Ndërron jetë shkrimtari i njohur
për fëmijë, Skënder Hasko

Ndërron jetë shkrimtari i njohur <br />për fëmijë, Skënder Hasko
TIRANE - Ndërron jetë shkrimtari i njohur për fëmijë, 77-vjeçari Skënder Hasko, pas një sëmundjeje të pashërueshme. Pasi ishte operuar dy herë, ndër të cilat herën e fundit verën e kaluar, shkrimtari i njohur që arriti të nxiste fantazitë e mijëra fëmijëve me krijimet e tij, nuk ka gëzuar shëndet të mirë.

Gjithçka u finalizua tragjikisht me humbjen e jetës së tij, duke u gdhirë mëngjesi i sotëm. Shkrimtari i njohur, duke se e kishte paralajmëruar vdekjen e tij pak kohë më parë, me veprën e fundit me kujtime, i titulluar "udhëtim nëpër vitet e jetës sime". Varrimi bëhet nesër, më 6 shkurt në orën 12.30 në Dukat.

Skënder Hasko u lind në 2 mars 1936 në Dukat të Vlorës. Pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare në vendlindje, kreu një kurs për mësues të ciklit të ulët dhe punoi mësues në Dukat nga viti 1953 deri më 1955, kur u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Flotën Luftarake Detare. Në fund të vitit 1958 u lirua dhe kreu një kurs për mekanik në Kuçovë dhe punoi në Uzinën Mekanike të Naftës të atij qyteti, deri sa u mor si aktor profesionist në Estradën Profesioniste të Beratit dhe, në të njëjtën kohë, vazhdoi shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” për aktor. Në vitet 1970-1974 vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranë, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, degën e gazetarisë dhe u diplomua gazetar.

Pas mbarimit të studimeve punoi gazetar-redaktor në revistën satiro-humoristike “Hosteni”, shef i botimeve Teatër-Estradë në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore. Ndërkohë mbaroi Kursin e Lartë për Ekonomi Politike. Në vitin 1976 u emërua Kryeredaktor i revistës për fëmijë ”Pionieri” ku qëndroi deri në vitin 1990, vit në të cilin e emërua Drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve, ku doli edhe në pension. Ka dhënë kontribut në prozë, poezi, dramaturgji dhe kinematografi.

Romane: “Të burgosurat e Xhuxhumit”, Sh.B. “Toena”-1997; “Legjenda e fshatit tim” (për të rritur), Sh.B. “Alta”, Tiranë-1998; “Një “gjeneral” kapet rob”, Sh.B. “N. Frashëri”-1997 dhe Sh.B. “Extra” -2001; “Arratisja e Tupe Xhelos”, Sh.B. “Toena”-2000; “Dimri iku duke qarë”, Sh.B. “N. Frashëri”- 1982, Enti Botues “Lira”-1998 dhe Sh.B. “Mësonjëtorja”-2003; “6 muaj nga jeta e Besianit”, Sh.B. “Toena”-2002; “Dardanët janë aty”, Sh.B. “Toena”-2007.

Novela: “Ne ishim partizanë”, Sh.B. “N. Frashëri”-1979; “Çimi dhe roboti budalla”-1982 dhe 2003; “Çudirat dhe e fshahta e Zamirit”, Sh.B. “N. Frashëri”-1983 dhe Sh.B. “Extra”- 2002; “Mbreti i tigrave” (përrallë), Sh.B. “Toena”-1996; “Ata që të bëjnë për të qeshur”, Sh.B. N. Frashëri”-1987 dhe e ripunuar me titull “Oh, ç’na bënë të qeshim”, Sh.B. “Toena”- 2004; “Arushi hundëkavanoz” (përrallë), Sh.B. “Toena”-1998; “Lepur ishte-lepur mbeti” (përrallë), Sh.B. “Toena”- 2001; “Një sherrxhi mustaqemi (përrallë), Sh.B. “Pegi”-2004; “Kocomiu tekamadh” (përrallë), Sh.B. “Toena”- 2004.

Monografi: “Xhafer Peçi- Njeriu që nuk u lodh kurrë”, Sh.B. “Toena”-2007.

Përmbledhje me tregime: “Në do nuse-gjej taksi” (tregime humoristikë për të rritur), Sh.B. “N. Frashëri”-1976; ”Faqemolla mundi Hundëpinokun”, Sh.B. “N. Frashëri”-1985; “Me litar të botës, mos hyr në pus”, Sh.B. “Toena”-1996; “Ndodhitë e Çaço Gabimit”, Sh.B. “Toena”-1996; “Maçoku i katrahurës”, Sh.B. “Neraida”- 2000 dhe 2008; “Byrekët e Shegës”, (satirë për të rritur), Sh.B. “Toena”- 2007.

Përmbledhje me përralla të shkurtëra: “Dinakja me vesh të grisur”, Sh.B. “N. Frashëri”-1990, Sh.B. “Rozafa”-1999 dhe Sh.B. “Extra”- 2003.

Poema: “Drita e Drinit”, Sh.B. “N. Frashëri”-1972; “Orkestra “Vijnë pisokët”, Sh.B. “OMBRA GVG”- 2002.

Vëllime me poezi: “S’jam e vogël”, Sh.B. “N. Frashëri” -1971; “Vallja e shkronjave”, Sh. B. “N. Frashëri”-1975, “Rilindja”-Prishtinë-1984 dhe Sh.B. e Librit Shkollor-Prishtinë në vitet 1985, 2000, 2001 dhe 2002, Sh.B. “Extra”-2003 dhe 2008; “Qeshin kafshët shtëpiake”, Sh.B. “N. Frashëri”- 1975 dhe Sh.B. “Mësonjëtorja”-2002; “Vaje halli, këngë malli”, Botimet “ASD”-2000; “Eh, mor Teli, ç’na gajase”, Sh.B. “Mësonjëtorja”- 2002; “Ah!...” (poezi për të rritur), Botimet “ASD”-2004.

Drama dhe komedi (të botuara, të vëna në skenë dhe të transmetuara në radio): “Vendi nuk mbetet bosh” (dramë për të rritur), “Pas mësimit”, “Lulushi ra nga teli” (komedi), “Tip-tap 5x5” (komedi), “Dy netë në kasollen tonë”, “Kjo nisi në autobus”, “Pëllumbat e hekurudhës”, “Në ditët e luftës”, “Na llogarisni edhe ne”, “Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë”, “E papritura e një nate”, “Një ngjarje pas lojës”, “Gabimet e Altinit”.

Pjesë për teatrin e kukullave (të vëna në skenë në Teatrin Kombëtar të fëmijëve në Tiranë, si dhe në teatrot e Peshkopisë, Beratit e Vlorës): “Kalorës të rinj”, “Ariu i vogël Çiçitak”, “Kacamicri kërkon shokët”, “Gëzojmë e thumbojmë”, “Kush po vjen?”, “Kocomiu tekamadh”, “Veza “bum” e zogu “ciu” etj.

Skenar filmi artistik: “Një “gjeneral” kapet rob”(nderuar me diplomë në Festivalin e Salernos-Itali)

Janë vlerësuar me çmime nga Juritë Kombëtare të Ministrisë së Arsimit e Kulturës, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të Shtëpive Botuese dhe të Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj: “Një “gjeneral” kapet rob”, “Qeshin kafshët shtëpiake”, “Dinakja me vesh të grisur”, “Çudirat dhe e fshehta e Zamirit” (me dy çmime), Oh, ç’na bënë të qeshim”, “Çimi dhe roboti budalla”, “Pas mësimit” (pjesë teatrale), “Në ditët e luftës” (pjesë teatrale), “Tip-tap 5x5” (komedi).

Gjithashtu janë nderuar: novela-përrallë “Mbreti i tigrave”, me çmimin “La Fonten” dhënë nga ambasada franceze; novela-përrallë “Arushi hundëkavanoz”. me çmimin “Viktor Eftimiu” nga ambasada rumune, romani-përrallë “Të burgosurat e Xhuxhumit” me çmimin “Xhani Rodari” nga ambasada italiane (një kopje e diplomës së këtij çmimi është vendosur në muzeun e Xhani Rodarit, në Itali); romani “Arratisja e Tupe Xhelos” me çmimin “Tasim Gjokutaj” nga Shtëpia Botuese “Toena”; romani “6 muaj nga jeta e Besianit” u cilësua si libri më i mirë i vitit në Panairin 2005 nga Drejtoria Arsimore e Tiranës dhe Shoqata Mbarëshqiptare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.

Ka marrë “Dëshmi Mirënjohjeje” nga Shoqata Atdhetare për Dëshmorët e Atdheut” dhe “Çertifikatë Mirënjohjeje” nga Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve, në të cilën thuhet: “Mirënjohje për jetë për veprat tuaja të mrekullueshme letrare, nëpërmjet të cilave janë edukuar breza të tërë në Shqipëri. Mirënjohje për kontributin Tuaj të shquar për edukimin e fëmijëve me ndjenjën e dashurisë për Njeriun, Atdheun, për shkencën e diturinë, për çdo gjë të bukur që fisnikëron shpirtin e njeriut.” Pjesë të krijimtarisë të tij janë përkthyer në greqisht, rusisht etj.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ