dhe rinia kryesisht vuan nga sedra e prekur. Askund si në politikë nuk lë pasoja katastrofale se vaniteti i individit për shkak se është një nevojë shumë e madhe për vërtetim të vetvetes, për pranim, për respekt e kështu me radhë. Sedrën unë e quaj si ai krimbi që e ha një objekt apo në këtë rast institucionin. Sedra krijon dyshime paranojake, sedra krijon grupime, antagonizma brenda në parti dhe në fund harrohet pse është formuar kjo parti. Në një vend kam theksuar se shpesh herë partitë shndërrohen në sfilatat e sedrave të prekura. Kjo objektivisht ndodh gjithkund dhe vetëm në mjediset që kultivojnë qëndrimin kritik, politikanët kanë kujdes nga egocentrizmi, nga sedra e tyre në situata të ndryshme.

Nëse analizoni pak a shumë filozofët e mëdhenj, kryesisht një filozof të ri, Francis Fukuyama, që flet për fundin e historisë, ai thekson se mekanizmi që vendoste në proces apo procesin historik në lëvizje, është në fakt nevoja për pranim nga tjetri, nevoja për verifikim të vetvetes prej tjetrit, nevoja për barazi. Këtë nevojë Platoni e quante Thimos domethënë, të kesh një kërkesë të fuqishme që të jesh i trajtuar në mënyrë të barabartë në shoqëri. Pra, edhe sedra hyn në këtë kategori të nevojës së pashuar të njeriut që të trajtohet i barabartë apo të ketë prestigj në shoqëri. Kjo ndjenjë shpesh herë është promotore e shumë proceseve në kulturë, në politikë, në sporte për shkak se e vë në veprim qenien e njeriut.

Rikthehemi në një moment situatës në nivel lokal, situatës në Maqedoni. Lajmet më të fundit nga Maqedonia janë 3 shqiptarë të plagosur sot në Shkup, Ali Ahmeti i cili nuk e pranoi ftesën e z. Thaçi që tashmë drejton Partinë Demokratike shqiptare dhe kryeministri maqedonas i cili foli shqip në Kongresin e partisë suaj. Nuk e di pse më ngacmoi më pozitivisht lajmi i fundit apo vetëm formë është?

Unë mendoj është formë dhe pak a shumë ka doza të ironisë së fatit, jo të atij për shkak se prej tani, në vitin 2007, hapet shtegu për të kuptuar se pranë maqedonasve jetojnë edhe shqiptarë. Unë mbaj mend një paraqitje në fillimet e viteve ’90 në një qark intelektualësh serbë dhe atyre ju përkujtova se pas vdekjes së profesor Vojislav Dancetovic serbët nuk kanë asnjë albanolog në mesin e tyre domethënë, ata ishin injorantë për frikërat e shqiptarëve, për aspiratat, për dilemat, për dramat e kështu me radhë.

Ndërkaq, shqiptarët kanë me qindra, me mijëra që lexojnë dhe përdorin gjuhën serbe, kështu që i dinë shqetësimet, të gjitha nuancat emotive të shtresave të ndryshme të popullatës. Nga kjo injorancë nga njëra anë dhe nga ana tjetër nga njohuritë që kanë shqiptarët për serbët, del rezultati pozitiv për shqiptarët për shkak se në këto përplasjet e dekadave të fundit shqiptarët përkundër faktit se ishin absolutisht më të lodhur, dolën fitues. Të njohësh kundërshtarin është një avantazh i madh në konfrontimet, në konfliktet politike e të tjera. Është njëlloj sikurse të kesh informatën kryesore për intensën që mbretëron brenda një shoqërie.
 
Ishte një mesazh që nuk e sollët për herë të parë, por për herë të parë e formuluat kështu gjatë Kongresit të partisë suaj, kur dhatë dorëheqjen. Ishte ajo për Piemontin e lëvizshëm shqiptar. Çfarë është Piemonti i lëvishëm shqiptar?

-Kur filloi kriza në Jugosllavi, ne ishim më të papërgatiturit se të tjerët. Të tjerët kishin elitën intelektuale, ushtarake, politike, financiare, i kishin të gjitha institucionet që ishin në funksion. Ndërkaq, pas vitit 1981 shqiptarët patën një represion të egër dhe të gjitha institucionet që i kishin ata nën duart e tyre, u morën, madje u shua dhe mbrojtja territoriale si një strukturë ushtarake që duhej të mbronte popullin në situata të një krize apo të një lufte të paparalajmëruar.

Pra, shqiptarët ishin në pozicione shumë më të dobëta se të tjerët. Kjo dobësi i detyroi ata që të mendojnë pak më shtruar se të tjerët për ardhmërinë apo për modalitetet e rezistencës. Përderisa tek serbët, Beogradi ishte strumbullari kryesor, Zagrebi ishte për kroatët, Sarajeva ishte për boshnjakët, shqiptarët të shpërndarë anekënd Ballkanit, objektivisht nuk mund të kishin një strumbullar apo një Piemont ku do të zhvillohej kauza shqiptare.

Duke konstatuar këtë mangësi, meqë edhe Shqipëria në fillim të viteve ’90 ishte në një krizë të thellë, se ç’priste shumica e analitikëve pra, përsëritjen e skenarit të Rumanisë. Pra, në ato momente ku Shqipëria ishte e molisur, Kosova e okupuar, shqiptarët e Maqedonisë të margjinalizuar, u analizua sesi duhet vazhduar dhe si duhet vepruar. Në atë kohë, në disa qarqe intelektuale ku merrja pjesë edhe unë në ato debate të thuash ilegale, u hodh ideja e Piemontit të lëvizshëm që do të thotë se kur një pjesë e kombit është në krizë, Piemonti ose strumbullari kalon në pjesën tjetër…..

 (Marrë me shkurtime nga libri “12 Porositë e Arben Xhaferit” i Rudina Xhungës-Dh.H.)
 ……………………………………….
Kush ishte Arbën Xhaferi

Arbën Xhaferi ndërroi jetë një vit më parë, më 15 gusht 2012, në klinikën e Shkupit pas një goditje celebrale që pësoi në banesën e tij në Tetovë. U lind në Tetovë më 24 janar 1948.

Shkollën fillore dhe të mesme ka kryer në Tetovë, ndërsa studimet filozofike në Beograd. Deri në vitin 1990 ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës për programin kulturor.

Pas viteve 90-të kthehet në vendlindje, ku së bashku me Menduh Thaçin themelojnë Partine Demokratike Shqiptare, të cilën ai e udhëhoqi deri në vitin 2007. Ai ishte edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë gjatë kësaj periudhe qeverisjeje. Kohët e fundit Xhaferi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte shkak për largimin nga politika aktive dhe më shumë merrej me analiza kombëtare.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com"

Redaksia online
(b.t/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'