Ndërtimi i xhamisë së re
priten selvitë 100-vjeçare

Ndërtimi i xhamisë së re<br />priten selvitë 100-vjeçare
TIRANE - Nisja e punimeve për ndërtimin e xhamisë së re të myslimanëve tek lulishtja e Namazgjasë e ka zhveshur këtë pjesë krejtësisht nga pemët. E së bashku me to, janë prerë edhe selvitë 100-vjeçare. Vetë Komuniteti Mysliman pati premtuar se këto selvi nuk do të dëmtohen, por gjatë nisjes së punimeve ata do të transplantoheshin me kujdes dhe do t’u gjendej një copë tokë, ku të nguleshin.

Por në të vërtetë kjo nuk ka ndodhur. Nga punimet që janë bërë deri më tani tek sheshi i Namazgjasë, një pjesë e këtyre pemëve shekullore janë prerë, ndërkohë që edhe nga fotot që shoqëron këtë shkrim duket qartë se trugjet e tyre janë kthyer për dru zjarri. Por, janë ruajtur rrjeshti i selvive që janë ngjitur me gardhin rrethues të parlamentit.

“Aty është bërë një masakër dhe në kundërshtim me të gjitha rregullat, pasi ende nuk është marrë një leje për nisjen e punimeve. Ndërkohë që ata që po bëjnë punimet, nuk e dimë se kush janë, i kanë prerë edhe selvitë 100-vjeçare dhe ndryshe nga sa patën premtuar myslimanët, nuk i kanë transplantuar për ti mbjellë diku tjetër, por i kanë dëmtuar, - na thotë ambientalisti, Lavdosh Feruni.
– Do të ishte mirë që kjo xhami të mos ndërtohej fare te Namzagjaja, dhe ajo të qëndrojë lulishte siç ka qenë. Ne do i kërkojmë kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama ta anullojë këtë projekt dhe ndërtimi i saj të bëhet pas Teatrit të Operas, ku edhe ka qenë projekti fillestar. Mendojmë madje se komuniteti mysliman nuk ka një projekt të mirëfilltë për ndërtimin e xhamisë, dhe ai që kanë paraqitur është vetëm një model sa për të thënë”, - na thotë më tej Feruni.

MINISTRIA

Ndryshe nga sa thonë ambientalistët se lulishtja e Namazgjasë është monument kulture, ndaj edhe duhet të ketë mbrojtje të veçantë, specialistët e ministrisë së Mjedisit thonë të kundërtën. Sipas tyre në këtë shesh nuk bëhet fjalë për ekzistencën e pemëve që të kenë ndonjë status të veçantë. “Pemët që janë te lulishtja e Namazgjasë janë thjesht pemë dekorative. Ndërkohë që punimet janë pajisur edhe me lejen përkatëse”, - na shpjegojnë specialistët e ministrisë së Mjedisit.

AMBIENTALISTËT

Por ambientalistët kanë kundërshtime të forta për ndërtimin e xhamisë së re të myslimanëve tek kjo lulishte. Për ta, xhamia e madhe madje nuk duhet ndërtuar fare në këtë zonë të Tiranës, por duhet të parashikohet ndërtimi i saj pas Teatrit të Operas dhe Baletit, pikërisht ku ka qenë projekti i parë. “Nisja e punimeve në këtë zonë është bërë në kundërshtim me të gjitha rregullat, pasi për të nisur punimet duhet më parë të ishin bërë plot 6 hallka, dhe punimet e prerja e pemëve ishte e fundit.

Këta të fundit e kanë bërë të parën. Ne pikërisht për këtë arsye, do të protestojmë nesër në orën 12:00, pikërisht te lulishtja e Namazgjasë për prerjen arbitrare të selvive 100-vjeccare dhe zhdukjen e kësaj sipërfaqeje të gjelbërt”, - na thotë ambientalisti Sazan Guri. Edhe ai këmbëngul në idenë që leja për ndërtimin e xhamisë në këtë zonë duhet të anullohet dhe objekti i kultiut të myslimanëve të ngrihet tek ish-gropa e Sejdisë.

“Unë këmbëngul se ndërtimi i xhamisë në këtë zonë nuk është ide e mirë, as për qytetarët dhe as për vetë komunitetin mysliman. Ne do t’i kërkojmë qeverisë së re që do të krijohet në shtator që ta anullojë lejen e ndërtimit të xhamisë tek Namazgjaja, të zgjidhë problemin e pronësisë te ish gropa e Sejdisë dhe xhamia e re të ndërtohet aty. Ai është vendi më i mirë edhe për vetë myslimanët, pasi ka më shumë hapsirë, ndërsa namzagjaja mbetet kështu sic është: një lulishte për të gjithë””, - na shpejgon ambientalisti Guri.

Gjithashtu ai ka dyshime se komuniteti Mysliman nuk ka një projekt të mirëfilltë për nisjen e punimeve, por ajo çka ata kanë prezantuar si projektin e xhamisë së re, nuk është vetëm një ‘kartolinë’ e punuar në kompjuter. “Vetë përfaqësuesit e këtij komuniteti ma kanë pranuar se ata nuk kanë një projekt të mirëfilltë për ndërtimin e xhamisë së re.

Ajo që ata prezantojnë si projekti i xhamisë së re nuk ëhstë gjë tjetër veçse një gjë e ndërtuar me kompjuter, por që nuk jep asnjë të dhënë, se çfarë do përmbajë xhamia e re, si do të jetë e struktuaruar, planimetria e saktë, etj. Pra ata kanë nisur punimet, pa pasur ende një projekt konkret dhe kjo është shkelje e hapur që aty punimet kanë një prapavijë tjetër dhe jo ndërtimin e xhamisë”, - na thotë Sazan Guri.
 
ABUZIMI
 
Lokalet përreth: Se dimë ç’po ndodh
 
Lokalet që janë ngjitur me murin rrethues të xhamisë së re, nuk dinë asgjë se çfarë do të ndodhë me ta. Ata refuzojnë të të flasin kur i pyet për ndërtimin e xhamisë dhe nëse dikush u ka thënë nëse ata do të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë, ata nuk pranojnë të flasin. “Ku dimë ne se çfarë do të ndodhë. Askush nuk na thotë gjë”, pohojnë të zotët e lokaleve që janë rreth e rrotull. Ndërkohë që ka hije dyshimi se bashkia në këshillin teknik të saj të ketë miratuar lejen për kthimin e kësaj zonë, në zonë për ndërtime, pasi deri më tani ajo gëzonte statusin e monumentit të kulturës, që e bënte të paprekshme.
 
XHAMIA E MADHE
 
Beteja 20 vjeçare për ndërtimin e xhamisë së madhe
 
Në vitin 1993, presidenti i asaj kohe Sali Berisha bashkë me ish kreun e komunitetit Mysliman, Haxhi Hafiz Sabri Koçi, vendosën gurin e themelit për fillimin e ndërtimit të një xhamie më të madhe në Tiranë. Por 20 vjet më pas ende ka dilema. Edi Rama, në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës në vitin 2011, hodhi idenë të një muzeu multifetar, i cili do të ngrihej pas teatrit të operas dhe baletit.

Muzeu do të kishte si funksion kryesor të saj xhaminë e madhe të myslimanëve, ndërsa parashikonte edhe ndërthurjen e një muzeu multifetar i një tregues i mirë i bashkejetesës fetare në vendin tonë. Asokohe projekti mori edhe bekimin e myslimanëve. Por kur në krye të bashkisë së Tiranës, erdhi Lulzim Basha, ky projekt u hodh poshtë me pretendimin se ka të pazgjidhur çështjen e pronësisë.

Kështu në prill të vitit 2013, u miratua projekti i ri, dhe kryeministri Berisha, kreu i bashkisë Basha dhe kreu i komunitetit Mysliman, Selim Muça, vendosën për herë të dytë, gurin e parë të themeleve, për nisjen e ndërtimit te Lulishtja e Namzgjasë, projekt që është kundërshtuar fort nga ambientalistët.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë